Poikilos

Vivre, c’est fabriquer du passé

Shpirti i teatrove të vjetër

Classé dans : TEATER — 11 mars, 2013 @ 17:58

Shpirti i teatrove të vjetër dans TEATER teari-latelier-e1363017273360

Teatrit « L’Atelier » që e kam dashur.

Teatrot e vjetër kanë vështirësitë e tyre. Duhet t’i duash shumë për t’ua falur mungesën e komoditeteve që pengojnë punën e zvogëlojnë mundësitë për t’u shprehur. Sigurisht që kjo është një çështje sentimentalizmi. Nuk dua t’i thurr lavde as mureve të vjetër të nxirë nga koha, as llozhave të parehatshme stolisur me skica parmakësh, as atij fushimi endacakësh rreth një skene ku lëvizin qenie të trilluara, hije të para në ëndërr, por më lejoni të shpreh atë që mendoj thellësisht : shumica e progreseve mekanike nuk i sjell asgjë të re teatrit tani për tani. Ato nuk u shkojnë përshtat veprave që ne prezantojmë. Ato nuk nisen nga një inteligjencë e vërtetë e artit tonë ; janë të varfra, shumë të varfra përsa i përket iluzionit. Dhe përçmuese përballë shpirtit.

Teatri më i bukur në botë është një kryevepër me katër skena ; është pelerina e zezë e Hamletit që e vetme mjafton për të na kujtuar Elsenorin dhe dramën që imagjinata jonë e kërkon akoma më të mistershme se ç’e ka realizuar poeti ; është Makdufi te Makbethi që rras në kokë kapelen me nje gjest të ngathët kur e lajmërojnë për masakrën e fëmijëve të tij : «Eh! njeri, përse e rrasni ashtu kapelen?» ; është Sganareli duke arsyetuar me zotërinë e tij mbi të vërtetat e mëdha të kësaj bote dhe që, në kulmin e zenkës, e lëshon vehten duke ardhur vërdallë; është, po të largohemi akoma më shumë në kohë, Oresti, i ndjekur nga qentë.

Teatri më i bukur në botë është në besimin, në dashurinë për artin tonë, në lartësimin e përhershëm të shpirtit. Atje duhet kërkuar ai dhe jo në paraqitjen e lukseve të panevojshme. Shumica e teatrove moderne brenda disa javëve mund të shndërrohen pa shumë dëm në banka e dyqane. Për mua, ato nuk kanë shpirt. E dua teatrin tim sepse është një teatër i vërtetë. Shkoni në sheshin Dankur (Dancourt), shikojeni mirë e do ta pëlqeni ashtu si dhe unë. Ai është i papërshtatshëm për t’u kthyer në tjetër gjë ; as kinemanë nuk e ka pranuar. Ka strehuar aq shumë personazhe të shquar. Përfytyroni tërë ata mbretër, tiranë, heronj, dashnorë, vagabondë të rrezikshëm, shtojzavalle e perëndi që ka parë në shkëlqimin e skenës dhe në intimitetin e llozhave! Muret e tij mbajnë të mbyllura aq shumë thirrje, ankime, dënesa ; ai është i shenjtëruar nga mijëra kujtime ; ai ka autoritetin e shenjtë të fanarëve mbi bregdet dhe të afron prehjen shpirtërore të kishave të fshatit.

Hyni brenda… A s’është një vend simpatik, i dashur e i përzemërt ? A gjendet teatër tjetër si ai, ku fjalët, kur thuhen me mjeshtëri, ruajnë gjithë shijen e tingullin e tyre ?… A s’është teatër i bukur ai ku pjesa dëgjohet në mënyrë të përsosur ? Prandaj, kur me delikatesë dhe me mirësjellje, që s’do di asnjëherë si ta falenderoj, Filip dë Roshild (Philippe de Rothschild) i propozoi Cartel-it drejtimin e teatrit të mrekullueshëm të Pigalit (Pigalle), thashë me vete : Çfarë? Do të le të gjitha këto për një tempull modern që nuk e di se kush është Byridani (Buridan*)? Nuk do shoh më të shtunave në darkë sallën e mbushur me miq të panjohur ? Ç’do të thonin ata kur të më shihnin tek vrapoja nga paratë, ata që më janë gjendur në ditët më të vështira? Teatri më i bukur në botë, është teatri im, ku shpirti ka triumfuar mbi kushtet.

Nuk është makina që zbret perënditë mbi skenë, por janë perënditë, ato që na duhen.

Charles Dullin**, Kujtime dhe shënime të një aktori.

Përktheu YD.

 

*Jean Buridan (1300-1358) : Një nga figurat kryesore të jetës shkollore në Faculté des Arts në Paris, gjysma e parë e shekullit të XIV. Rektor i l’Université de Paris më 1328-n pastaj më 1340-n.

charles-dullin--150x150 dans TEATER

**Charles Dullin ka lindur me 8 maj 1885, në Yenne (Savoie), i fundit i një familjeje prej 19 fëmijësh. Që në moshë të re shfaq prirjen për teatrin dhe pasionohet pas artit dhe poezise. Në vitin 1913, 18 vjeç dhe me 17 franga ne xhep, mbërrin në Paris. Fillon të njohë jetën e aktorit të varfër. Akoma i panjohur ai lufton pa pushim kunder urisë, sëmundjes dhe halleve financiare. I angazhuar në teatrin «Les Gobelins» shkon herë pas here edhe në « Lapin Agile » për të recituar vargjet e Villon-it dhe të Corbière-it, e luan gjithashtu në Belleville, në Montparnasse, pastaj, në vitin 1906, hyn në teatrin «Odéon» drejtuar nga André ANTOINE, nismëtari i mizanskenës moderne, ku ai debuton në rolin e Cinna-s në pjesën Jul Çezari të Shakespeare-it. Më 1910, në teatrin e «Les  Arts», krijon rolin e Pierrot-se në pjesën « Carnaval des enfants » dhe rolin e Smerdiakovit në pjesën « Vëllezërit Karamazov ». Më 1913, Charles Dullin merr pjesë në krijimin e fondacionit «Vieux-Colombier» nga Jacques Copeau ku ai, së bashku me Louis Jouvet, do të jetë një nga aktorët kryesorë. Më 1921 krijon ekipin e tij me emrin « l’Atelier » në një dyqan, përpara se të vendoset më 1922 në « Théâtre Montmartre ».

Pas një fillimi të vështirë, duke luajtur shpesh para një salle bosh, ai vë në skenë « Volpone » dhe që nga ai çast lajmi i përhapur goje më gojë bën që të mbushet salla. Kështu Charles Dullin e teatri i tij shpëtojnë. Më 1927, ai hyn në « Cartel de Théâtre » bashkë me Louis Jouvet, Pitoëff et Gaston Baty. Charles Dullin ka qenë gjithashtu profesor, ku mes të tjerëve, ka patur për nxënës : Madeleine Robinson, Jean Marais, Marcel Marceau, Jean Vilar, Jean-Louis Barrault, Roger Blin, Roland Petit, Jacques Dufilho et Alain Cuny. Më 1940, ai le « l’Atelier » dhe merr drejtimin e « Théâtre de la Cité », teatri i vjetër Sarah Bernhardt, ku më 1943 do të verë në skenë pjesën « Les Mouches » të Jean-Paul Sartre-it.

Pas çlirimit kritikët tregohen të ashpër me Charles Dullin dhe pas shumë vështirësish ai lë drejtimin e teatrit më 1947-n. Duke pritur që të gjejë një teatër fiks, ai bën disa turne dhe nënshkruan disa mizanskena në Paris.

Me 12 dhjetor 1949, Charles Dullin vdes në l’Hôpital Saint-Antoine në Paris.

Pas de commentaire »

Pas encore de commentaire.

Flux RSS des commentaires de cet article.

Laisser un commentaire

 

Mariage Ingrid et Florent |
ANIMATION (CHATEAU GONFLABLE ) |
BIENVENUE dans mon Univers ... |
Unblog.fr | Créer un blog | Annuaire | Signaler un abus | Moi, Lilith
| venez chez zabuzobe ça peu ...
| Cours en ligne Infocom