Poikilos

Vivre, c’est fabriquer du passé

Intervistë me Pëllumb Kullën

Classé dans : TEATER — 29 octobre, 2008 @ 21:45

  Intervistë me Pëllumb Kullën  dans TEATER kulla-demneri                  

Bisedë mbi teatrin

Ylli Demneri I dashur Pëllumb, mund të jemi këmbyer korridoreve, në Kinostudio apo në teatër, por nuk kemi patur asnjëherë rast që të takohemi e të bisedojmë së bashku, prandaj të kërkova këtë bashkëbisedim mbi teatrin.

Pëllumb Kulla — Pse jo?!

Y.D. — Edhe pse u bënë kaq vite që përdor internetin, prapë më ndodh që të mrekullohem nga kjo shpikje e kohës sonë. Ti atje në New York, unë këtu në Paris, arrijmë të bisedojmë « kokë më kokë ».

P.K. — Paris, New York… Emra qytetesh prestigjozë! A nuk të duket se na e rrit përgjegjësinë, mbi nivelin e atyre që do të themi?

Y.D. — Nuk besoj që vetëm me emrat këta qytete të bëjnë të mençur. Ka kaq shumë debilë që kanë lindur e jetojnë në këto qytete, sa më mirë t’i harrojmë. Nëse do të donim që të flisnim sëbashku mbi teatrin në përgjithësi dhe për lidhjet e tua me të, nuk mund t’i shmagem pyetjes : se ç’qe ajo që të shtyu drejt teatrit?

P.K. — Unë iu afrova teatrit siç i afrohen të gjithë fëmijët lojrave… Teatri është parë deri tani si kryeloja, loja më magjepse që ka arritur njerëzimi.. Është loja, ku kënaqesh edhe vetë, ku sheh edhe të tjerë që mblidhen të të shohin dhe bile në fund edhe të të duartrokasin.

Y.D. — Ose të kthejnë krahët!

P.K. — E drejtë, të kthejnë dhe krahët! Në lojën e teatrit, teksa zbavitesh dhe zbavit, ti në të njëjtën kohë sheh një hapësirë të magjishme, ku mund të shfaqësh ide dhe duke u pjekur vetë, t’i shfaqësh më të pjekura edhe idetë. Në këtë lojë të pakrahasueshme, ty të jepet mundësia të jesh në mënyrë të përsosur dikush tjetër, të bëhesh përkohësisht ai që në të vërtetë në jetë nuk u bëre dot, t’i gëzosh si të realizuara ca ëndrra që në jetën reale nuk i gëzove dot. Ti aty je i bukur edhe të duan të gjitha vajzat, kur në të vërtetë, jashtë kësaj loje, në jetë, asnjëra nuk t’i hedh sytë! Ti në këtë lojë të magjishme, ke mundësi të tregosh karakter të papërkulur, kur për këtë në jetën e përditëshme paguan haraç të madh. Në këtë lojë fantastike, ke mundësi të bëhesh hero e të japësh jetën për ideale të larta, kur këtë gjë nuk e sheh për ditë, as nga të tjerët, pale nga vetja! Duke e bërë lojën magjike angazhimin tënd kryesor në jetë, ti nis të studjosh përvoja të tjera mjeshtrash të vdekur të pavdekshëm dhe të gjallë. Idetë avash-avash, bëhen më të rafinuara dhe në sheshin e lodrave të tua, arsenali bëhet gjithnjë e më i pasur. Ti shikon se ke futur aty filozofinë, bukurinë e situatës, transformimin e thellë kostumor dhe plastik, ke futur nëntekstin dhe nënkuptimin, alegorinë, metaforën, humorin.. Bri grepave të tu ke ushqim të bollshëm për të kuar imagjinatat e atyre që të sodisin. Dhe ata e kafshojnë grepin. Pastaj ti fut në lojë idetë e tërthorta, goditjet e fshehura dhe sheh se rreth e qark lëmit ku është ekspozuar ky arsenal, mblidhen më shumë e më shumë njerëz që emocionohen, qajnë dhe qeshin. Ti ndërton mure dhe njerëzit matanë arrijnë të zgjatin kokat përmbi ata mure, që të shohin. E kur muret i bën më të lartë, atyre që u pëlqen të të sodisin, vijnë nga porta e madhe duke paguar për të të parë, ty, mësuesin tënd, partnerin tënd, nxënësit e tu, lojtarët mjeshtra, djemtë dhe vajzat e bukura që teatrit i duhen sipas nevojës… Dhe kjo bëhet jetë, art biznes, luftë, ankth… Po gjithësesi, lojë madhështore ama! Më thuaj ti, Ylli, një lojë më të bukur!

Y.D. — Janë të vërteta gjithë sa thua ! Teatri është krijimi i një realiteti tjetër, i magjishëm, sepse ai krijohet nga ëndrrat tona, nga dëshirat tona. Po çfarë duhet që kjo magji të gjejë jehonë tek çdo individ ?

P.K. — Jehona vjen nga që artisti e di se çfarë e preokupon shoqërinë pra dhe individët e saj. Artisti e di që nga loja e teatrit, shoqërisë i vijnë pak zgjidhje, por së paku i përgatit ato. Artisti krijon mundësinë që të trajtohet ky preokupim, përgatit lojën që të mënçurojë, të qartësojë, të edukojë dhe të frymëzojë për të bërë përpjekjet për zgjidhje.

Y.D. — Është regjisori ai që e ndërton këtë lojë ?

P.K. — Kur përdora fjalën artist, këtu nuk kisha parasysh vetëm regjisorin, i cili është shumë i rëndësishëm dhe përgjithësisht, më i rëndësishmi. Me fjalën artist unë nënkuptoj atë që i afrohet më parë temës, thelbit, nga do të fillojë loja e magjishme. Është si të thuash gjeneratori i lojës magjike. Ky mund të jetë autori, mund të jetë, drejtori artistik, producenti dhe shumë rrallë aktori. Nga një herë këta të gjithë mund të jenë të bashkuar në një njeri të vetëm: ky shkruan pjesën, ky merr përsipër ta inskenojë, ky luan rolin bazë e zgjedh artistët e tjerë dhe nxjerr paratë për këtë ndërmarrje. Aktori vetë, mund nganjëherë, të bëhet inisiator i krijimit a përzgjedhjes së pjesës, i gjetjes së regjisorit të përshtatshëm dhe, për shkak të karizmës së tij, mund të tërheqë në lojë edhe fondet nga individë të pasur artdashës ose nga shteti vetë. Por kjo ndodh rrallë. Në shumicën dërmuese të herëve, në qendër të kësaj ndërmarrje është, siç the ti, regjisori, të cilit përgjithësisht ne i atribuojmë një mendim më të gjërë, ide më të zgjedhura dhe veti udhëheqëse më të spikatura.
Kaq sa thashë është rregulli dhe funksionimi i tij në shoqëri të hapur demokratike, ku idetë dhe shprehjet e tyre janë të lira. Por më së shumti, historia e teatrit është zhvilluar në shoqëri të mbyllura, nën robëri dhe diktatura, të cilat e kontrollojnë me një mijë sy se ç’gatuhet nëpër teatro dhe rrethet e artistëve të skenës. Për to, këto lloj çerdhesh janë të rrezikëshme dhe natyrisht, shoqëri të tilla, jo vetëm i pengojnë artistët të shfaqin idetë e tyre të vërteta, jo vetëm nuk japin për ndërmarrjet e tyre asnjë cent, por përdorin zjarr dhe hekur, që t’u mbyllin gojën dhe skenën, t’ua nxijnë jetën individëve që digjen nga padurimi t’i shfaqin ato në publik. Ato e dijnë që një vepër teatrale është mijëra herë më e rrezikëshme se një vepër letrare e rrezikëshme, një poemë apo roman. Duke lexuar një vepër letrare të tillë, lexuesi ofshan, emocionohet, qesh, qan e ndizet. Por kjo ndezje është e veçuar, individuale, rrëzë një sobe a një abazhuri. Përfytyro se si tingëllojnë këto ofshama bashkë, këto të qeshura, ky entuziazëm i mijëra gjokseve njëherësh, të bashkuara në një shesh qyteti apo në një sallë. Ne vijmë nga një shoqëri e tillë. Jemi thuajse akoma në një shoqëri të tillë! Lufta e artistëve tonë të shumtë e të shquar, të së kaluarës e të së tashmes, ishte e mjerë. Ajo nuk u zhvillua pothuajse fare. Të flasësh për teatrin shqiptar dhe problemet e tij, duhet të matesh mirë. Shumë veta e kanë kollaj t’i venë fshesën teatrit tonë të periudhës diktatoriale e të mohojnë kësisoj një histori të dhimbshme të tij. Duhet të matesh mirë që të analizosh drejt dhe pa pasione jo vetëm aktivitetin e tij të pakët të shquar, por edhe shtrembërimin e tij, degradimin dhe përdhunimin e tij. Duhet të peshosh drejt mëkatet dhe spekullimet me të, gjë që tani, tek ne, shumë individë janë të interesuar që ky kuvendim të mos zhvillohet.

Y.D. — Më kanë tërhequr gjithmonë albumet fotografike. Sa herë që vizitonim miq e të afërt do të zhytesha në albumet e tyre fotografike, e meqë isha i vogël m’a falnin këtë « sjellje të keqe ». Dhe këtu, me ty, do të doja që të shfletonim bashkë « albumin » tënd. Kur fillove studimet teatrale? Cilët qenë pedagogët e tu? Më trego pak për këtë periudhë?

P.K. — Unë iu afrova Shkollës së Lartë për Aktorë « Aleksandër Mojsiu », që në ditët e para të themelimit të saj, në vitin 1959. Ajo u hap pranë Teatrit Popullor dhe vetëm më vonë, në vitin 1967, u bë pjesë e Akademisë së Arteve. Iu nënshtrova konkursit i cili nxorri fitues elementë që pastaj u bënë studentë të shkëlqyer dhe artistë të mëdhenj, si Bexhet Nelku, Edi Luarasi, Mario Ashiku, Aishe Starri, Dhimitër Orgocka, Albert Verria e tje. Unë nuk isha i nivelit të tyre, por megjithatë e ndjeva një lloj interesi nga ana e komisionit që kryesohej nga themelusja e shkollës, pedagogja ruse Nina Çefranova. Por paja reaksionare politike, m’u bë pengesë. Siç dihej, gjyshi im ishte pushkatuar në ’45 dhe gjyshi tjetër me të tre djemtë, dajat e mij, ndodheshin të arratisur që më ’50. Pajë më e papërshtatëshme nuk bëhej! Në vitin pasardhës konkurova dhe munda të hyj.

Y.D. — Si u bë puna? Ç’ kishte ngjarë?

P.K. — Asgjë, asgjë nga ato që përmenda: gjyshi nga babai vazhdonte të ishte i pushkatuar, ai nga nëna me djemtë e tij vazhdonte të mbetej në arrati dhe dikatura nuk qe zbutur aspak. Por ndërkohë, në prill të ’60 unë, tek punoja në Uzinën « Enver » pata rast t’i pres rrugën e Enver Hoxhës vetë, t’i qaja hallin atij dhe t’i kërkoj të bëhej një lëshim për mua. Në sytë e dyqind e ca punëtorëve të uzinës, ai bëri gjestin mbretëror të lëshimit, pa qenë nevoja të pyeste Byronë dhe as duke e shitur këtë konçesion si vijë të mëtejshme partie. Natyrisht, nuk më dhanë bursë, por unë megjithatë i vazhdova studimet duke punuar punë të rëndomta natën e sidomos duke shfrytëzuar pushimet mes viteve shkollorë. Pas vitit të parë punova në hidroçentralin e Bistricës, pas vitit të dytë bëra zborrin studentor në Gërhot (Gjirokastër), por ama i shfrytëzova tërësisht pushimet pas vitit të tretë e të katërt në kantieret e « Rruga-Urës »
Albumi që ti, Ylli, ke qefin e « pasjellshëm », të hapësh, duhet të të duket interesant kur të vesh re që në fotografitë e bashkënxënsëve të mij të klasës do të gjesh, studentë e, më vonë, artistë të shquar, që përbënin ndoshta kursin më të talentuar që ka patur ndonjëherë kjo shkollë! Në bangat e klasës sime ti do të shohësh jo pak por një Robert Ndenikë, një Viktor Zhust, një Vladimir Prift!… Aty ishin Vera Zheji, Antoneta Papapavli, Bukuroshe Kokalari, Shpëtim Shëmili, Adem Gjyzeli, Ali Bega, Kadri Pirro, Tonin Ujka, Kristo Jorgji, Ibrahim Bërdaku, Sandër Pogaçe, Thoma Milaj, Vasil Kokoshari, Xhelal Bilali… Në album do të vesh re se mjeshtërinë e aktrimit dhe të regjisë na e jepnin pedagogët më të mirë të historisë së shkollës, vetë Çefranova, Spahivogli, Luarasi, Pano… Më pas, për shkak të prishjes së marrëdhënjeve me BS, pedagogja ruse u largua, por ata që mbetën ishin nga më karizmatikët, të angazhuar në praktikën teatrale duke dhene veprat e tyre kulmore. Në atë kohë Luarasi realizoi « Dhelprën dhe rrushtë » dhe « Një dashuri e tillë », Spahivogli « Shtëpinë në bulevard »… U vunë « Hamleti », « Gratë gazmore të Uindsorit », « Karnavalet e Korçës »… Regjisorët më të rinj, që më vonë u bënë pedagogë, si Oktrova dhe Mani, kishin mbaruar studimet dhe sillnin nga Korça e Shkodra vepra si « Hijet e natës » dhe « Pamje nga ura », « Histori Irkutase »… Ato vite, ne vërtiteshim në oborrin e Teatrit Popullor, uleshim pinim kafe, ndiznim cigaret e para, ose luanim si figurantë në shfaqje pranë kollosash, brezit të artë të aktorëve Kadri Roshi, Naim Frashëri, Mihal Popi, Prokop Mima, Loro Kovaçi, Sul Pitarka, Marie Logoreci, Margarita Xhepa, Tinka Kurti, Viktor Gjoka, … Album i pasur, po?

Y.D. — Tani që po bëhen kaq vite që ke mbaruar shkollën, që ke njohur emocionet e tmerrshme të konkurseve, me një eksperiencë të sukseshme prej disa dekadash si regjisor në teatër, çfarë këshillash mund t’i jepje një të riu apo të reje që ka dëshirë të bëhet aktor? Apo ti mendon, se këshillat nuk kanë asnjë vlerë?

P.K. — Natyrisht që kanë! Atëhere përse shërbejnë vitet, thinjat, trashëgimia?! Në ndryshim nga fushat e tjera të studimeve, fusha e aktrimit, apo në përgjithësi bota e spektaklit, karakterizohet nga ëndrra më të ndezura. Idhujt janë më publikë, përkëdhelja e ëndrrave nis më shpejt, « krehja e bishtit » i ka fillimet e menjëhershme dhe cipa e sedrës është më e ekspozuar ndaj ledhave dhe plagosjeve. Madje, paradoksalisht, studentët rrezikojnë ta ndjejnë veten artistë më të mëdhenj në vitin e parë, se sa në vitet e fundit. Më vonë ata bëhen të ndërgjegjshëm për malin e lartë, të cilit kanë marrë përsipër t’i ngjiten. Ata nuk kanë nevojë për këshillën time që të ëndërrojnë. Është i cungët ai fillestar që i ka hyrë një rruge e nuk synon që atje të bëhet më i zoti! Bëjnë mirë, pra, të ëndërrojnë, por ëndrra nuk duhet t’i tërheqë për gjumë. Pas kësaj ata do të venë re, se fusha që kanë zgjedhur, është ekzaktësisht si tërë fushat e tjera. Studim dhe stërvitje e paprerë. Shëtitje e paprerë dhe kullotje në tërë gjinitë e artit, në muzikë, letërsi, pikturë e tje. Është i nevojshëm « zgjerimi i kullotës », pra lypsen gjuhët e huaja, për të mos pritur planet e përkthimeve. E me që aktori për të ndërtuar « prodhimin » e tij, si lëndë të parë ka materialin e tij njerëzor, fizikun e vet, aparatin gojor, duhet t’i ushtrojë, t’i zotërojë ato e t’i përsosë. Në skedat e tij ai duhet të regjistrojë tërë rezultatet e vëzhgimeve, veçantitë fizike dhe karakteriale të njerëzve që has për ditë dhe të provojë të bëhet si ata, t’i imitojë. Se do t’i duhen, pa tjetër do t’i duhen! E sidomos, e sidomos: të përgatitet! Të përgatitet, se përkrah tij do të ketë shoqe e shokë që natyra u ka falur më shumë dhunti dhe ata vetë kanë punuar më shumë! Atyre do t’u vërsulen më shumë adhurues për autografë. I tillë është pazari! E tillë është xhungla!..

Y.D. — Përveç kontributit tënd si regjisor në historinë e teatrit shqiptar, ti ke kontribuar dhe me pjesëmarrjen tënde si dramaturg. Do të doja të dija mendimin tënd mbi dramaturgjinë shqiptare përgjatë diktaturës hoxhiane. Një tekst në sankritisht thotë, se një shfaqje e mirë duhet t’i jap përgjigje shqetësimeve të spektatorëve, të cilët janë të interesuar për ecurinë e punëve të tyre, për problemet e tyre familjare, për vrapin e universit, për natyrën e shpirtit. Por, që kjo shfaqje të jetë e përkryer, duhet gjithashtu që « të ngushëllojë dhe pijanecin që është futur aty rastësisht ». A e gjejmë këtë koncept në dramaturgjinë shqiptare?

P.K. — Bashkohem me mendimin e përgjithshëm, që në gjinitë thellësisht të politizuara të letërsisë dhe arteve shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit që lamë pas, dramaturgjia ze vendin e fundit. Dhe e ka ruajtur atë vend me thonj e me dhëmbë! Në artet e tjera megjithë represionin e tmerrshëm, u realizuan dhe vepra me vlerë, kurse në zhanrin, ku ti me të drejtë, më fut dhe mua, thatësira ishte pothuaj e plotë. Së pari, më duhet të bëj shfajësimin tim dhe të kolegëve të mij. Për shkaqe që shpjegova në pyetjen tuaj të parë mbi vlerat e veçanta të teatrit edhe kujdesi, syçeltësia e organeve të partisë ishte maksimale dhe censura ishte me tre turne në majë të karrakollit. Kërkohej qimja në vezë dhe ajo kërkohej përditë. Një spektakël nuk e kish jetën e sigurtë edhe pas miratimit të tij. Romanit dhe poemës i rrinin mbi kokë shumë më pak roje të partisë dhe këta roje, ishin relativisht më të kulturuar dhe më tolerantë. Ndërsa dramaturgjinë e skrutinonin, – ma fal fjalën e huaj! – me qindra e mijëra sy e veshë: jurira, komisionerë fshatarë, puntorë e ushtarakë injorantë, që lëshonin dyshime, të cilat tmerronin përgjegjësit kryesorë, personalitete të brishta, që duhet të jepnin lejëkalimin. Dramaturgjia pra ishte rezultat i praktikës së shëmtuar dhe jo praktika, pasojë e dramaturgjisë së shëmtuar! Dhe nuk është aspak e vërtetë, që vlerat profesionale të shkrimtarëve që u morën me dramaturgjinë ishin më të pakta. Me të u angazhuan pena të shquara: Agolli, Arapi, Laço, Jakova, Jero, Pulaha, Kraja, Prifti e të tjerë. Pastaj për shkak të urisë së madhe nga e cila vuanin afro 10 teatro profesionistë dhe si pasojë e përfytyrimeve sempliste që kishin të gjithë për lehtësinë e të shkruarit të një drame, bënë prurjet e tyre amatorë lloj-llojesh: veteranë, kuadro rinie, kufitarë e aktorë pa hesap. Këta ia ulën gradacionin rakisë deri aty, sa ajo nuk mund të quhej më e tillë. Ty të mbetej pra, ose largimi nga dramaturgjia, ose pajtimi me të për interesa të tjera që do t’i them më poshtë. Për vete, me që jemi në kuadrin e shfajësimit, kam diçka më shumë. Së pari, mua dramaturgji, preferoj të më konsiderohet dhe komeditë e shkurtëra dhe skeçi, me të cilët unë pata një varg suksesesh, që edhe sot më japin kënaqësi kur i shoh tek shfaqen. Disa prej tyre, nuk kanë pse skuqen para dramave dhe komedive të gjata që kam shkruar. Karakteret dhe problemet që mua më tërhiqnin, unë gjeja rast t’i ngjisja në skenë dhe me to. Mua më pëlqenin psh kooperativistët e mësuar si papagallë me frazat e përditëshme parafabrikate që lundronin në oportunizëm, (« Lipe Shtogu »), njerëzit që kishin bërë luftën, pomponin me kalimin e viteve kontributin e tyre në atë luftë dhe prisnin veç të mira paskëtaj, (« Çobo Rrapushi dhe triska e frontit »). Më tërhiqnin metaforat e peshkuara në humorin popullor. Unë edhe sot kënaqem kur shoh kanalet televizive të japin komedijzën time, me atë kuadrin e lartë nga qendra, i cili vjen e pyet pranë livadhit kooperativistët, në se u dalin të ardhurat nga kooperativa për të mbajtur familjen dhe a u pëlqejnë shefat që kanë mbi krye: tendenciozisht, fshatari nuk ka fare tekst, sepse sa merr frymë të përgjigjet, në vend të tij përgjigjen e jep kryetari i kooperativës, i cili thotë, se të ardhurat janë të shkëlqyera dhe kryesia është perfekte.

Pavarësisht telasheve të trajtimit tim politik në Fier, unë i jam thellësisht mirënjohës artistëve të jashtzakonshëm dhe publikut të atij qyteti, që dalëngadalë u bënë dëgjuesit dhe përkrahësit e mij më të zjarrtë dhe bënë të mundur në një mënyrë, që të rritej autoriteti im artistic. Ata u bënë nxitës të krijimtarisë dramaturgjike dhe sheshi më i frytshëm për të eksperimentuar. Aty unë eksperimentova heroin pozitiv të komedisë, (« Shoku Niqifor »), dramën dokumentare historike (« Dy krisma në Paris »), komedinë dramatike (« E bukur shtëpi e vjetër ») dhe paralelizmin e situatave groteske, kur ndërrohen epokat, (« Sa shumë gjethe të thata atë vjeshtë »). Shkrova dhe një sërë miniaturash të tjera të guximshme, po i bëra jo pa u fshehur prapa parzëmoreve të Dritëroit, spuntove të Kallamatës, Buxhelit dhe Musarajt. Jo, jo aqe trim nuk isha dhe sinqerisht nuk turpërohem për këtë. Krahas rritjes së autoritetit artistik, mua dhe artistëve të mij të pakrahasueshëm, na u lejua të shfaqnim ide, që në fillimet e mia, nuk do guxoja kurrë. A mund ta konkretizoj?

Y.D. — Pa tjetër! Dhe do të kisha kënaqësi, ta bëje.

P.K. — Për shëmbull: Ne realizuam një komedi të shkurtër të titulluar « Farat e Shalqinit » Subjekti, shkurt: Një parcelë kish një lloj fare shalqini, që jepte prodhim të jashtëzakonshëm. Për të ruajtur farën e plotë, që vitin tjetër ta zgjeronin sipërfaqen e prodhimit edhe në shumë hektarë të tjerë, u vendos që shalqinjtë të ndaheshin nëpër antarët e atyshëm të kooperativës. Ata nuk do të paguanin për shalqinjtë që do merrnin, por si detyrim, thjesht, do t’i kthenin kooperativës farat. Por, belaja, qe se nuk kish aq shumë shalqinj sa t’i kënaqnin tërë familjet dhe u detyruan të futnin kriterin klasor, siç e futnin për frigot dhe televizorët. Dmth: shalqi do të merrnin vetëm familjet që garantonin besim, ato familje që gjatë luftës kishin mbajtur qëndrim të mirë, e tjera.. Familjeve të mbetura, për t’u mbyllur gojën, do t’u jepnin pjepër. U krijuan në fshat pra « familjet e pjeprit » dhe « familjet e shalqinit » Këtu dhe qëndronte thelbi i konfliktit të komedisë. Me që biseda hyri në këtë hulli, lejomë Ylli, të zgjatem edhe ca megjithë zgjatjen e tmerrëshme që kam deri tani dhe lejomë të rikujtoj sa të mundem dialogun, teksa Kryetari, (që zakonisht caktohej nga qendra dhe nuk ishte domosdo nga ai fshat), hartonte tok me Brigadierin listën e familjeve që do t’u besohej shalqini i fares. Ishte një dialog, që në sallë përcillej me ovacione në çdo batutë:

Brigadieri: Jo, or shoku kryetar, jo! Le të ankohen! E po familjes së Lame Resulit, unë nuk i jap shalqi! Ti, o kryetar, je i ri këtu e nuk e njeh. Këtij Lame Resulit që thua ti, më ’46 i shkau këmba e shkeli një nen të kodit penal. Tetë vjet brënda!… Bëri tetë vjetët e doli nga burgu. Shtëpia i kish qëlluar bri shtallave të kooperativës. U them shokëve: « Priteni tani Lamen, kur të na bëjë ndonjë proçkë! Priteni këtë armik kur të na verë ndonjë zjarr-a, a të na bëjë ndonjë helmim bagëtish… Priteni! Ja kur ta bëjë! »… Pritëm 10 vjet!
Kryetari: E bëri?
Brigadieri: Jo! E as jepte shënja hiç për asi punësh!
Kryetari: Shiko, shiko! Armik i rafinuar! Skile! E ç’bënte?
Brigadieri: Asgjë. Ulte kokën e punonte.
Kryetari: Punonte qerratai, ëh?! E si punonte?
Brigadieri: (me keqardhje). Shumë mirë! E hiqte brazdën, sikur t’i kishe vënë spangon!… E pritëm sabotimin e tij edhe dhjetë vjete të tjera…
Kryetari: (i sigurtë tani). E zutë!
Brigadieri: Jo, or jo! Ç’të zije! Ai vetëm punonte, si gjithnjë!
Kryetari: (i llahtarisur). Nëne, nëne, me ç’armiq kemi të bëjmë! Po kur ju a bëri sabotimin?
Brigadieri: Asnjëherë! Vdiq!
Kryetari: (i hutuar). Vdiq?!
Brigadieri: Vdiq, qeni, pa sabotuar as edhe një herë!
Kryetari: (i merret fryma nga befasia dhe tërbimi). I poshtri!… Nëne, nëne, nëne! Këtij i them armik unë! Ku ta zesh këtë, more vëlla?! S’të vjedh, s’të djeg, s’të helmon! Punon mirë.. Papapa, sa të rrezikshëm që janë! (Befas). Po tani, bijtë e tij, bijat…?
Brigadieri: (raporton me zemër të plasur). Për bukuri edhe ata! Punojnë kokëunjur e nuk ndihen hiç.
Kryetari: (brof i skandalizuar dhe përplas shalqinin që ka në dorë). Ohuuu! Po pse nuk thua ti, që këta dashkan 500 vjet që ta shfaqin fytyrën e vërtetë!

Nuk besoj se do ta kisha shprehur më mirë se në Fier, dufin, që kisha për gjithë trajtimin tim politik dhe të gjithë shtresës sime. Komedia kishte shumë sukses, salla mbushej plot. Ata të komitetit të partisë rrinin si më gjemba. Ata mund ta ndalnin, por kishin frikë se ne shpesh na vinin lavdërime nga qendra, ku Hoxha pat vdekur, prandaj i linin aktorët të ishin në qiellin e shtatë dhe komedijzën të shfaqej. E për të mos e pikturuar Fierin, si një ishull të demokracisë qiellore, duhet të pranoj, se nuk na e lejuan ta filmonim në TV.
Veç dramave të mësipërme, kam shkruar edhe nja dy drama të tjera të cilat nuk janë ekranizuar, pasi njëra ishte shkruar nën ndikimin e dramave lirike të Arbuzovit, që kur isha 24 vjeç dhe tjetra u realizua vetëm nga grupet amatore dhe kishte skematizëm me bollëk. Për shkak të prejardhjes politike që përmenda, mua, – jo të gjitha të këqiat të bëjnë keq, – asnjëherë nuk m’u kërkuan drama të tipit « Komunistët », « Furrnalta » a « Zonja nga qyteti », siç iu kërkuan Pulahës psh, të cilat dëmtuan krijimtarinë e një shkrimtari të talentuar si ai. « Zonja nga qyteti » psh., mund të mbahet mend për rolet e goditur të Dhorkës, Violetës dhe Stavrit, por ishte e mbështetur mbi një frazë të Hoxhës, (« Po të isha 20 vjeç, unë do shkonja të jetonja e punonja në fshat ») dhe komedia pikturonte një realitet të shtirur dhe gënjeshtar. Pas kësaj Ruzhdiu u kthye në dramaturg sipas porosive dhe atëhere me të nuk matej dot njeri në konkurse e festivale. Në kaqe vjet, pas përmbysjes së diktaturës, unë kam pritur prej tij një refleksion në shtyp, por ai nuk e bëri kurrë. Të tilla rrëfime janë pritur dhe nga kritikë dhe estetë, të cilët e shtynë edhe më tej kërkimin e skematizmit në dramaturgji. Kështuqë, siç e theksonja në një artikull para ca muajsh, kemi dramaturgë dhe doktora të dramaturgjisë me veprat që u a kanë dhënë këta tituj, por veprat tani ndodhen të futura shtatë pashë nën dhe!

Megjithatë nëpër morinë e dramave që u shkruan, për hir të vendit të fundit që i caktuam dramaturgjisë, nuk duhet të harrojmë se u shkruan vepra që patën vlera dhe jehona, si « Balladë për një grua » dhe « Fytyra e dytë » të Agollit, « Mësuesi i letërsisë », i vetë Pulahës, « Halili dhe Hajria » e Jakovës, « Gjaku i Arbërit » i Krajës, « Njollat e murrme » të Jeros, « Prefekti » i Levonjës, « Gjëmimi i atij dimri » e Laços, « Drama e një partizani pa emër » e Arapit e ndonjë tjetër, kryesisht mbi tema historike, që e siguronin më kollaj mbijetesën e veprës. Pyetja jote ishte mbi dramaturgjinë deri në vitet ’90 dhe unë fola vetëm për të… Moria e dramave që flaka poshtë, në e kënaqte pijanecin, që përmendet në sanskritisht, nuk e di, por e dij mire që nuk kënaqte ata që ishin esull!…Eh, i dashur Ylli, pas kësaj, nuk e mora vesh se cila ish më e gjatë, pyetja jote apo përgjigja ime?

Y.D. — Më kujtohet, që në atë kohë teatri i Fierit, si dhe teatri i estradës i po këtij qyteti, konsideroheshin si trupat më të sukseshme. Sot, si e shpjegon ti këtë sukses. Çfarë gjete ti mes aktorëve të këtij teatri, dhe çfarë gjetën ata tek ti?

P.K. — Kur u themelua teatri i Fierit, unë po vuaja, në mënyrë të pashpjegueshme, një dënim pesëvjeçar, që filloi nga nxjerrja e gurëve në gurroren e Shashicës e mbaroi me riparimet e balestrave, poshtë kamionave të vjetër të erës staliniane në Parkun e NSHN Vlorë. Miku im Leka Bungo qe thirrur nga Vlora në krye të Teatrit të Fierit, bëri ç’ishte e mundur që unë të largohesha nga puna në prodhim, ku më kishin shpënë pas një stazhi dy vjeçar në Teatrin dhe Estradën e Vlorës. Sugjerimet e Lekës i dëgjoi me vëmendje Ismet Cibaj, që si Sekretar në Komitetin e Partisë, mbulonte në Fier kulturën dhe artin. Veç Ismetit i duhej edhe dashamirësia nga Vlora, që ata të më lëshonin. E kjo u gjend tek nënkryetari i Ekzekutivit të Vlorës, Axhem Gjoni e tek Drejtori i NShN-së Qeverim Kushta, babai i futbollistit të njohur. I gjori Lekë, ia dolli në krye me përpjekjet e tij, të më shpëtonte nga puna e rëndomtë fizike, por ndërkohë filloi fshesa e hekurt për kuadrot me ndikime të huaja dhe ishte rradha e tij të më zinte vendin në punët fizike « në gjirin e klasës ». Në Estradën e Fierit unë gjeta një trupë me artistë të mirë me në krye aktorët mbresëlënës Luftar Paja dhe Fuat Boçi, të cilëve iu bashkua dhe ime shoqe Xhuljeta dhe sidomos gjeta një publik artdashës, ku për shkak të përqëndrimeve të kuadrove të naftës, niveli i pergjithshem ish ngritur dhe bëhej një jetë kulturore mjaft e fisme. Më pas, për ne atje, fati e vërtiti mbarë dhe aty qarkulluan Teodor Laçon dhe Pipi Mitrojorgjin, i cili në postin e zënë më parë nga Cibaj, u bë një mbështetje e rëndësishme për të gjithë teatrin e sidomos për mua, që kisha nevojë më shumë. Në këtë periudhë u bënë dhe hopet në trupat profesioniste. Unë vija nga prodhimi me repertor të freskët, të punuar netë me rradhë në kokë gjatë vetmisë sime. Natyra e aktorëve që gjeta dhe atyre që afrova më pas, ishte e përshtatëshme. Parë tani nga largësia e viteve, mendoj se suksesi ynë ishte graviteti i temave që sillnim në sofrën e repertorit, si në teatër ashtu edhe në estradë. Ambicjet e artistëve të talentuar për të bërë një emër të mirë u bashkuan me të mijat dhe me kalimin e vështirësive, në përplasjet me memurët e « qentë-roje » të vijës së partisë, autoriteti im u rrit dhe ma bëri punën më të lehtë. Përveç se shkruanim vetë, Laçoja dhe unë, e drejtuam vëmendjen nga shkrimtarët e afirmuar. Me trupën e teatrit unë realizova një antologji me humorin e D. Agollit e cila pas shfaqjes në TV na solli përgëzimet e Enver Hoxhës. Më pas menjëherë realizova një të re me humorin e Musarajt që gjeti pëlqimin dhe lavdet e Mehmet Shehut, i cili pat ardhur të shihte tok me të shoqen premierën tonë. Kushdo në Francë dhe ShBA, do të qeshte me këto hollësira, por jo ne. E kur nuk qeshet, kuptohet se ç’hapësirë u krijua më pas për mua.

Y.D. — Aktualisht teatri i Fierit, ashtu si dhe shumica e teatrove të tjerë, ndodhen në një gjendje të mjeruar, në të gjitha drejtimet. A mendon se një ndër shkaqet kryesore të kësaj gjendje të teatrit të Fierit ishte largimi yt? Apo…

P.K. — Njeriut, – edhe pse ligësisht, – i përkëdhelet sedra kur ia lidhin lulëzimin dhe rënien me praninë apo largimin e tij. Por, kjo nuk është aspak e vërtetë! Shkaqet janë më të thellë edhe më të përgjithshëm. Dhe janë shpjegim kyç për krizën edhe në teatro të tjerë të periferisë.

Y.D. — A mendon se do të kthehesh një ditë atje? Apo tani është tepër vonë?

P.K. — Në Fier? Shumë burra të mençëm thonë: asnjëherë mos u kthe atje ku të mbajnë mend për mirë! Po të jetë më e përgjithshme pyetja jote, atëhere do të të tregoj se në tetor 2002 u ktheva, me mendjen e shumicës, së cilës punët në emigracion nuk i shkojnë mirë. Ata ruajnë një faqe të lumtur dhe nuk i thonë kurrë hapur planet e vërteta. Dhashë një intervistë, në të cilën paralajmëroja, se kisha ndërmend të kthehem, pasi emri im kish një farë vlere relative vetëm në vendin që kisha lënë. Dhashë të nënkuptohet bile dhe të mbikuptohet, se do të vlerësoja ofertat që do të më siguronin atë me çfarë do të jetoja. Asnjë ofertë! M’u duk sikur aty nuk kish se kush të ofronte. Aty nuk kishin nevojë për mua. Por kjo nuk ishte përshtypja më dramatike. Më dramatikja ish se aty politikanët bëjnë deklarata keqardhje, për njerëzit që largohen, por një skalion i fshehur i tyre dhe nën urdhërat e tyre, punon ditë e natë që Shqipëria të boshatiset. Le të qërrohen e t’ia mbathin tërë këta kontigjente të mundëshme protestuesish! Nga sytë këmbët vafshin ata që mund të hapin telashe sado të vogla qofshin! Klasa e mbipasuruar politike nuk e ka fare problem, se nga vendi largohen mjekë të talentuar: masat mund të kurohen dhe dosido, kurse dollarëve të Zotave shqiptarë u hapet dera e çdo klinike sado e shtrenjtë në Perëndim! Le të ikin arkitektët, mësuesit, inxhinjerët, shkencëtarët, artistët. Cdo gjë mund të tiganiset fare mirë me ata që mbeten dhe nga ata që kanë mbetur, të mirë gjenden plot. Të rrinin dhe ata që ikin, do të ishte akoma më mirë për Shqipërinë. Por e mira e Shqipërisë, nuk është preokupacioni, nuk është objektivi i klasës së politikanëve në krye të saj.
Këto ditë, në fund të rubrikave të lajmeve, lexonja një lajm tronditës, i cili megjithatë ishte vënë në një nga faqet më të parëndësishme të kronikave: në disa qytete, para zyrave pushtetore kish shumë protestues që kërkonin dokumenta, letra njoftimi e pashaporta me emrat e rremë që kanë mbajtur ata për nevojë në Greqi. Të tërë e shohin seriozisht hallin e tyre. Të mërguarit në Greqi, në një mënyrë a në një tjetër do t’i marrin ato dokumenta, me emra të tjerë, me fe tjetër e kombësi tjetër, ashtu siç i nevojiten Greqisë dhe askush nuk ve kujen. Në fund të fundit i vetmi front i gjërë pune, e vetmja industri që kanë hapur zhvilluar e lulëzuar qeveritë shqiptare, është industria e emigracionit. Pjesa më e madhe e oksigjenit që i vjen mushkërive të vendit, fryn që andej. Tentova përsëri më pas… Mendova se tani në moshën e pensionit, mund të kthehesha, bile në fshat. Shtëpinë ku kam lindur, zyrtarisht e kam të rikthyer, por ajo është e zënë, e okupuar dhe një ushtri e tërë ushunjëzash, juristësh, e teknikësh e zvarritin nëpër gjyqe. Thithlopat gjykatës dhe avokatë një herë ma japin mua, njëherë zaptuesit, pastaj çështja kalon në apel dhe apeli ia kthen për gjykim përsëri shkallës së parë. Ajo ma jep tani mua dhe zaptuesi e kundërshton në apel… Dhe ju e kuptoni më tej historinë…

Pensioni im është 100 dollarë, me të cilat unë mund të jetoj në atdhe vetëm 3 ditë.
Duke qënë se për mua, Ministria e Kulturës organizoi bukur dhe me mjaft reklamë një koncert festiv e mirënjohës, kur kisha 60 vjetorin, – gjë për të cilën Ministria e Kulturës dhe kolegët artistë kanë marrë falenderimet e mia të sinqerta, – një specialist i pensioneve më sugjeroi të kërkoja pensionin e veçantë, atë shtesë që u jepet disa njerëzve që kanë punuar gjatë e me merita në fushat e tyre. Procedura qe thjeshtuar mjaft. Kërkesa bëhej nga vetë personi, Kryetarit të Bashkisë. E paraqita në Fier. Zotit Kryetar i vjen zor të thotë jo dhe nuk e merr në shqyrtim fare. Kjo mund t’i paraqitej direkt dhe Kryeministrit. U ula të pija një kafe me Këshilltarin e z. Nano, i njohuri im i vjetër në fushën e letërsisë dhe në shtypin pasdiktatorial, Agim Isakun. Ai ma quajti të arsyeshme dhe plotësisht të realizueshme kërkesën dhe kërkoi ta formuloja e t’ia jepnja në dorë vetë Agimit, që ta përcillte. Njëqind arsye burokratike e bënë zotin Isaku, të mos takohej më me mua dhe në ditën e rikthimit në Neë York, e njoftova se kërkesën ia lashë në një zyrë afër tij. Të them të drejtën, mendoja se zoti Nano kish njëmijë arsye ta hidhte poshtë, daç nga që do gjykonte se nuk e meritoja, daç nga ndonjë mllef kundër ndonjë shkrimit tim… Më mbante shpresa se, së pari nuk ka shkrim edhe më të thekur se ata të mijtë, që ta trondisë njeriun që ka tani në dorë fatet e vendit… E dyta, që zoti Nano, as mund të ketë begenisur t’i lexojë ata shkrime dhe hëpërhë kjo do të më vinte për mbarë. E treta, mund të kish ndodhur, që t’i kish lexuar dhe besnik natyrës së tij, mund të qëllonte në hënë të mbarë dhe të ma flakte pensionin e veçantë turinjve! Por, që kjo punë të mos bëhej, para Kryeministrit, ishin kujdesur këshilltarët e tij, të cilët i kishin frikëra, ato që unë i kisha shpresa. Si përfundim, unë telefonova tek ata miqtë që kanë 4 muaj që mbajnë kërkesën time për t’ia dorëzuar Isakut dhe u thashë ta grisin atë. E ata nuk e patën zor ta kryenin këtë detyrë. Unë pastaj i dërgova poetit, shkrimtarit dhe këshilltarit Agim Isaku që nga New York-u një letër të shkurtër me një frazë të vetme: « Iiiii, sa turp! » Kështu që, i dashur Ylli, ti duhet ta formuloje ndryshe pyetjen: kur ke ndërmend të shkosh të vdesësh urie në atdhe?

Dhe them se folëm mjaft për dramaturgjinë kombëtare. A kalojmë tek komedia? Si mendon ti, përse e duan aqe shumë komedinë, shqiptarët?

Y.D. — Sepse humori ka qenë dhe është për ato një lloj « emergency exit  » Kjo dalje që jo rrallë herë i ka shpëtuar nga situatat absurde ku kanë qenë të detyruar të jetojnë. Aktualisht, kur situatat dhe personazhet nuk mungojnë, (mjafton që t’i hedhesh një sy gazetave), ç’bëhet me komedinë shqiptare?

P.K. — Mendoj se ajo ka kohën më të mire për të lulëzuar. Në truallin arbëror gjendet sot plot lëndë për komedinë e situatave dhe të karaktereve. Situatat të vijnë tek porta porsa gati gjysma e shqiptarëve përdor për nevoja emra të rremë, datlindje e vendlindje, që s’janë të vërteta, figurojnë të martuar pa qenë hiç ashtu dhe paraqesin diploma universiteti, kur edhe të mesmen e kanë lënë përgjysëm. Portretet e politikanëve tanë janë fantastikë: për mashtrimin, spekullimet megallomaninë, dyfytyrësinë, populizmin falls, për kërcimet nga një parti në tjetrën, nga një aleancë në tjetrën dhe për deklaratat e kundërta me ato të shprehura një vit më parë. Më treguan që një nga politikanët tanë kryesorë, kish vajtur në festën e ditlindjes së nipit dhe paskësh thënë: « Urime, tani demokracisë shqiptare iu shtua dhe një votues! » E para gjë që i kish vajtur në mend për nipin 18 vjeçar! Gjithë sa thashë për bukën e komedisë është mjell i cilësisë së parë. Aq më tepër që komedia është zhanri më i dashur, jo se spektatori e preferon atë më shumë, jo se shqiptarët duan më shumë të qeshin, jo se ata janë mëndjelehtë. Por sepse janë më të pakënaqurit, më të mashtruarit dhe komedia i ndihmon të hakmerren në një farë mënyre. Ju shikoni se sa efekt kanë disa rubrika satirike nëpër kanalet kryesore televizive! Dhe nuk duhet mohuar aspak që satira e ka rrugën më të lehtë tani në periudhën pasdiktatoriale. Realiteti shqiptar, këtej e 50-60 vjet, ofron më shumë qesharakëri se heroizëm dhe idealizëm. Mashtrimi është lëndë e ditës dhe ky mashtrim është kaq i trashë sa i fyen njerëzit. Spekullimi me premtime madhore, me nderimet e të vrarëve të shumtë që s’u gjendet dora e vrasësve, spekullimi me çështjen kombëtare, me demokracinë e të tjera, ka lulëzim të plotë. Shqipëria sot është vendi më ideal për të jetuar, po të mos kesh para që bien në sy. Është vendi më i përshtatshëm, po të mos kesh asgjë për të kërkuar e sidomos po të mos kesh ankesa.
Unë e dij që këto kohë janë shkruar disa komedi të cilat nuk i kam parë. Për sa më takon mua, unë i kam disa projekte dhe dy prej tyre shpresoj t’i realizoj këtë vit.

Y.D. — Nëse dikush të pyeste se ç’është arti i regjisurës, çfarë do t’i përgjigjeshe?

P.K. — Arti i regjisurës është mjeti themelor me anë të të cilit figurshmëria, emocionet dhe idetë e pjesëve theatrore, spektakleve dhe produkteve kinematografike, përcillen tek spektatori. Regjisori është, siç thashë, artisti bazë, është ai që merr përsipër peshën më të rëndë në ndërmarjen e përgatitjes së veprës. Është ai që ideon, harmonizon dhe drejton bashkëpunimin e shumë artistëve të tjerë, që i duhen atij për të realizuar veprën e për ta shpënë atë të trokasë në vetdijen e spektatorit. Ai është nyja lidhëse, ku vijnë e bashkohen të gjitha prurjet e shkrimtarit, arqitektit, aktorëve, kompozitorit, ideatorit të kostumeve, makiazhorit. Ndodh që shumë nga këta bashkëpuntorë as e njohin njëri tjetrin, edhe pse punojnë për të njëjtën vepër. Regjisori futet, sipas fazës, në marrëdhënie me ta, i frymëzon, u shfaq përfytyrimet e veta dhe kërkesat që ka për sejcilin nga gjinitë. Në këtë drejtim regjisori është artisti më i shumanshëm, që përmbledh në vetvete të gjithë këto gjini bashkëpunuese arti. Ai është në të njëjtën kohë familjar me artin e dramaturgjisë, me atë të pikturës, kostumografisë, muzikës, baletit, me artin e aktorit dhe të makiazhorit. Ai njeh dhe podiumet litarët, pneumatikën, me nje fjalë teknikën e skenës dhe mundësitë që ofron ajo. Njeh teknikën e ndriçimit dhe të efekteve zanore. Nuk ndodh që të jetë i shquar në tërë këta komponentë. Në disa prej tyre mund të jetë më profesionist dhe në disa të tjerë më pak. Për vete psh e ndjej që punoj më mirë me stofin letrar dhe me figurën aktoriale. Jam më pak frymëzues për ata që më përgatitin dekorin dhe prurjet koreografike. Pasi bëj të ditur nevojat funksionale, ngazëllej mjaft në këto prurje, kur ato janë të goditura, por më shumë miratoj se udheheq. Pra perfundimisht, regjisori është artisti më i lidhur me publikun, paçka se kjo lidhje nuk është kollaj e kapshme. Dhe, – thjesht është për të qeshur dhe jo ndonjë fatkeqësi e madhe, – ndodh që masa e gjërë e publikut, nuk e sheh, nuk e njeh dhe nuk merret me vlerësimin e regjisë.

Y.D. — Ti, si e përcakton veten; më shumë autor apo regjisor?

P.K. — Le ta quajmë « një regjisor që bashkpunon shkëlqyeshëm më autorin, nga që është i njëjti njeri »!.. Por që t’i përgjigjem seriozisht pyetjes, do më duhet të them se unë nuk e di ku fillon tek unë regjisori dhe ku mbaron autori. Shumë kolegë regjisorë, mua nuk më quajnë regjisor të plotë dhe kanë të drejtë se unë kam të meta plot. Ata më quajnë ama, autor të zotin. Shumë kolegë dramaturgë, më ngrejnë në qiell si regjisor dhe më rradhisin boll të meta si autor. Dhe kanë të drejtë se dhe unë vetë i njoh e dua të eliminoj disa prej atyre të metave. Por që të dy palët në tërësi gabohen. Unë jam i ngatërruar dhe, me sa duket, do të shtyhem kështu derisa të vdes, pa hyrë me të dyja këmbët në njërën nga shoqatat.

Y.D. — Fole për të meta që dhe ti i pranon se i ke… A mund t’i dijmë?

P.K. — Jooo! Në asnjë mënyrë!

Y.D. — Nuk do që t’i zbulosh?

P.K. — Ato të zbuluara janë. I ka thënë kritika. I thonë miqte. Unë nuk kam qef t’i hymë atyre, se biseda m’u duk disi festive dhe tani, befas…

Y.D. — Jam kurioz të di, cilët elementë të spektaklit shfaqen në fillim në përfytyrimin tënd? Dhe kur, tek ty, shfaqja fillon të marrë jetë?

P.K. — Varet nga lloji i shfaqjes. Në fillim mund të të vërtitet në qiejt e trurit, heroi kryesor, skena kulmore, skena më e rëndësishme masive ku konsumohet konflikti bazë… Nuk gjendet as një rregull themelor dhe asnjë udhëzim i përgjithshëm. Mua, që shpesh më takon të shkruaj pjesën, më takon ta shoh me sytë e mëndjes duke u zhvilluar dhe kjo udhëheq dhe fjalët e replikat e personazheve. Pra unë bëj një përshkrim të përbashkët viziv dhe auditiv. Duke e konkretizuar, mund të them se në vënien e « Dy krismave në Paris », u dashurova me shpalosjen vizive të dokumenteve të njohur fotografikë, jurinë gjyqësore, togat e gjykatësve, sallonet e Parisit, Tiranën e vjetër, të cilat nxitoja t’i shfaq më parë në një ekran paralel dhe i konkretizoja pas hapjes së perdes. Pra i riprodhoja ato. Më dukej se sa më shumë që spektakli dhe drama të kishin karakter dokumentar, aq më të mëdha do të ishin emocionet. Dhe nuk u gabova. Nuk kam shifra krahasuese për spektaklet e Teatrit Kombëtar, por në një vend si Fieri, mbetet rekord një dekor i palëvizur për 54 netë shfaqjesh njëra pas tjetrës. Dhe mendoj se trajtimi i dramës duke i ndenjur besnik dokumentit, dha rezultate fantastike. Unë nuk do të harroj kurrë planifikimin e biletave për « Dy krismat », dy-tri javë përpara, nuk do të harroj kurrë spektatorët e shumtë që na vinin nga Vlora dhe ktheheshin në shtëpitë e tyre me trenin e fundit pas mesit të natës. Nuk do të harroj ata dy spektatorët që mbërritën pasi qe mbyllur dera e qe hapur perdja e ata, përtej xhamave të portës kryesore, më tregonin letërnjoftimet që vërtetonin se ishin libohovitë dhe kishin ardhur posaçërisht pa pyetur më parë në se do të gjenin bileta, apo jo! Fokusimi im që kur konceptohej spektakli, kishte qënë pra rezultativ. Në dramën « Baladë për një grua » të Dritëroit që në fillimet e saj unë shihja skenën finale, ku personazhja kryesore e konfliktuar dhe e divorcuar me burrin e saj, e mbron po këtë ish bashkëshort, fisnikërisht! Kjo skenë vëritej në vëmendjen time dhe kjo më shtyu që edhe skenat e konflikteve me të shoqin më parë se skena finale, të ishin të ashpra, të ftohta dhe të egra. Të tëra në dobi të skenës finale! E kjo bëhej për një vepër që pat meritën të shtronte atëhere temën e fisnikërisë shpirtërore, përmbi imponimet ideologjike në marrëdhëniet e shqiptarëve gjatë sundimit të egër enverian.

Y.D. — Si punon me aktorët? Çfarë kërkon në fillim prej tyre?

P.K. — Unë u kërkoj atyre që të dashurohen me idetë dhe me projektin tim.Sapo arrihet kjo, atëhere bazat e bashkëpunimit janë siguruar. Unë e ndjej që aktori ka nevojë të ushqehet, të frymëzohet dhe ta ndjejë ngrohtësinë time. Atij(asaj), i bëhet e qartë se fatet tona janë të lidhura pazgjidhshmërisht, se suksesi im është përqendruar tek suksesi i tij(saj). Konfliktet me aktorin duhen përjashtuar dhe ata e shumta mund të shtrihen në fushën e disiplinës formale. Unë e ndihmoj atë që të ndërtojë platformën e interpretimit: zhvillimin e interpretimit dhe pikën kulmore të shpërfaqjes së rolit, e cila pikë kulmore nuk është detyrimisht në pikën kulmore të shfaqjes, që është parashikuar në platformën regjisoriale. Aktorët janë mjaft të ndjeshëm. Në më të shumtën e rasteve shpjegimet dhe vërrejtjet për ta duhet të bëhen larg e veçmas të tjerëve. Përmirësimet duhen të shihen vetëm si rezultat i punës së aktorit dhe jo meritë e punës së regjisorit me të. Përpiqem të mostroj sa më pak dhe e bëj këtë vetëm kur e ndjej pazotësinë e shpjegimeve të mija.
Këto përgjigje e shpjegime i bëj unë… Por po të pyeteshin aktorët, unë shpresoj se ata do të thonë se këto janë të vërteta, se kjo ka qënë saktësisht praktika dhe jo një teori e pazbatuar. Regjisori duhet të vdesë prapa aktorit dhe dora e tij nuk duhet të shihet as në prova as në shfaqje. Në fund të fundit aktori është maja e mprehtë e diamantit që shpon dhe prek zemrat. Këtë rradhë unë jam plotësisht me masën e madhe të publikut që nuk e njeh regjinë. Le të duartrokasë aktorin dhe le të vrapojë tek ai, të fotografohet me të apo t’i marrë autografin. Nga duart e aktorëve vijnë gurët në ngrehinën e personalitetit të regjisorit.

Y.D. — Ç’është për ty një aktor i mirë?

P.K. — Aktor i mirë është ai që beson tek ty, që nuk përton të të vijë pas në kërkesat e tua, që të bezdis vazhdimisht duke kërkuar, që vuan dhe drithëron tok me ty. Unë këtu nuk po flas për aktorë idealë, po për aktorë që gjenden në orbitën tënde. Ai është i mirë, për deri sa puna e ka sjellë në orbitën tënde, përderisa ti i ke besuar rolin. Ai praktikisht është i mirë që në nisje. Unë më shumë flas për bashkëpunimin, se sa për aktorin në përgjithësi. Një tip i tillë aktori psh. për mua ka qenë Fatos Sela, shëmbëlltyrë e përkushtimit, e kokëunjësisë megjithë bagazhin e pasur që zotëron nga natyra dhe puna e palodhur e tij. Në estradën e Fierit përqindja e aktorëve të mirë ishte më e madhe, por përfaqësimi im më i shquar, pa dyshim është bërë me talentin e Luftar Pajës, për të cilin besoj se së shpejti do të flas gjatë. Bashkëpunimi me të ishte shumë i veçantë nga pikpamja e përjetimeve të përbashëkëta, por sidoqoftë qe një bashkëpunim i përsosur dhe frutdhënës. Unë Luftarin e shihja në rol që sapo vija para vetes një fletë të bardhë dhe hapja kapakun e stilografit. Dhe ai e dinte këtë. Unë atij i detyrohem shumë në karrierën time regisoriale dhe në atë emër të mirë që thuhet se kam bërë në fushën e humorit dhe satirës.

Y.D. — Gjatë provave e deri në natën e premierës, cili është shqetësimi yt më i madh?

P.K. — Janë të shumtë dhe të ndryshëm. Fatkeqësisht shqetësimet më të mëdha, që kam patur unë deri tani, kanë qenë shpesh edhe më banalët.

Y.D. — Ç’ është për ty një shfaqje e realizuar?

P.K. — Shfaqja që i ka të gjithë komponentët, – pjesën, aktorët, dekorin dhe aksesorët ndihmës, – në lartësitë e tyre më të mira dhe që zgjon interesin e të gjithë shtresave. Një shfaqje me publicitet dhe me plot kritika të favorshme, apo edhe një shfaqje që ndiqet shumë nga spektatorët mund të mos jenë nga ato që quhen të realizuara.

Y.D. — Brehti thoshte se duhet të « futbollizojmë » teatri. Si regjisor dhe amator i futbollit, si e kupton ti këtë shprehje të Brehtit?

P.K. — Dëshirë e bukur por pothuaj e parealizueshme. Futbolli është diçka tjetër. Në të disa here gjen elementë dramatikë, kurse teatri ka pak nga tiparet e shfaqjeve futbollistike. Dramaturgu i shquar e shihte me zili dyndjen popullore në stadiume. Në teatro këto vërshime nuk janë as të realizueshme dhe as me vënd. Vetë Brehti dhe dramaturgjia e tij e shquar, ishin larg lakmisë së masave që ndjekin futbollin. Dhe ai nuk mundi ta realizojë këtë ëndërr.

Y.D. — A egziston regjia në futboll dhe në politikë, nëqoftëse po, ku dallon ajo nga regjia e teatrit ?

P.K. — Natyrisht. Përderi sa ka detyra, përderisa ka platforma, konflikte, skena masive, politika dhe lëvizjet politike nuk jane pa regji, pavarësisht në quhet apo jo kështu, drejtimi i një shoqërie, partie apo bashkësie. Elementë që i komunizojnë regjitë, ka plot. I vetmi element, që nuk e takon kurrë në një finale të botërorit apo në politikë është që mungojnë provat gjenerale. Nuk bëhen prova, para se të rrëzohen, fjala vjen, monumentet!


Pas de commentaire »

Pas encore de commentaire.

Flux RSS des commentaires de cet article.

Laisser un commentaire

 

Mariage Ingrid et Florent |
ANIMATION (CHATEAU GONFLABLE ) |
BIENVENUE dans mon Univers ... |
Unblog.fr | Créer un blog | Annuaire | Signaler un abus | Moi, Lilith
| venez chez zabuzobe ça peu ...
| Cours en ligne Infocom