Poikilos

Vivre, c’est fabriquer du passé

Archive pour la catégorie 'FLETE TE GRISURA'

Përgjigjia është jo

Posté : 18 décembre, 2011 @ 8:44 dans FLETE TE GRISURA | Pas de commentaires »

Përgjigjia është jo dans FLETE TE GRISURA jo-300x300Nga kopshti ngjitur me shtëpinë që kam marrë me qera këtë verë dëgjoj : « Të thashë jo që jo, përgjigjia është jo ». Janë zërat e lartë të prindërve që duan të tregojnë autoritetin e tyre. Sa më shumë  fëmijët ngulin këmbë, aq më shumë zërat kërkojnë të imponohen dhe fëmijët heqin dorë. Ata donin që të luanin akoma dhe pak  apo të shkonin me shokët e tyre apo të hanin një tas me krem-çokollatë, jo, përgjigjia është jo.

Nuk është veçse fillimi i një serie të gjatë jo-shë që i pret rrugën dëshirës.

« Të thash, jo sonte. – Përse ? – Nuk kam dëshirë. » Burri i zhgënjyer, i privuar, i xhindosur, tenton të imagjinojë të tjera gra, i kthem kurrizin gruas së tij dhe nuk arrin që ta zërë gjumi.

Ja tek më kujtohen – lidhje e çuditshme – ato pacientët që, në dëm të analistit të tyre, refuzojnë me këkëfortësi që « të ndjehen më mirë ». Këmbëngulje si nga njëra palë ashtu dhe nga tjetra. Furor sanandi nga një anë dhe, nga tjetra, refuzimi për t’iu nënshtruar të gjithë atyre që pretendojnë se ia duan vetëm të mirën.

Me fjalë të tjera një « reaksion mjekues negativ ». A është e vërtetë që analisti mund të jetë pa shpresë, pa dëshirë ?

*

Ai ëndërronte që të bëhej pilot në një aeroplan-gjuajtës. Përgjigjia qe jo (dobësim dëgjimi në veshin e majtë).

Kishte ëndërruar që të martohej me Anën, vajzën më të bukur të qytetit, gjinjtë më të bukur në botë. Përgjigjia qe jo.

Ishte i sigurtë që do të fitonte në kompionatin e tenisit. Përgjigjia qe jo.

I kërkoi drejtorit të personelit një rritje rroge. Përgjigjia qe një jo e prerë.

Ëndërronte që të ishte nxënës në Instititutit e lartë pedagogjik. Përgjigjia qe jo.

Dëshëronte që të kishte një djalë. Përgjigjia e Natyrës qe jo.

I dërgoi dorëshkrimin e romanit të tij të mrekullueshën një botuesi. Përgjigjia qe jo dhe, in cauda venenum, « faleminderit që na e dërguat ».

Do të kishte dashur aq shumë që të vdiste pa vuajtur (nga një pushim zemre, për shembull,  përgjatë gjumit). Përgjigjia qe jo.

J.-B. Pontalis, En marge des nuits

Perktheu YD

 

 

Herman Hesse, Letër një artisti të ri

Posté : 16 novembre, 2009 @ 1:31 dans FLETE TE GRISURA | Pas de commentaires »

hermannhesse.jpg

5 janar 1949

I dashur J. K.,
Të falenderoj për mesazhin që më dërgove me rastin e Vitit të Ri. Ai është i trishtueshëm e dëshpërues dhe e kuptoj atë mjaft mirë. Megjithatë, ka aty një frazë ku ti thua se të është ngulitur në mendje ideja se një kuptim dhe një mision kanë qenë caktuar për ty dhe për jetës tënde dhe se ti vuan nga moszbulimi i këtij kuptimi dhe nga mospërmbushja e këtij misioni. Pavarësisht, kjo më duket inkurajuese, sepse është e vërtetë në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, dhe të lutem që t’i kujtosh e t’i meditosh herë pas here shënimet që do të shkruaj në lidhje me këtë subjekt. Këto reflektime nuk janë të miat, ato janë po aq të vjetra sa bota dhe bëjnë pjesë në atë që njerzit kanë shprehur si më pozitive për veten dhe misionin e tyre.
Atë që ti bën në jetë, dua të them, jo vetëm si artist, por gjithashtu dhe si njeri, burrë e baba, mik, komshi, etj., pra, e gjitha kjo vlerësohet në funksion të “kuptimit” të përjetshëm të botës dhe sipas kritereve të drejtësisë së përjetëshme, jo duke iu referuar disa matjeve të vendosura njëherë e përgjithmonë, por duke i aplikuar veprimeve të tua, aftësinë tënde, të veçantë e personale. Kur Zoti do të gjykojë, ai nuk do të pyesi : “A ke qenë një Hodler, një Picasso, një Pestalozzi, një Gotthelf ? Përkundrazi ai do të pyes : “A ke qenë dhe a je në të vërtetë J. K.-ja për të cilin ti ke trashëguar disa predispozita ? I pyetur në këtë mënyrë, askush nuk do mundet që t’i flasë për egzistencën dhe gabimet e veta pa ndjerë tmerr e turp ; pak a shumë ai mund të përgjigjet : “Jo, s’kam qenë ky njeri, por të paktën jam përpjekur që të bëhem i tillë brenda mundësive të mia.” Po t’i thotë ato me sinqeritet, ai do të jetë i justifikuar e do të dalë i fituar nga prova.
Nëqoftëse ti shqetësohesh nga imazhe të tilla si “Zoti” apo “gjykatësi i përjetshëm”, lëri ato qetësisht menjanë, sepse ato s’kanë shumë rëndësi. E vetmja gjë që ia vlen është fakti që secili prej nesh është depozitues i një trashëgimie dhe mbajtësi i një misioni ; secili nga ne ka trashëguar nga nëna dhe babai, nga stërgjyshërit e tij të shumtë, nga populli i tij, nga gjuha e tij, disa veçanti të mira apo të këqia, të këndshme apo të pakëndshme, disa talente dhe disa difekte, dhe të gjitha këto të mbledhura sëbashku na bëjnë të jemi këto që jemi, ky realitet i përveçëm që quhet J.K., në rastin tënd. Kështu pra, këtë realitet të përveçëm, secili nga ne duhet ta vërë në pah, ta jetojë deri në fund, ta çojë deri në pjekuri, dhe më sëfundi, ta perfeksionojë sa të jetë e mundur. Në lidhje më këtë mund të citojmë shembuj mjaft mbresëlënës e që i gjejmë me bollëk në historinë universale dhe historinë e artit. Ashtu siç shohim që në shumë përralla ka shpesh një perzonazh që është idioti i familjes, i paafti, dhe ndodh që atij t’i jepet roli kryesor. Është pikërisht besnikëria në vetë natyrën e tij që i bën individët e tjerë, më të zgjuar se ai, e të favorizuar nga suksesi, të duken mediokër.
Kështu, në fillim të shekullit të kaluar jetonte në Frankfort familja Brentano, e pasur me individualitete mjaft të zotë. Nga njëzet fëmijët që kishte në atë kohë, dy prej tyre sot janë të shquar : poetët Klement dhe Betina Brentano. E pra, këto vëllezër e motra të shumtë qenë të gjithë të zgjuar, interesantë më tepër se mesatarja, mendje të ndritura, talente të klasit të parë. Vetëm i madhi i fëmijëve ishte dhe ashtu mbeti, i leshtë dhe gjithë jetën e tij e kalojë në shtëpinë e prindërve, një shpirt i qetë i vatrës familjare për të cilin nuk kishte ndonjë rrugëzgjidhje ; katolik, ai respektonte të gjitha detyrat e besimtarit ; si djalë dhe si vëlla tregohej i matur e babaxhan, dhe në mes të bandës së lumtur e mëndjemprehtë të vëllezërve e motrave, ku shpesh shpërthente ekstravaganca, ai bëhet gjithnjë e më shumë qendra e heshtur dhe e qetë e familjes, një lloj guri i çmuar familiar që rrezatonte paqe e mirësi. Vëllezërit dhe motrat e tij flasin për këtë leshko, për këtë qenie foshjore, me një respekt, një dhëmshuri të tillë, si për asnjë tjetër. Pra, dhe atij gjithashtu, këtij budallai, këtij idioti, i kishte qenë caktuar një kuptim dhe një mision dhe ai i kishte përmbushur ato më mirë se të gjithë vëllezërit e motrat e tij të ndritur.
Shkurt, kur dikush ndjen nevojën për të justifikuar jetën e tij, nuk është niveli i përgjithshëm i aksionit të tij, parë nga pikëpamja objektive, që ka rëndësi, por më shumë fakti që vetë natyra e tij, ajo që i ka qenë dhënë, të shprehet sa më sinqerisht që të jetë e mundur në egzistencën dhe në aktivitetin e tij. Tentativa të panumërta na kthejnë vazhdimisht nga kjo rrugë ; më e forta prej tyre është ajo që në brendësi të vetes sonë na bën të besojmë  se mund të ishim dikush krejt tjetër nga ai që jemi në realitet dhe kështu fillojmë të imitojmë modele dhe të ndjekim ideale që jo vetëm nuk duhen, por as që mundemi t’i arrijmë. Kjo tentativë është veçanërisht e fortë tek personat e pajisur me aftësi superiore, tek ata, ajo paraqet shumë më tepër rrezik se një egoizëm i thjeshtë me rreziqet e tij vulgare, sepse ajo shfaqet me pamjet e një fisnikërie shpirtërore e morale.
Në një moment të jetës, çdo djalë i ri ka ëndërruar të drejtojë një karrocë me kuaj apo një lokomotivë, të bëhet gjuetar apo gjeneral, dhe më vonë, të bëhet një Gëte apo Don Zhuan ; kjo është një tentative e natyrshme, e pashmangshme në zhvillimin normal të individit dhe një mënyrë për t’u vetë-edukuar : imagjinata, si të thuajsh, duke kërkuar në të errët, merr kontakt me mundësitë e së ardhmes. Por jeta nuk i plotëson këto dëshira dhe idealet e fëmijërisë e të rinisë vdesin vetvetiu. Megjithatë, ne vazhdojmë përherë me dëshirën për të bërë gjëra për të cilat nuk jemi bërë dhe përpiqemi t’i imponojmë natyrës sonë kërkesa që e dhunojnë atë. Të gjithë ne reagojmë në këtë mënyrë. Por në të njejtën kohë, në momentet e një vetëdije të mbrendshme e ndjejmë gjithnjë e më shumë se nuk ka rrugë që do të na çojnë jasht vetes sonë, drejt diçkaje tjetër, se duhet ta përshkojmë jetën me aftësitë e dobësitë që janë tonat e thjesht personale dhe ndodh që disa herë të bëjmë përparime, të realizojmë diçka që deri mëparë nuk ishim të zotët ta bënim, dhe për një çast, pa hezituar, e aprovojmë dhe kënaqemi me veten. Sigurisht që kjo kënaqësi nuk ka asgjë të qëndrueshme ; megjithatë, pas kësaj, pjesa më intime e vetes sonë s’tenton gjë tjetër veçse të ndjehet e rritur dhe e pjekur në mënyrë të natyrshme. Vetëm në këtë mënyrë mund të jemi në harmoni me botën dhe nëqoftëse arrijmë që ta njohim këtë gjendje, eksperienca që mund të bëjmë do të jetë akoma më e thellë.
Kur them se misioni që i besohet çdo individi është i ndryshëm për secilin prej tyre, nuk kam aspak parasysh atë që diletantët e artit, të vjetër e të rinj, quajnë mbrojtja dhe afirmimi i individualitetit e origjinalitetit të tyre. Kuptohet vetvetiu se kur një artist e bën artin profesion dhe qëllim të jetës së tij, i duhet të fillojë nga mësimi i gjithshkaje që i shërben mjeshtrisë ; ai s’duhet të mendojë se do t’i duhet që ta shmangë këtë nxënie me qëllim që të ruaj origjinalitetin dhe personalitetin e tij të vyer. Shembujt të tillë nuk mungojnë. Përpjekja personale për të asimiluar atë që kemi mësuar është një detyrë fillestare, si në fushën e artit, ashtu dhe në atë të jetës së përditëshme. Duhet që fëmija të mësojë të hajë, të jetë i pastër, i duhet mësuar shkrimi e këndimi. Studimi i gjithshkaje që duket se ia vlen të mësohet nuk bëhet pengesë në zhvillimin e individualitetit, përkundrazi e favorizon dhe e pasuron atë. Më vjen turp që të shkruaj të zezë mbi të bardhë gjëra të tilla kaq të qarta, por kemi mbrritur në atë pikë ku askush nuk duket se ka instiktin e të reaguarit sipas rregullave natyrale dhe e zëvëndëson këtë instikt me një kult primitif të së jashtëzakonshmes dhe absurdes. Në art, nuk jam aspak armik i së resë, përkundrazi, dhe ti e di mirë, por në fushën e moralit, domethënë kur është fjala për sjelljen e njeriut në lidhje me detyrën që i bie të kryej, modat dhe shpikjet e reja më duken të dyshimta dhe jam krejt mosbesues kur dëgjoj njerëz të arsyeshëm të flasin për morale të reja, etika të reja, sikur të flisnin për moda apo stile në art.
Në botën aktuale i kërkojnë njeriut akoma tjetër gjë, dhe kjo kërkesë është e përhapur nga partitë politike, nga vende apo profesorë të moralit universal. I kërkojnë njeriut që ai të heqë dorë njëherë e përgjithmonë nga vetevetja dhe nga ideja që nëpërmjet tij, diçka personale dhe e veçantë mund të ketë kuptim ; e bëjnë të kuptojë se ai duhet që t’i adaptohet një lloj humanizmi normal apo ideal që do të jetë ai i së ardhmes, që duhet të transformohet në një nga ingranazhet e makinerisë, në një nga gurët e ndërtesës, mes miliona gurëve të tjerëve, po aq të ngjashëm. Nuk do të doja që të shprehesha mbi vlerën morale të kësaj kërkese : ajo ka anën heroike e madhështore të saj. Por nuk besoj në atë. Vënia në rresht e individëve, me gjithë dëshirën e mirë, është në kundërshtim me natyrën dhe nuk të çon në paqe e në gjakftohtësi, por në fanatizëm dhe në luftë. Në fund të fundit, flitet për një kërkesë prej murgu dhe ajo është legjitime kur bëhet fjalë për murgjit, për njerëz që kanë hyrë të lirë nën urdhrat fetare. Megjithatë, nuk besoj që kjo kërkesë, që është e lidhur me modën, do mund të paraqesë një rrezik serioz për ty.
Shoh që letra është kthyer pothuajse në një disertacion. Do të bëj disa kopje dhe kur të më jepet rasti do t’ia lexoj gjithashtu dhe personave të tjerë. Mendoj se nuk do të kesh ndonjë kundërshtim.
Përktheu YD

Konferenca e Jaltës

Posté : 26 mars, 2009 @ 12:55 dans FLETE TE GRISURA | Pas de commentaires »

E dielë, 11 shkurt 1945

Si çdo natë, Stalini punon deri në orën 5 të mëngjesit me Berian, Molotovin dhe Malenkovin për të ripunuar dispozitat e fundit politike,  me Vishinskin, Gromikon, Majskin, Aleksandrovin për të mos neglizhuar asgjë nga problemet teknike, po ashtu dhe me gjeneralin Antonov dhe shtabmadhërinë e tij të ngarkuar për të ndjekur zhvillimin e betejave në vazhdim. Pastaj shkon të shtrihet dhe fle deri vonë në mesditë.


Çurçillit i shërbehet një biftek i mirë në orën 11 dhe, duke gëlltitur një tas më kaviar, kuvendon me Edenin. Edhe këtu ai ka veshur gjithashtu pishamat e tij të çuditëshme me lule të mëdhaja në ngjyrë të gjelbërt dhe të kuqe. Vazhdon të mallkojë nëpër dhëmbë kundër ngutjes së tepërt. « Ruzvelti do të ndërtojë Shtetet e tij të bashkuara në pesë a gjashtë ditë, në një kohë që dhe Fuqiplotit i janë dashur shtatë për të krijuar të tijat. »


Ruzvelti, i zgjuar rreth orës 10, fillon të bashkëbisedojë me sekretarët e tij, pastaj komunikon me Hopkinsin. Ky është i gëzuar nga formula që gjeti drekën e kaluar, kur ngriti një dolli për Çurçillin, « kush i bindet një Kushtetute që nuk është akoma e shkruar, përfiton për kabinetin e tij të luftës fuqi që nuk kanë qënë asnjëherë të përkufizuara madje as të përcaktuara, dhe dispozon në të vërtetë pushtete që nuk janë veçse ato që ai dëshëron që të jenë… » Të dy burrat ngazëllejnë : ata janë vërtetë të bindur se kanë arritur fitoren më të madhe që mund të imagjinohet.
Në vazhdim, Presidenti, në kolltukun me rrota të shtyrë si gjithmonë nga zezaku i tij besnik Artur Pretisman, i rrethuar nga inspektorë të fuqishëm me këllëfë të mëdhenj revolverësh , ka kaluar në revistë njësinë e marinarëve të Cococtin-it të cilët kanë siguruar gardën amerikane në Grand Palais gjatë javës. Pasi falenderon përzemërsisht lejtnantin Norris Houghton për punën e tyre si dhe të gjithë përkthyesve, e ngjisin me mundim në kolltukun e tij, buzë një Jeep-i të modifikuar posaçërisht për atë, për të bërë një shëtitje. Pranë i ndodhet vetëm e bija. Për një kohë të gjatë, makina shkon e vjen nëpër parkun e gjërë të Livadias. Koha është e mrekullueshme. Dielli shkëlqen. Presidenti nuk ka veçse një mendim : të niset. Ai duket si i kapur nga ky padurim patologjik që karakterizon disa të sëmurë të mëdhenj kur ndjejnë ardhjen e orës së fundit. Këtej e tutje, mëqenëse për atë kryesorja është arritur, gjithçka e mërzit dhe e irriton. Gëzohet kur mendon takimin me tre monarkët piktoreskë që e presin pranë detit të Kuq. Ai mediton letrën që do t’i dërgojë zonjës Ruzvelt : « Gjithçka kaloi shumë mirë, mendoj… » Pa dyshim që është i lumtur, plotësisht, por e ndjen veten të lodhur. Dhe lodhja e tij nuk i shpëton asnjërit përgjatë kohës që, përherë në kolltukun e tij prej invalidi, kurrizin e ngrohur nga zjarri i madh i kërcunjëve në oxhak, ai hap në mesditë
egzaktësisht të tetën dhe të fundit mbledhje plenare.

Asistojnë aty njëzet e pesë persona.

Nëntë amerikanë : Presidenti, Stettinius, Leahy, Hopkins, Harriman, Matthews, Bohlen, Alger, Hiss dhe Foote (një nënpunës i departamentit të shtetit)

Nëntë anglezë : Churchill, Eden, Cadogan, Clark Kerr, Jebb, Bridges, Wilson, Dixon, Major Birse.

Shatë rusë : Staline, Molotov, Vychinsky, Maïsky, Gousev, Gromyko dhe Pavlov.

Është fjala për të aprovuar komunikatën e destinuar të publikohet të nesërmen.
Dokumenti bazë ka qenë përgatitur dhe prezantuar nga delegacioni amerikan.
Është Stettinius që e lexon, por është Wilder Foote ai që e ka përpiluar pak a shumë sipas kërkesës së Steve Early, të bazuar në rekomandimet e sakta të Hopkins.
Çurçilli, që ka dëshirë të verë dorën në dokumentat historike dhe që vrojton gjithmonë pastërtinë e « anglishtes britanike » përballë « anglishtes amerikane », propozon gjashtë a shtatë modifikime të vogla të tekstit, që mund të pronohen pa vështirësi. Ai heq në veçanti fjalën « joint », e cila është cituar disa herë, sepse ajo « është një fjalë që përcakton qingjin e pjekur të dielave në familjet angleze ».

Stalini nuk ka asnjë kundërshtim.

Teksti Foote adoptohet përfundimisht dhe i transmetohet shërbimeve për tu përkthyer.
Mund të kalohet në tavolinë.
Është ora 12 e 50.
Dreka nuk ka përfunduar akoma kur sekretarët sjellin për të firmosur, tekstet përfundimtare. Mes kaviarit dhe rosbifit, Franklin Ruzvelt, Josif Stalin dhe Uiston Çurçill, duke shtyrë gotat dhe pjatat, firmosin një nga dokumentet më të rëndësishëm të Historisë.

Arthur Conte, Yalta ou le partage du monde, faqe 343

konf.jpg

12345
 

Mariage Ingrid et Florent |
ANIMATION (CHATEAU GONFLABLE ) |
BIENVENUE dans mon Univers ... |
Unblog.fr | Créer un blog | Annuaire | Signaler un abus | Moi, Lilith
| venez chez zabuzobe ça peu ...
| Cours en ligne Infocom