Poikilos

Vivre, c’est fabriquer du passé

Archive pour la catégorie 'AKTUALITET'

Hackers hakmarrës dhe spiunë me karroca

Posté : 2 décembre, 2010 @ 11:49 dans AKTUALITET | Pas de commentaires »

 

Hackers hakmarrës dhe spiunë me karroca dans AKTUALITET karroca1

Nga UMBERTO ECO

Çështja WikiLeaks ka vlerë të dyfishtë. Nga njëra anë, ajo shfaqet si një skandal i qartë, një skandal që duket si skandal veçse përpara hipokrizisë që përcakton raportet mes Shteteve, qytetarëve dhe shtypit. Nga ana tjetër, ajo lajmëron ndryshime të thella në nivel ndërkombëtar, dhe skicon një të ardhme të dominuar nga regresi.

Le t’i marrim gjërat me rradhë. Aspekti i parë i WikiLeaks është konfirmimi i faktit që çdo dosje e përgatitur nga një shërbim sekret (i çfardo vendi qoftë) është e mbushur tërësisht me copa të prera nga shtypi. Zbulimet e “jashtzakonshme” amerikane mbi manitë seksuale të Berlusconi-t nuk sjellin ndonjë gjë tjetër përveç asaj që mund të lexohet në çfardolloj  gazetë (me përjashtim të atyre ku Berluskoni është pronar), dhe portreti karikatural i Kadafit ka kohë që është bërë material skeçi për artistët e kabareve.

Rregulli sipas së cilit dosjet sekrete duhet të përbëhen vetëm nga të reja tashmë të njohura është esenciale për dinamikës e shërbimeve sekrete, dhe jo vetëm për shekullin tonë. Po të shkoni në një librari që i kushtohet botimeve esoterike do të shihni që çdo vepër përsërit (rreth Graal-it, misterit të Rennes-le-Château, Tempujve apo Rose-Croix) me ekzaktësi po atë që ka qenë shkruar në veprat e botuara më parë. Dhe kjo jo vetëm pse autori i tekseve okulte nuk do që të bëjë kërkime të panjohura, por ata që i kushtohen okultizmit i besojnë vetëm asaj që ata dijnë tashmë dhe që i rikonfirmon atë që kanë nxënë më parë. Ky është mekanizmi i suksesit të Dan Brown-it. E njejta gjë dhe për dosjet sekrete. Informatori është dembel, po dembel (ose jo shumë i kulluar) dhe  shefi i shërbimeve sekrete që beson si  të vërtetë vetëm atë që njeh. Informacionet top-sekret rreth Berlusconi-t që ambasada amerikane në Romë i dërgonte Departimentit të Shtetit qenë po ato që Newsweek kishte botuar një javë më parë.

Atëherë përse informatat mbi këto dosje bënë kaq zhurmë ? Nga një anë, ato thonë atë që çdo njeri i kulturuar di tashmë. Dihet që ambasadat, të paktën që nga fundi i Luftës së Dytë botërore, që kur shefat e Shtetit mund t’i telefononin njëri-tjetrit apo t’i hipnin avionit për të ngrënë darkë sëbashku, kanë humbur funksionin e tyre diplomatik dhe, vetëm me përjashtim të disa shërbimeve, janë transformuar në qendra spiunazhi. Çdo spektator filmash me spiunazh e di shumë mirë këtë, dhe vetëm nga hipokrizia bëjmë sikur nuk e dimë. Sidoqoftë, fakti që ambasadat janë qëndra të spiunazhit e që përsëritet publikisht dhunon detyrën e hipokrizisë dhe shërben për ta vendosur diplomacinë amerikane në një situatë të keqe. Së dyti, ideja që një hacker i çfarëdoshëm mund të kapi sekretet më sekrete të vendit më të fuqishëm në botë i jep një goditje të fortë departamentit të Shtetit. Njëkohësisht skandali ve në krizë si viktimat ashtu dhe “xhelatët”.

Po le t’i kthehemi natyrës së thellë të asaj që ndodhi. Dikur, në kohën e Orwell-it, çdo pushtet mund ta përfytyronim si një Big Brother që kontrollonte çdo gjest të shtetasve të tij. Profecia orwellienne u vërtetua plotësisht kur duke dashur të kontrollohet çdo lëvizje falë telefonit, kartës bankare, hotelit ku shkojmë, autostradës që marrim e kështu me rradhë, qytetari u bë viktima totale e syrit të pushtetit. Por, kur vëmë re, siç po ndodh tani, që dhe vetë kripto-sekretet  e pushtetit nuk arrijnë që t’i shpëtojnë kontrollit të një  hacker-i, raporti i kontrollit pushon së qenuri njëdrejtimsh, ai bëhet qarkor. Pushteti kontrollon çdo qytetar, por çdo qytetar, apo të paktën hacker-i – i zgjedhuri i hakmarrjes së qytetarit -, mund të njohi të gjitha sekretet e pushtetit.

Si mund të qëndrojë në këmbë  një pushtet që nuk ka mundësi të ruajë sekretet e tij? Është e vërtetë, dhe Georg Simmel e thoshte tashmë, që një sekret i vërtetë është një sekret bosh (dhe një sekret bosh kurrë nuk mund të zbulohet) ; është e vërtetë gjithashtu, se gjithshka që dijmë rreth karakterit të Berlusconi-t apo Merkel-it është një sekret bosh në sekrete, sepse flitet për gjëra që dihen publikisht; por duke zbuluar, siç ka bërë WikiLeaks, që sekretet e Hillary Clinton-it ishin sekrete boshe në përmbajtje, kjo i heq asaj gjithë pushtetin. WikiLeaks nuk i ka bërë asgjë të keqe Sarkozy-së apo Merkel-it, por i ka bërë shumë Clinton-it dhe Obama-s. Cilat do të jenë pasojat e kësaj plage që iu shkatua një pushteti kaq të fuqishëm ? Është e qartë që Shtetet në të ardhmen nuk do munden të venë në linjë asnjë informacion të rezervuar – kështu i bie që ato të publikohen mbi një afishe të ngjitur në një cep të rrugës. Por është  e qartë gjithashtu se me teknologjitë aktuale është e kotë të shpresosh se mund të mbash raporte sekrete me anë të telefonit.

Nuk ka asgjë më të lehtë se të zbulosh si dhe kur një burrë shteti ka lëvizur me avion dhe ka takuar një nga kolegët e tij. Si do të ruhen në të ardhmen raportet private dhe të rezervuara ? E di që për çastin, parashikimi im i ngjan fantastiko-shkencores, pra është romanesk, por jam i detyruar të imagjinoj agjentë të qeverisë duke lëvizur në mënyrë të fshehtë me karroca me kuaj nëpër itinerare të pakontrollueshme, duke u bërë mbajtës mesazhesh të mësuara përmendësh, ose pak a shumë, duke i fshehur ato të rralla informacione të shkruara në takën e këpucës. Informacionet do të ruhen në një kopje të vetme në sirtarët e mbyllur me çels : në të vërtetë, tentativa e spiunimit të Watergate-it ka pasur më pak sukses se sa WikiLeaks.

Kam patur rastin të shkruaj që teknologjia tani ecën shtrembër, domethënë duke u zbythur. Një shekull mbasi telegrafi pa fije revolucionarizojë komunikimin, interneti riktheu një telegraf me fije (telefonike). Vidiokasetat (analogjike) i lejuan studiuesve të kinemasë që të ekslorojnë filmin hap pas hapi, duke shkuar përpara e mbrapa dhe duke zbuluar të gjitha sekretet e montazhit, ndërsa tani CD-të (numerike) lejojnë të të kalosh vetëm nga një kapitull në tjetrin, domethënë pjesë-pjesë. Me anë të trenave me shpejtësi të madhe shkojmë nga Roma në Milano për tre orë, ndërsa me avion, duke marrë parasysh të gjithë levizjen, duhet tre orë e gjysmë. Pra nuk është diçka e jashtëzakonshme që politika dhe teknikat e komunikacionit të rikthehen në kohën e karrocave me kuaj.

Dhe një shënim të fundit. Dikur, shtypi mundohej të kuptonte atë që kurdisej në sekretin e ambasadës. Tani, janë ambasadat që kërkojnë informacione sekrete nga shtypi.


Thënia e ditës

Posté : 21 décembre, 2009 @ 5:48 dans AKTUALITET | Pas de commentaires »


« Harruam që të ftojmë Tokën në konferencën mbi klimën »

michelserres.jpg
Michel Serres, filozof

Revista franceze Match e 13 prillit 1939

Posté : 8 avril, 2009 @ 10:26 dans AKTUALITET | Pas de commentaires »


Revista franceze Match e 13 prillit 1939 dans AKTUALITET matsh39.vignetteUaaaa !!! – ja bënë kolegët e mi kur i tregova kopertinën e revistës Match me fotografinë e mbretëreshës Geraldinë.

Ajo aty është me të vërtetë e bukur.

Reagimi i tyre nuk ishte shkaktuar vetëm nga bukuria e mbretëreshës, por dhe nga befasia që në imazhin e saj nuk kishte asgjë prej provincialje, siç ndodh rëndom me personazhe të tillë që vijnë nga vende të vegjël e të prapambetur si Shqipëria, apo diçka orientale, siç mund të jetë përfytyrimi i shumicës së atyre që nuk e njohin mirë vendin e Shqipeve.

Pyetja e një stazhieri të ri, se të çfarë feje janë shqiptarët, nuk me la kohë që të shpjegoj origjinën e mbretëreshës. (Më kujtohet se para njëzet vjetëve, kur sapo kisha ardhur në Francë, më pyesnin se çfarë regjimi politik ka në Shqipëri, por asnjëherë se çfarë besimesh fetare. Kohët kanë ndryshuar. Ideologjitë zëvendësojnë njëra-tjetrën pa e lënë vendin bosh, sidomos në kohë krise, dhe njerzit, dashje-padashje, ndikohen prej tyre. Fillojnë e notojnë në « ujra të ngrohta »).

Revistën me fotografinë e mbretëreshës e gjeta krejt rastësisht në bodrumin e një dyqani që shet libra të vjetër në bulevardin Saint-Michel, tani, në ditët e para të prillit 2009. Një rastësi e çuditshme. Sepse…

… plot 70 vjet më parë, me 13 prill 1939, revista franceze Match del në shitje me fotografinë e mbretëreshën Geraldinë në kopertinë, nën titullin: « Mbretëresha e Shqipërisë Geraldinë para një jave besonte se kishte nxjerrë në dritë një mbret. Ai është tashmë një i syrgjynosur. »
Pas një reportazhi prej dy faqesh të titulluar : « Shqipëria nën çizmen italiane », revista vazhdon me një album special (nëntë faqe) kushtuar pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste : « Shqipëria. Ky vend mysliman dhe i krishter sulmohet një të premte të shenjtë nga ai që pretendon se mban shpatën e Islamit ». (Musolini, një vit më parë (1938), kishte vënë në mënyrë solemne « shpatën e Islamit »).

Në album vendin më të madh e zenë fotografi të kohës (rreth 30), disa prej të cilave po i zbuloja për herë të parë.

Duke lexuar reportazhin, e kuptova përse familja mbretërore nuk e ka bërë të njohur këtë numër të revistës Match.

***

Shqipëria nën çizmen italiane

shqiperi1939.gif

Humori i keq i Duçes

Duçja nuk është i qetë gjatë gjithë udhëtimit për në Kalabri. Asgjë nuk shkon mbarë. Autoparlantët janë rregulluar keq, manifestuesit jo dhe aq spontanë e të ngrohtë sa duhet. Është i irrituar dhe shtyn njerzit që e rrethojnë.

- Kush është ai idiot që ka bërë këtë llaç, bërtet në momentin që vendos gurin e parë, është tmerrësisht i hollë ; dhe derdh një lumë të sharash mbi Alfierin, të zbehur e të bërë dyllë…

Kjo gjendje vazhdon që kur Geringu mëshon me të gjithë peshën e Gross Deutschland-it mbi skeletin e gadishullit. Ai është me të vërtetë i mërzitshëm. Gjermanët i konsiderojnë urdhërat e tyre gjermane si një të mirë për popujt që pranojnë të përfitojnë nga drejtimi shkencor dhe i harmonishëm berlinas. Kjo mirësi po fillon që t’i ngjajë si shumë kalimit nën çizmen prusiane. Po Italia, a nuk do të kthehet dhe ajo më vonë pjesë e hapsirës vitale gjermane ?

Duçes i prishet humori edhe më keq.
I duhet me çdo kusht një shpërblim spektakular.
I telefonon Çianos.

 

« Dhëndrri  » është i kënaqur me veten

- Shqipëria është një gjah që nuk do t’i shpëtojë shqiponjave romake. Hija e tyre sillet prej vitesh mbi atë vend, shprehet me zë të lartë Çiano duke parakaluar përpara portreteve të tij të panumërt dhe besnikut të tij Starace, me monoklin e vendosur me kujdes në syrin e djathtë.

« S’ka shumë që anglezët janë njohur me traktatin tim sekret me Stojadinoviçin. Me ta përfunduar atë do të përmbush kështu një vepër që do të shënohet në historinë e Italisë fashiste. Duçja është gati të pranojë argumentat e mia. Dhe Geringu më në fund po fillon të më marrë në konsideratë, shton ai i shpenguar.

« Berlini e ka të qartë se çfarë përfaqësoj. »

Larg nga Duçja dhe Geringu, ai fillon që të gjejë sigurinë në vetvete përpara dështimeve të tij berlineze e polake.

Pastaj, papritur ndalon, dhe të dy bashkëpunëtorët e tij ngrihen menjëherë për të përshëndetur ardhjen e Edda Çiano-Mussolinit, që dridhet akoma nga emocionet.

- Ka një gjysmë ore që takova atasheun ushtarak gjerman…

Starace rregullon monoklin e tij.

- Ai më njoftoi se me 12 mars në orën 9, Zogu kishte pritur në Tiranë një delegacion të formuar nga njëmbëdhjetë bajraktarë. Ata i kërkonin burrit të Geraldinës që të prishte traktatin me ne dhe të bëheshin « të pavarur ». Çiano i dashur, po afrohet momenti që të marrësh fluturimin…

- Shumë mirë, thotë Starace. Vetëm kujdes. Ju e njihni Duçen më mirë se unë. Pa akordin e prerë të Geringut ai s’do të bëjë asnjë veprim. Dhe unë po ashtu kam besim : është punë ditësh. Që kur Geringu shikon përpara dritares së tij në San Remo Warspte-nin, ai nuk qetësohet. Tani ai e di që i duhet mbyllur Adriatiku anglezëve për sa kohë që nuk kënaqen së parakaluari.

- Po jugosllavët ? pyet Edda menjëherë e shqetësuar.

- I kam parashikuar të gjitha, i përgjigjet Çiano, me mburrje. Sipas marrëveshjes me Stojadinoviçin, do t’i jap atyre Shkodrën dhe fshatrat përreth, sigurisht duke ruajtur për ne të gjithë bregun dhe dy të tretat e vendit. I mbetet që të përmbajnë veten se ndryshe…

 

Tirana

Në vilën e vogël të rrethuar me kopshte dhe që e quajnë në mënyrë pompoze « Pallati mbretëror », presin me shqetësim dhe shpresë një ngjarje të lumtur : lindjen e një trashëgimtari apo të një trashëgimtarje të dinastisë më të re të botës.

Por mbreti Zog është dyfish i shqetësuar. Për familjen e tij, dhe për fronin e tij. Punët me Italinë shkojnë keq. Ai i njeh tashmë planet e ndarjes së mbretërisë së tij, vendit të lashtë të bijve të Shqipes që askush deri tani nuk ka mundur  që t’i nënshtrojë.

Vendi ka rënë në një lloj përgjumje. Mirditorët, malësorë të vrenjtur e krenarë, Kelmendasit, ezmerë e të dhjamosur, Dukagjinasit, të thatë, asketikë dhe me sy blu si të skandinavëve, poshtë çallmave shumëngjyrshe, bisedojnë me qetësi në pazar. Dy arteret kryesore, bulevardi Zogu i I dhe bulevardi Musolini që të çojnë drejt stacionit të Radios dhe drejt aerodromit, janë pothuajse të zbrasur.

Papritur, zhurma e një avioni e bën Zogun që të lëvizë. Mbreti shkon menjëherë drejt dritares. Një Caproni i Ala Littoria-s, kompanisë italiane që zotëron për tridhjetë e pesë vjet monopolin e komunikacionit ajror të vendit të Shqipes, bëhet gati të ulet.

Në aerodrom, mekanikë nga Torino shpejtojnë përrreth avionit, nën vështrimin admirativ dhe vëzhgues të dy xhandarve shqiptarë. Një burrë i gjatë me tipare energjike, por me një vështrim të pakapshëm, po zbret. Është Sereqi, ish ndihmësi i mbretit, i cili, që prej 24 marsit, bën lidhjen mes mbretit Zog dhe burrit të Edda-s.

Duke kaluar me shpejtësi në një Fiat të hapur, lajmëtari përshkon qytetin e qetë. Ai pritet në prag nga mbreti që duke i parë shprehjen e fytyrës, i ikën gjaku. Ja pra, domethënia e pranisë së anijes të dytë luftarake që ka ndaluar dje pranë shkëmbit të Sazanit, përballë Vlorës, nga ku topat italianë mbajnë nën zjarr jo vetëm bregun shqiptar, por gjithashtu hyrjen në Adriatik.

Gjatë kohës që retë shpërndahen në anën tjetër të Adriatikut, qetësia mbretëron në ndërtesën e lartë me dritare të mbuluara me kangjella ku, nën tabelën e legatës italiane, strehohen gjithashtu Fashio, shkollat italiane dhe… banka e Shqipërisë.

 

Ar, naftë apo strategji ?

Nëse Italia ka vënë në dorë bankën kombëtare shqiptare, kjo për arsyen se ajo është e vetmja që mbush arkën. Vendi i trazuar dhe i prapambetur kishte nevojë për mbështetje dhe kredi. Duke marrë pushtetin me një dorë të hekurt në vitin 1924, Zogu (vetëshpallet mbret në 1928) kërkojë ndihmë gjithkund. Kapitale për Shqipërinë ? Musolini e priste këtë moment.

Prej shumë kohësh Shqipëria ishte strumbullari i shtrirjes italiane drejt Adriatikut. Duçja, duke qenë vetë i varfër, vuri në veprim të gjithë arin italian. Në fillim ajo qe një derdhje vjetore prej 10 milion lirash. Pastaj borxhe për organizimin e monopolit të duhanit. Në total, më shumë se dy miliard franga. Si këmbim, Italia kontrollon doganat, portet, aviacionin dhe tregtinë, deri në atë pikë, sa dhe në qoshet më të egra të maleve, qypat e vjetër dhe calikët e lashtë janë zëvëndësuar nga bidona prej llamarine që mbajnë markën C.I.D.P. (Compania Italiana di Petroli). Shtresat misterioze të naftës në rrethin e Kuçovës, zona e Vlorës, janë tërësisht në duart e italianëve. Askush nuk e njeh me saktësi shifrën e prodhimeve, por rafineritë e Livornos dhe të Barit janë rregulluar për të rafinuar çdo vit 2 400 000 ton naftë bruto. Një bllof për t’ju kundërvënë sanksioneve të naftës apo një prodhim në shërbim të luftës ?

Atë, vetëm Duçja e di.

Egziston gjithashtu kontrolli i plotë ushtarak dhe strategjik i vendit. Nga shkëmbi i Sazanit, Italia kontrollon Vlorën dhe detin Adriatik. Aviacioni është krejtësisht italian.
Tashmë, që në vitin 1903, mbreti Viktor Emanueli i kishte deklaruar princit Bulow :

- Epërsia italiane në Shqipëri është një çështje për jetë a vdekje për Romën. Ajo kurrë nuk do të tolerojë vendosjen e një fuqie tjetër.

Çështje për jetë a vdekje. Por mbi të gjitha, mizanskene për të okupuar skenën dhe shmangur vëmendjen.

 

Fillimi i ekzekutimit

- Kjo nuk mund të vazhdojë më kështu, deklaron Çiano, gjithnjë e më shumë olimpik që kur ka filluar një aksion të vërtetë, dhe vështrimi i tij djeg si rrufe një « kundërshtar të rëndësishëm » : përfaqësuesin e mbretërisë shqiptare, gjysmë e sajuar e gjysmë-vasale e italianëve.

« Motrat e mbretit tuaj kanë shpenzuar muajit e fundit më shumë se dhjetë milion ; ministri i tregtisë Gera e ka të mbushur portofolin e tij plot me tufa faturash të këtij lloji. Miliardat e investuara nga ne në vendin tuaj bëhen tym. Ahmet Zogu duket se e ka harruar që na ka borxh gjithshka… Tani është mbushur kupa, dhe ai, i rrudh vetullat si vjehrri i tij kur është i nxehur.

« Më duhet një përgjigje e menjëhershme për kërkesat tona ; po jua kujtoj : « Të drejtën për të zbarkuar trupat në çdo moment, kontroll të ndërtesave ushtarake, të drejta civike për të gjithë italianët që banojnë në Shqipëri, duke kuptuar dhe atë të zgjedhjes deputet e ministër ; shkrirjen e ministrisë të punëve të jashtëme ; sekretarë të përgjithshëm italianë në të gjitha ministritë. O mereni o lejeni. Avioni po ju pret… « 

Me datat 3 dhe 4 prill, emisarët italianë përshkojnë të gjithë Europën duke kërkuar ortakë mes emigratëve shqiptarë që të mund të shkaktojnë një lëvizje kundër Zogut. Por nuk gjejnë asnjë bashkëpunëtor për të përsëritur goditjet si në Moravi e Bohemi.

(Nga korrespondenti i revistes Match)

Përgatiti YD

 

Mesazh privat :

 

Votre nom : (oblig.)
Votre email : (oblig.)
Site Web :
Sujet :
Message : (oblig.)
Vous mettre en copie (CC)
 

123
 

Mariage Ingrid et Florent |
ANIMATION (CHATEAU GONFLABLE ) |
BIENVENUE dans mon Univers ... |
Unblog.fr | Créer un blog | Annuaire | Signaler un abus | Moi, Lilith
| venez chez zabuzobe ça peu ...
| Cours en ligne Infocom