Poikilos

Vivre, c’est fabriquer du passé

Disa fjalë mbi Shekspirin

Classé dans : TEATER — 1 novembre, 2008 @ 12:40

pb.jpg

Nga Peter Brook

Ju merrni një gazetë – duke kujtuar se bëhët fjalë për gazetën e ditës -, dhe e lexoni atë me interes. Befas kuptoni që bëhet fjalë për gazetën e ditës së djeshme, dhe papritur, ajo e humb gjithë interesin. Përse ? Ato burra e gra që e kanë realizuar atë gazetë janë padyshim inteligjentë, ato shkruajnë mirë, e megjithatë, të nesërmen, ajo që ata kanë shkruar ka vdekur gati 90% dhe gazeta në këtë rast shërben vetëm për të mbledhur peshkun. Cili është pra ndryshimi mes një faqeje gazete të shkuar dje, dhe një faqeje të Shekspirit shkruar para disa qindra vitesh ? Për çfarë arsye Shekspiri nuk është demode ? Kjo mund të duket një pyetje e cekët dhe e lehtë. Por në fakt, po të thellohemi, përgjigjet e lehta nuk kënaqin asnjë. Çfarë do të ishte një përgjigje e lehtë ? Ja, për shembull : “Shekspiri ishte një gjeni.” Në çfarë na sqaron fjala “gjeni” ? Ose : “Shekspiri ishte një burrë i madh për kohën e tij.” Në çfarë na ndihmon kjo për ta kuptuar atë ? Apo akoma, një përgjigje që do të mund të jepej nga shkolla e re kritike : “ Shekspiri preferonte më tepër që të flinte me një djalë se sa me një grua.” A na e zbulon kjo fenomenin Shekspir ? Të mos harrojmë se  jo shumë kohë më parë, njerëzit vinin në dyshim vetë ekzistencën e Shekspirit dhe në këto njëqind vitet e fundit shumë teori kërkonin që emrin “ Shekspir ” ta zëvëndësonin me emra të tjerë si : Bacon, Marlowe, Oxford, etj. Absurditeti është se e gjitha kjo nuk shërben për asgjë. Ndryshojmë emrin, dhe kaq. Po misteri mbetet i plotë.. Nuk ka shumë kohë që isha në Rusi. Dikush nga publiku u ngrit dhe tha : “Ne këtu të gjithë e dimë që Shekspiri vinte nga Uzbekistani për shkak të emrit të tij. “Sheik” që është një term arab dhe “peer” që do të thotë plak i urtë, pra “Shakespeare” ishte një emër kodi për të treguar në sy të botës që ai ishte një kriptomysliman që jetonte në një vend protestant ku katolikët ishin të persekutuar.” Edhe në këtë rast, në çfarë na ndihmon kjo për të shpuar enigmën Shekspir ?

(…) Padyshim, Shekspiri ishte gjenetikisht i pajisur me një kapacitet të jashtzakonshëm vëzhgimi, asimilimi dhe kujtese. Të mos harrojmë se ai jetonte në një qytet shumë të gjallë e aktiv siç ishte Londra e asaj kohe. Mjaftonte të hyje në çfarëdo lokali për të dëgjuar të flitej për njerëz që i kishin rënë tej e mbanë botës. Kështu veshët e tij thithnin një spektër të gjërë informacionesh të ndryshme. Nga pikpamja gjenetike Shekspiri ishte një fenomen, balli i zbuluar, që e kemi parë në tërë ato tabllo, ishte si një kompjuter, përmbante një kapacitet regjistrimi dhe trajtimi të një larmie përshtypjesh që të lënë gojëhapur

Ja truri i Shekspirit, instrumenti i Shekspirit dhe gjithashtu, mendoj, se kjo është dhe pikënisja jonë. Megjithatë, a mjafton të thuhet që ai kishte një kujtesë të mirë ? Nuk besoj. Sepse edhe sikur të ishte i zoti për t’i lejuar përshtypjet që të futeshin në trurin e tij me të gjithë pasurinë dhe kompleksitetin e tyre, kjo nuk do të ishte e mjaftueshme për ta quajtur Shekspirin autor të pakrahasueshëm. Jemi pra të detyruar që të arrijmë në përfundimin se ai kishte një tjetër karakteristikë themelore. Le ta quajmë “ krijimtari ”. Por, ku na çon kjo fjalë, çfarë shpjegon ajo ? Le të flasim thjeshtë. Mund të themi që ishte poet, dhe askush s’mund të na kundërshtojë, sepse fundi-fundit ai ka shkruar poezi. Megjithatë, të jesh poet, kjo nuk vjen nga hiçi. Cili është përfundimisht, po të flasim terma konkrete, terreni nga ku ngrihet ky fenomen i veçantë që e quajmë “ poezi ” ? Kuptimi i fjalëve? Po, por as kjo nuk mjafton. Ajo që ne kërkojmë është diçka më themelore.

Ajo ç’ka është themelore, është se një poet është një qënie njerzore ashtu si secili prej nesh, por me një ndryshim. Ndryshimi është, se ne në çfarëdo momenti qoftë, nuk mund ta kapim tërësinë e jetës sonë. Le të shohim veten tonë në këtë moment. Në këtë çast preçiz, të ulur këtu sëbashku. Asnjëri nga ne nuk është i zoti që të futet nën dëgjimin e konshiencës për të kapur gjithë atë pasuri që ne kemi thithur përgjatë jetës sonë. Për shumicën prej nesh do të duhej një kërkim i gjatë për të na zhytur në mbresat e së kaluarës. Për disa, do të duheshin madje disa vite punë me një psikiatër për të kapur ato tynele të çuditshme ku të gjitha eksperiencat tona janë varrosur duke pritur që të rifreskohen. Por poeti është i ndryshëm. Karakteristika absolute që krijon “poetin” është kapaciteti i vështrimit të marrëdhënieve mes gjërave dhe atje ku këto marrëdhënie nuk janë të dukshme.

(…) Ai fillonte gjithmonë duke treguar një histori. Dhe këtu, mendoj unë, ne shohim ndryshimin mes gazetarit – një gazetari të mirë – dhe Shekspirit. Po të shkruajmë historinë e një krimi për një gazetë, ne e bëjmë atë në mënyrë të përmbledhur dhe e përshkruajmë veprimin në mënyrë të sipërfaqshme, vetëm në një nivel të shkrimit. Sheksipiri kishte një respekt të madh për historitë, por mënyra e tij ishte krejt tjetër. Në çdo çast ai ishte krejtësisht i ndërgjegjshëm jo vetëm për veprimin në vetevete, por për gjitha ato që hyjnë në marrëdhënie me këtë veprim, në një numër të pafund nivelesh. Kështu ai e shikonte se ishte i detyruar që të farkëtonte një instrument shumë kompleks, të jashtzakonshëm, që ne e quajmë “poezi”, instrument falë të cilës me një replikë ai mund t’i jepte njëherësh kuptimin tregimit (që duhet ta gjejmë) dhe personazhit karakterin njerzor (që gjithashtu duhet ta gjejmë), duke zgjedhur në të njejtën kohë fjalën e saktë mes mijrave që ai dispononte, duke gjetur fjalët që bëjnë të dëgjohen rezonancat, të cilat përmbledhin të gjitha nivelet e kombinimeve që ai mbante në veten e tij.

Ky fenomen shfaq një tjetër aspekt.
Një pjesë e Shekspirit nuk është më e gjatë se nga cilado pjesë tjetër, një paragraf ka po atë gjatësi që ka një paragraf i një gazete të sotme ; por dendësia – dendësia e çastit – është ajo që na intereson më shumë se çdo gjë. Kjo dendësi mbante parasysh shumë elemente, dhe sëpari një gjuhë të figurshme, por gjithashtu dhe fjalë. Dhe këto fjalë merrnin një dimension të jashtzakonshëm nga fakti se ato nuk ishin thjeshtë “koncepte”.

Koncepti është kjo përpjekje fare e vogël intelektuale që i gjithë qytetërimi perendimor ka veneruar deri në tepri përgjatë kaq shekujve. Këtu koncepti egziston, po përtej konceptit gjendet “koncepti që sjell jetën me anë të imazhit”, përtej konceptit dhe imazhit kemi muzikën. Dhe muzika e fjalëve është shprehja e asaj që është më e vështira për t’u kapur në një ligjëratë konceptuale. Eksperienca njerzore të cilën nuk mund ta reduktojmë në koncepte, shprehet me anë të muzikës. Nga ku lind poezia, sepse në poezi egziston një raport jashtzakonisht i hollë mes ritmit, tonit, vibracionit dhe energjisë, i cili i jep çdo fjale, në momentin ku ajo është shqiptuar, kuptimin, imazhin dhe në të njejtën kohë atë përmasë tjetër mjaft të fuqishme që vjen nga tingulli, nga muzika e fjalës.

(…) Herë-herë kemi një material të një densiteti të atillë që kërkon të gjitha pasuritë e gjuhës. Domethënë poezinë. Një poezi jo e bukur në vetvete, por e ngjeshur, një gjuhë e ngarkuar me intensitet. Nëqoftëse ne sot duam të vemë në skenë një pjesë të Shekspirit, sfida është që ta ndihmojmë publikun që të shikojë dhe dëgjojë me sytë dhe veshët e sotëm. Ajo që ne shikojmë duhet të duket e natyrshme, tani, sot. “Të duket e natyrshme”, do të thotë që ne nuk duhet të vemë në dyshim atë që shikojmë. Sikur vetëm njëherë ju të bëni pyetjen : “Kjo është e natyrshme apo artificiale ?”, ju jeni kaputt. Një aktor flet dhe pi një gotë me ujë, kjo është e natyrshme, dhe papritur ky person hidhet në poezi, në një ligjëratë mjaft komplekse – kjo gjithashtu duhet të duket e natyrshme – dhe nëqoftëe ai bën një lëvizje të çuditshme, ajo gjithashtu duhet të jetë e natyrshme. Me fjalë të tjera, problemi është adaptimi i këtij materiali në momentin prezent, ku njerëzit janë ulur në sallë, këtu, sot.

Por ka një kurth. “I sotëm” dhe “bashkëkohor”, nuk është e njejta gjë. Një regjisor mund të marri cilëndo pjesë të Shekspirit dhe t’i japë një ngjyrim bashkohor në mënyrën më ordinere dhe më vulgare. Për shembull mund të bëjmë që në skenë të hyjnë personazhet me motora të mëdhenj me pistoleta dhe t’i bëjmë madje që të dhjesin mbi skenë. Ka qindra mënyra për ta sjellur një vepër në një të tashme që mund të njihet. Një regjisor është i lirë, por kjo liri ju ve pashmangshmërisht përballë një çështje të vështirë dhe të dhimbshme. Ajo ju detyron të eksploroni tekstin duke qëndruar deri në fund respektues, i ndjeshëm dhe i hapur. Si regjisorë jemi të detyruar t’i bëjmë pyetjen vetes nëse jemi në kontakt me të gjitha nivelet e shkrimit. Të cilat janë po aq të pasura, pjellore, domethënëse dhe mbajtëse të jetës, si sot, ashtu dhe në të kaluarën. Ose vendosim që nuk i kemi vënë re këto nivele të ndryshme, që ato nuk janë interesante, ose nuk e vrasim mendjen fare. Mund të bëjmë çfarë të duam, por duhet dalluar hendeku që egziston mes modernizimit vulgar të një teksti dhe potencialit të madh që ai përmban dhe që mbetet i injoruar. Meqenëse në teatër kemi kaq pak tekse të një pasurie të tillë, duhet ta dijmë se marrim parasysh një rrezik që ndoshta nuk ia vlen. Për ta përmbledhur : artikulli i gazetës së djeshme ka vetëm një dimension, dhe ai kalon shpejt. Tek Shekspiri çdo varg është një atom, që po të dijmë ta bëjmë të shpërthejë, çliron një energji të pafundme.

Përktheu Ylli Demneri

Pas de commentaire »

Pas encore de commentaire.

Flux RSS des commentaires de cet article.

Laisser un commentaire

 

Mariage Ingrid et Florent |
ANIMATION (CHATEAU GONFLABLE ) |
BIENVENUE dans mon Univers ... |
Unblog.fr | Créer un blog | Annuaire | Signaler un abus | Moi, Lilith
| venez chez zabuzobe ça peu ...
| Cours en ligne Infocom