Poikilos

Vivre, c’est fabriquer du passé

Kujtimet dhe rrugëtimi i atdheut

Classé dans : LIBRI — 29 mai, 2011 @ 14:51

Kujtimet dhe rrugëtimi i atdheut dans LIBRI libri-me-kujtohet-300x250

Refleksione mbi librin e Ylli Demnerit “ Më kujtohet”

Nga Diana Gëllçi,

Kur mbaron së lexuari librin elegant të Ylli Demnerit “Më kujtohet”, mbetesh edhe për një copë herë tjetër preh e kujtimeve… Ah, ato bankat prej druri me ndenjësen e përbashkët me dy vrima për të venë shishet e bojës dhe dy kanale për të venë penat!…Po çarçafët e larë që tundeshin në tel deri vonë në darkë?… Apo gjyshja duke qëruar orizin pranë dritares… Dhe era e furnelës që fikej nga qumështi që derdhej…Një ditë shiu në plazh…Aeroplanët prej letre… Qesh me vete. Po banania e parë “prej vërteti”? Po koleksioni i letrave shumëngjyrëshe të karameleve në një fjalor të vjetër? Po?… I ka harruar ky Ylli këto?! Disa prej tyre janë thjesht kujtime të mijat. Kështu është edhe gjyshja që qëron orizin në dritare. “Sa i mbushur ky orizi kokërrmadh! Unë e shkreta edhe s’para shoh mirë tani”. Edhe çarçafët… Edhe bankat prej druri. Shumë prej tyre marrin jetë apo rikthehen në një dimension të ri duke lexuar librin e Yllit. Shumë të tjera marrin formë dhe rrugëtojnë prej aty.
Udhëtoj nëpër East Jefferson përmes Detroitit, rruga-rutinë e imja, por sot më duket sikur jam duke ndjekur kujtimet që vijnë befas e nga ku nuk e pandeh, bëhen shumë, dhe zhduken po aq befas dhe krejt pa radhë. Me kujtohen edhe mua shkrepëtimat në qiell të errët në një ditë gushti, dhe era e dheut para se të bjerë shi. Pastaj, dhe kjo më vjen në mendje fare mirë, bubullimat e mëdha dhe rrebeshi nëpër xhama dhe çati, ndërsa mamaja mundohet të më mbarojë së qepuri një fustan basme (apo basmeje). Sikurse më kujtohet Koncerti i Vjenës i transmetuar në çdo 1 Janar në orën dymbëdhjetë në drekë, një nga kënaqësitë e vërteta në ndërrimin e viteve në qytetet e vogla. Madje më kujtohet 1 Janari i këtij viti, kur në mesditë, befas m’u kujtua ai koncert sërish dhe mendova se nuk do të ishte keq të shihja në Internet çmimin e biletave për koncertin e ardhshëm.
Kaloj pastaj në atë pjesë të qytetit ku ura Ambasador lidh Detroitin me Kanadanë dhe më kujtohet kënga Not afraid e Eminemit me një sfond të ngjashëm urash, lartësish, bodrumesh. Protestë. Mendoj se kudo ku janë njerëzit kanë hallet, lumturinë, dhe brengat e kohës. Kaloj stacionin e vjetër të trenave të kthyer tashmë në një legjendë urbane të Detroitit dhe nuk ka se si të mos më kujtohet stacioni i trenave në Tiranë, me atë këndin e vogël të lodrave për fëmijë, me varkat metalike që tundeshin zhurmshëm në ajrin e nxehtë të kryeqytetit. “Kur do arrijmë?” “Edhe pak. Sapo të arrijmë, do të hipësh tek varkat dhe do kënaqesh. Yyy, sa lart shkojnë ato!” “E, ti ashtu thua. Kur shkojmë atje, ti nuk më lë të rri shumë”. “Këtë herë do të të lë të rrish sa të duash. “ “Eh…” Nuk e di nëse varkat janë ende aty ku kanë qenë dhe ndihem fajtore që s’kam pyetur. Madje nuk e di edhe nëse vetë stacioni i trenit është aty ku ishte; dhe shpresoj që nëse po, të paktën të jetë më mire se çfarë ishte kur e pashë së fundmi. Por e di që ai stacion mbetet pjesë e kujtimeve të vajtje-ardhjeve të mija në Tiranë. Ende, herët në mëngjes, kur dëgjoj sirenën e tragetit të radhës që lundron në ujërat e lumit që lidh Detroitin me Liqenet e Mëdha, me duket si sirena e trenit në platformën e lagur të stacionit të trenave në Tiranë, dhe më merr malli, pa dyshim.
Në radio dikush përsërit refrenin e një kënge: “A house is not home”. Më bën përshtypje që kurrë më parë se tani nuk e kam menduar këtë ndryshim kaq të madh midis shtëpisë si vend dhe shtëpisë si ndjenjë. Kjo është njëkohësisht sa e bukur aq edhe emocionuese. Kështu është edhe me atdheun: Atdheu nuk është thjesht një vend. Janë kujtimet, mendimet, ndjenjat që të lidhin me atë vend, që i japin atij vendi kuptimin e madh të atdheut. Në gjuhën e Demnerit, “është zhurma e shisheve të qumështit në rrugët e shkreta, pa zbardhur mire”, “akullorja e shkrirë deri poshtë bërrylit”, duhani Tarabosh, Xhevrija, Biblioteka Kombëtare, Teatri Popullor, Rruga e Dibrës, Vangjush Furxhiu, Kadri Roshi, Margarita Xhepa… Për fat të keq, atdheu nuk janë vetëm hurmat, pantoflat prej gome, dhe zifti i asfaltit të zbutur nga vapa në Korrik. Atdheu është edhe kujtimi i frikës, ankthit, fletë-rrufeve, zyrat e Kuadrit, burgu i kohës së diktaturës. Asgjë më shumë se një përjetim i sinqertë në retrospektive nuk do t’i mbante larg këto forma të përçudnimit të qenjes. Asgjë më mirë se kujtimet nuk do ta denonconte dhunën, farsën, autoritetin e shtetit në të gjitha kohërat. Eshtë e natyrshme pyetja: Pse? Pse ndrydhej njeriu? Në emër të kujt dhe të çfarë gjëje shteti futet në jetën e individit?…Tek kujtimet? Dhe padyshim, asgjë tjetër kaq mirë sa vetë kujtimet nuk mund ta shënjojë lidhjen e shenjtë me të, asgjë tjetër nuk mund ta shumëfishojë atdheun më tepër; ta nxjerrë nga shtrati i tij buzë Osumit, Vjosës, apo Bunës e ta përcjellë në brigjet e Senës apo në liqenet e Detroitit.
Kisha harruar që Ylli Demnerin nuk e kam takuar kurrë, gjë që vite më parë mund të përkthehej si “nuk e njoh”. Por si mund të thuash tashmë “nuk e njoh” për një njeri me të cilin paske ndarë Bulevardin e Tiranës, ke thithur aromën dehëse të luleve Dorëzonje, apo ke përjetuar të njëjtat frikëra apo ankthe të kohës një kohe të shkuar?! Ndoshta Ylli vetë i ka ujdisur kujtimet si një akuzë kundër diktaturës. Mllefi i tij për shiksat, policët, apo ushtarët përzihet me mllefin për Çu En Lain, Brezhnjevin, Enver Hoxhën, kalon në adhurimin e sallonit të pritjes së Anisa M. që s’kishte asgjë nga “produktet e socializmit” e deri tek frika nga “hapësira përtej ushtarit” tek Komiteti Qendror dhe tutje-tutje tek përshkrimi i “katunareve” që shisnin qepë, domate, kopër, nenexhik apo që të porsa martuar shkonin në shtëpitë e pushimeve: djali me një këmishë të bardhë e pantallona teritali e vajza me një fustan me lule e flokët e bëra permanent… I lexon të gjitha, i kujton në fakt, dhe e kupton po ashtu se sa e sertë është jeta kur na e kondicionon mendimin, dhe njohjen, me vendin dhe kohën ku kemi lindur krejt rastësisht, dhe me grupin njerëzor që i përkasim. Ylli nuk mund të qëndrojë jashtë vendit dhe kohës së përjetimeve të tij. Dhe natyrisht, s’mund të bëjë përjashtim nga rregulli. Do të më kishte pëlqyer t’i gjeja këto kujtime nën tisin e mendimeve nga jeta “ndryshe”, por me përjashtim të dy-tre momenteve, Ylli i shmanget filtrit të kohës dhe vendit ku jeton tash. Por jam e sigurt, Demneri nuk ka dashur të shkruajë historinë e Shqipërisë, edhe pse, me kujtimet e tij të sinqerta e të shumë-menduara, i ka shtuar historisë së madhe shumëçka në anën njerëzore.
Jemi mësuar të lexojmë libra të mëdhenj e të rendë ku të tjerët zbulojnë botën për ne dhe na mësojnë si ta kuptojmë, si ta ndjejmë, si ta themi. Ylli Demneri ka zgjedhur ta bëjë këtë thjesht, por me shumë mjeshtëri: Ai ka hapur dyert e vetvetes dhe na lë të futemi aty, të ndajmë mendimet, e të meditojmë për jetën, shoqërinë dhe politikën me gjuhën e kthjellët e lakonike të kujtimeve. Çfarë mund ta bënte atdheun më të pranishëm?!

(Botuar në gazetën Milosao)

___________________________________________________________________________

Libri “Më kujtohet” gjendet në Tiranë në librarinë Adrion (Pallati i Kulturës), në librarinë Vera, rruga e Durrësit numër 5, si dhe në librarine « E për7shme », rruga Jul Variboba. 152 faqe. Çmimi 500 lek.

 


Printo

Pas de commentaire »

Pas encore de commentaire.

Flux RSS des commentaires de cet article.

Laisser un commentaire

 

Mariage Ingrid et Florent |
ANIMATION (CHATEAU GONFLABLE ) |
BIENVENUE dans mon Univers ... |
Unblog.fr | Créer un blog | Annuaire | Signaler un abus | Moi, Lilith
| venez chez zabuzobe ça peu ...
| Cours en ligne Infocom