Poikilos

Vivre, c’est fabriquer du passé

Intervistë me George Steiner

Classé dans : AKTUALITET — 17 décembre, 2011 @ 14:23

 

Intervistë me George Steiner dans AKTUALITET george-steiner1-297x300Europa po jeton një krizë të thellë. Sipas mendimit tuaj, a është i mundur shkatërrimi i saj?

Në gjendjen e saj akutale, është i mundur. Por, në një mënyrë apo një tjetër, do t’ia dalim mbanë. Ironia, është që Gjermania do të dominojë përsëri. Le të tërhiqemi pak. Mes muajit gusht 1914 dhe muajit maj 1945, Europa, nga Madridi në Moskë, nga Kopenhaga në Palermë, ka humbur 80 million qënien njerzore në luftrat, internimet, kampet e vdekjes, zitë e bukës, bombardimet. Mrekullia, ajo ka mbijetuar. Por ringjallja e saj nuk ka qenë veçse e pjesshëme. Europa kalon sot një krizë dramatike ; ajo është duke sakrifikuar një brez, brezin e ri, i cili nuk beson në të ardhmen. Kur isha i ri kishte lloj-lloj shpresash : komunizmi, e çfarë shprese ! Fashizmi, që është gjithashtu një shpresë, por që nuk duhet të gabohesh. Egzistonte, po ashtu, për çifutët, sionozmi. E plot, e plot… Të gjitha këto nuk i kemi më. Gjatë rinisë, po nuk u mbajte nga një shpresë, qoftë dhe e gënjeshtërt, çfarë mbetet ? Asgjë. Ëndrra e madhe mesianike socialiste përfundojë ke gulagu dhe François Hollande – e marr emrin e tij si simbol, nuk kritikoj personin e tij. Fashizmi u zhyt në tmerr. Shteti izraelit, domosdoshmërisht që duhet të mbijetojë, por nacionalizmi i tij është një tragjedi, thellësisht i kundërt me mençurinë çifute, që është kosmopolite. Unë vetë dua që të jem një endacak. Jetoj sipas devizës të Baal Shem Tov, rabin i madh i shekullit të XVIII–të : « E vërteta është gjithmonë në ekzil. »

Po mondializimi a e favorizon këtë endje ?

Nuk ka patur asnjëherë një mbyllje të tillë gjeografike. Kur linim Anglinë, mund të shkonim në Australi, në Indi, në Kanada ; sot nuk ka më të drejtë pune. Planeti po mbyllet. Çdo natë qindra vetë përpiqen që të kapin Europën që nga Magrebi. Planeti është në lëvizje, po drejt çfarë gjëje ? I tmerrshëm është sot fati i emigrantëve. Më nderuan në Gjermani me një fjalim që mbajta përpara qeverisë. E mbylla me këto fjalë : «  Zonja e Zotërinj, tani të gjitha yjet po bëhen të verdhë. »

Me gjithë këto, a ndjeheni ju europian ?

Europa mbetet vendi i masakrës, i pakuptueshmërisë, po gjithashtu i kulturave që dua. I kam borxh gjithshka dhe dua të jem aty ku janë të vdekurit e mi. Dua të qëndroj jo larg Shoah-s, atje ku mund të flas katër gjuhët e mia. Kjo është qetësia ime madhe, lumturia ime, kënaqësia ime. E kam mësuar italishten pas anglishtes, frengjishtes e gjermanishtes, tri gjuhët e fëmijërisë. Nëna ime fillonte një frazë në një gjuhë dhe e përfundonte në një tjetër, pa e kuptuar. Nuk kam patur gjuhë amtare, por, ndryshe nga mendimet e pranuara prej të gjithëve, kjo është mjaft e zakonshme. Në Suedi kemi filandishten dhe suedishten ; në Malezi, fliten tri gjuhë. Ideja e gjuhës amtare është një ide tepër nacionaliste e romantike. Njohja e disa gjuhëve më ka lejuar që të jap mësim, të shkruaj Après Babel : une poétique du dire et de la traduction dhe të ndjehem gjithkund si në shtëpinë time. Çdo gjuhë është një dritare e hapur mbi botën. Pemët kanë rrënjë ; ndërsa unë, unë kam këmbë, dhe ky është një progres i jashtzakonshëm, më besoni !

Në librin tuaj të fundit Poesia e mendimit,  ju tregoni që Sartri donte  të ishte Stendal dhe Spinoza. A të çon stili tek mendimi ?

Po, e gjithë filozofia është një akt i gjuhës. Ritmi, fjalori, sintaksa, gjithshka që na drejton drejt poezisë, e që e gjejmë po ashtu në teksin filozofik, sado abstrakt qoftë ai. « Çdo mendim fillon nga një poezi », shkruante Alain në lidhje me Valerinë. Mendimtarët e mëdhenj janë shpesh herë shkrimtarë  supremë, ashtu si Niçe apo Kierkegard.

Bergsoni, një nga mjeshtrat e gjuhës franceze, ka marrë çmimin Nobel në letërsi. Platoni meriton që të krahasohet me Shekspirin përsa i përket krijimit të personazheve e gjesteve dramatike. Por marrëdhënia mes mendimit dhe shkrimit mund të shfaqet konfliktuale. Disa filozofë shkruajnë keq, mbysin shkrimtarin që gjendet në vetën e tyre, si Hegel, mbreti i anti-stilit. Këtë traditë dyfishe, gjeninë lirike të një Platoni dhe pedagogjinë e rreptë të një Aristoteli, e gjejmë që në fillim.

Letërsia dhe filozofia a janë akoma bashkëfajtore sot ?

Të dyja format më duken të rrezikuara. Letërsia ka zgjedhur fushën e lidhjeve të vogla personale. Ajo nuk di të trajtojë më temat e mëdha metafizike. S’ka më Balzak, Zola. Asnjë fushë nuk i shpëtonte këtyre gjenive të komedisë njerzore. Prusti gjithashtu ka krijuar një botë të pashterrshme, dhe Ulysse i Xhoisit është akoma shumë pranë Homerit… Xhojsi, është  pikëkalimi mes dy botëve, i asaj klasike dhe i asaj të kaosit. Dikur, filozofia gjithashtu mund të thuhej universale. E gjithë bota ishte e hapur përpara mendimit të një Spinoze.

Sot, një pjesë e madhe e universit na është mbyllur. Bota jonë tkurret. Shkencat na janë bëre të pakapshme. Kush mund t’i kuptojë aventurat e fundit të gjenetikës, astrofizikës, biologjisë ? Kush mund t’ia shpjegojë ato profanit ? Dijet nuk komunikojnë më ; shkrimtarët dhe filozofët janë të pazotët për të na e bërë të kuptushme shkencën. E megjithatë shkenca shkëlqen nga imagjinata e saj. Si mund të pretendosh që të flasësh për koshiencë njerzore duke lënë mënjanë atë ç’ka është më kurajoze, më përfytyruese ? Shqetësohem kur mundohem të kuptoj se çdo të thotë «  të jesh i ditur » sot – « to be literate », shprehja është më e fortë në anglisht. A mund të jemi të ditur pa kuptuar një ekuacion jo linear ? Kultura po rrezikon të bëhet provinciale. Ndoshta do të na duhet që ta rimendojmë të gjithë konceptin që kemi për kulturën.

Dua që t’ju tregoj një rast që më ka emocionuar pamasë : një mbrëmje, një nga kolegët e mi të Kembrixhit, çmim Nobel, një burrë i këndshëm, me të cilin po haja darkë, më kërkojë që ta ndihmoja mbi një tekst të Lakanit nga i cili nuk kuptonte asgjë. Modestia e një shkencëtari të madh krahasuar me fodullikun, ku nuk ka ku të shkoj, të mjeshtërve bizantinë të errësirës…

Ju mbroni kulturën klasike të njeriut të kulturuar, dhe në të njejtën kohë insistoni në brishtësinë e saj. Përse ?

Sepse kultura e lartë ka falimentuar përballë barbarisë. Të mos harrojmë që  të dy luftrat botërore ishin luftra civile europiane. Gjermania, vendi i Hegelit, Fishtes dhe Shelingut, matricë e mendimit filozofik, ka njohur më  të keqen e barbarisë. Humanizmat nuk na kanë mbrojtur ; përkundrazi, shpesh ato kanë qene aleatë të antihumanizmit. Bukenvaldi ndodhej veçse disa kilometra larg nga Weimarit. Si ka mundësi që disa njerëz të luajnë Bah e Shubert në shtëpinë e tyre në mbrëmje dhe të nesërmen në mëngjes të torturojnë nëpër kampe ?

Për çfarë shërben kultura atëhere, nëqoftëse ajo nuk na bën më njerzorë ?

Ajo e bën të durueshme egzistencën. Nuk është e lehtë që të jesh i vdekshëm, jo, nuk është aspak e lehtë. Të gjithë jemi të përballur me kancerin, stresin, frikën ; çdo ditë mund të mbajë një lamtumirë, dhe s’ka gjë më të ankthshme. Do t’ju tregoj diçka me të vërtetë foshnjore : gruaja dhe unë humbëm qenin tonë Ben. Ishte e tmerrshme për ne, aq shumë kjo kafshë ka qenë në qendër të jetës sonë !

Nuk mund të kaloj një ditë pa muzikë, pa bukuri, pa poezi. Kjo është siguria ime, mbijetesa ime. Shoqëria e mjeshtërve të mëdhenj më jep një ndjenjë të pafund krenarie e mirënjohje. Dua që t’i them faleminderit. Duke i mësuar përmendsh. Atë që mësojmë përmendsh askush nuk mund të na e heqë. As çensura, as policia politike, as kitsch-i që na rrethon. Të mësuarit përmendsh bën që të futesh në vetë veprën : « Ti do të jetosh në veten time e unë do të jetoj me ty. »

Tekset ecin në krah me ne; të shëtisësh me një poezi të Bodlerit do të thotë që të jesh i mirëshoqëruar.

Sipas jush, teknologjitë e reja e rrezikojnë « qetësinë » dhe « intimitetin » që duhet për kontaktin me veprat e mëdha…

Po, cilësia e qetësisë është organikisht e lidhur me atë të gjuhës. Ju dhe unë jemi të ulur këtu, në këtë shtëpi të rrethuar nga një kopësht, ku nuk ka tjetër zhurmë përveç bisedës sonë. Këtu, mund të punoj, të përpiqem që të mendoj. Qetësia është bërë një lluks i madh. Njerzit jetojnë në një zallamahi. Nuk ka më mbrëmje në qytete. Të rinjtë kanë frikë nga qetësia. Çdo të bëhet me leximin serioz e të vështirë ? Të lexosh një faqe nga Platoni me walkman në vesh ? Kjo më tremb shumë.

Teknologjitë e reja transformojnë dialogun me librin. Ato shkurtojnë, thjeshtëzojnë, konektojnë. Shpirti është i « kablluar ». Sot nuk lexohet si dikur. Fenomeni Harry Potter shfaqet si një përjashtim. Të gjithë fëmijët e globit, fëmijë eskimezë, fëmijë zulu, lexojnë e rilexojnë këtë sagë ultra angleze të pajisur me një fjalor të pasur dhe me një sintaksë të sofistikuar. Kjo është e hatashme ! Libri është një mbrojtës i madh i jetës private. Në frengjisht nuk ka fjalë për të thënë fjalën « privacy ».  « Intimitet » e përkthen keq atë. Anglia është akoma një vend i « privacy ». Kjo mund të ketë dhe anët e saj absurde : mund të jemi fqinjë për pesëdhjetë vjet e të mos shkëmbejmë një fjalë. Ky kult i « private life » ka një vlerë të madhe politike : është një aftësi e rezistencës.

Ju përmendët Harry Potter. Duke u kthyer tek Poesia dhe mendimi, ju guxoni që të bëni një lidhje mes dialektikës së Hegelit, mohimi të mohimit, dhe shprehjes « rien de rien » të Edith Piafit. Përse kultura popullore nuk ju ka interesuar aq shumë ?

I kam rënë së mirës me këmbë. Sidomos me kinemanë. Po të mundja që të rifilloja jetën, do të mundohesha që të kuptoja përse, mes forcave krijuese të fundit të shekullit të XIX dhe fillimit të shekullit XX, ndoshta filmi do të  duhej që të kalonte në vend të parë. Shekspiri, sot do të kishte shkruar skenare. Kam gabuar, aq shumë kam qenë fëmi i gjuhës greke dhe latine dhe i një babai ultra konservator klasik. Nuk mund të jemi përherë të përditësuar.  Me muzikën, po : dëgjoj kompozitorë që vijnë pas Bulezit dhe që më pasionojnë. Me artin konceptual, jo, nuk arrij që ta ndjek : shkoj në Beaubourg, më tregojnë një grumbull me tulla duke më thënë që kjo është një vepër e rëndësishme, nuk e di çfarë të them ; atëhere kuptoj Bakonin kur citon Velaskezin, Grekon e Gojën. Është më mirë që të jesh i ndershëm me gabimet e tua se sa të mashtrosh.

Po ju, a e konsideroni veten si  një krijues ?

Jo, nuk duhen ngatërruar funksionet. Edhe vetë kritiku, komentuesi, eksigjenti më i talentuar është disa vite-dritë larg nga autori. Pushkini thoshte : « Faleminderit përkthyes, faleminderit botues, faleminderit kritik, ju keni shkrimet e mia, por jam unë që i shkruaj ato. » Unë gjithashtu, mbaj letrat. Ky është një privilegj i madh, por kjo nuk ka të bëjë fare me mrekullinë e një vargu i cili do të recitohet gjithmonë. I kuptojmë keq burimet intime të krijimit. Ja një shembull, jemi në Bern para shumë vitesh… Fëmijët nisen për piknik me mësuesen e tyre e cila i vendos ata përpara një viadukti. Ata vizatojnë, mësuesja shikon mbrapa shpatullës së një fëmije ; ai i ka shtuar çizme kollonave ! Që prej asaj ditë të gjithë viaduktët janë në ecje. Ky fëmijë quhej Paul Klee. Krijimi ndryshon gjithshka që vëzhgojmë, disa viza i mjaftojnë një krijuesi për të na bërë që të shikojmë atë që ishte tashmë aty. Çfarë misteri çliron krijimi ? Kam shkruar librin Gramatika e krijimit, për ta kuptuar atë. Dhe tani në fund të jetës, akoma nuk e kuptoj.

Mos vetë të kuptuarit na largon nga arti ?

Nga njëra anë jam i lumtur që nuk e kuptoj. Imagjinoni një botë ku neurokimia të na shpjegonte Mozartin… 

Po kjo është e mundur, dhe më tremb. Makineritë janë tashmë interaktive me trurin : kompjuteri dhe qënia njerzore punojnë bashkë. Ndoshta një ditë mund të ndodhë që historianët të kuptojnë se ngjarja më e rëndësishme në shekullin e XX, nuk ishte lufta, as krach-i financiar, por ajo natë ku Kasparov, lojtari i shahut, humbi kundër një kutie të vogël prej metali. Dhe shkruajti «  Makineria nuk ka njehësuar, por ka menduar. » Kur e pashë këtë, kërkova mendimin e kolegëve të mi në Kembrixh që janë mbretërit e shkencës. Më thanë se nuk e dinin nëse mendimi ishte një llogari. Kjo është një përgjigje e tmerrshme ! A do të mundet që një ditë kutia e vogël të na krijojë muzikë ?

Përktheu Ylli Demneri

 

 

Pas de commentaire »

Pas encore de commentaire.

Flux RSS des commentaires de cet article.

Laisser un commentaire

 

Mariage Ingrid et Florent |
ANIMATION (CHATEAU GONFLABLE ) |
BIENVENUE dans mon Univers ... |
Unblog.fr | Créer un blog | Annuaire | Signaler un abus | Moi, Lilith
| venez chez zabuzobe ça peu ...
| Cours en ligne Infocom