Poikilos

Vivre, c’est fabriquer du passé

Archive pour la catégorie 'FLETE TE GRISURA'

Mjetet e komunikimit izolojnë

Posté : 16 mars, 2009 @ 11:13 dans FLETE TE GRISURA | Pas de commentaires »

Mjetet e komunikimit izolojnë dans FLETE TE GRISURA voutchAfirmimi sipas së cilit mjetet e komunikimit janë burim izolimi nuk vlen vetëm për fushën intelektuale. Jo vetëm fjala e gënjeshtërt e spikerit të radios le gjurmë në trurin e njerzëve dhe i pengon ata të flasin mes tyre, jo vetëm reklama e Pepsi-Cola-s mbulon informacionet që kanë lidhje me shkatërrimin e kontinenteve mbarë, jo vetëm shembulli i heroit të kinemasë vjen e ndërhyn si një fantazëm kur adoleshentët përqafohen apo kur të rriturit bëjnë një shkelje kurore. Progresi i ndan njerzit. Biletaria e vogël pranë stacioneve të trenit apo zyrat e postës e lejonin nënpunësin që të bisedonte apo të bënte shaka me kolegun e tij dhe të ndante me atë sekretet e thjeshta të zanatit ; të ndarat prej xhami në zyrat moderne, sallat e stërmëdhaja ku punojnë një numër i pafund punonjësish që publiku apo padronët mund t’i survejojnë lehtësisht nuk lejojnë më bashkëbisedimet private, as dashuriçkat. Madje vetë në administrata taksapaguesi është i garantuar që nënpunësit nuk e shkojnë kohën kot. Ata janë të izoluar në kolektivizëm. Por mjetet e komunikimit izolojnë gjithashtu njerzit fizikisht. Automobilët kanë zëvëndësuar hekurudhat. Vetura private redukton mundësitë për t’u takuar përgjatë një udhëtimi. Njerzit udhëtojnë mbi rrota, komplet të izoluar nga njëri-tjetri. Përkundrazi, bashkëbisedimet nuk ndryshojnë nga një veture në tjetrën ; bashkëbisedimi i çdo celule familjare është i komanduar nga interesat praktike. Po ashtu si çdo familje i kushton një përqindje të të ardhurave të saj për banimin, kinema, cigare siç e përshkruajnë më saktësi statistikat, po aq subjektet e bashkëbisedimit variojnë me tipin e veturave. Kur udhëtarët takohen të dielën në restorante ku menutë dhe dhomat janë komplet identike me gjithë kategoritë e ndryshme të çmimeve, vizitorët kuptojnë që bashkë me izolimin në rritje në të cilin jetojnë, ata përngjajnë të gjithë përherë e më shumë. Komunikimet vendosin uniformitetin përmes njerzëve duke i izoluar ato.

Theodor W. Adorno, Dialektika e arsyes (1947)
Përktheu Ylli Demneri
 

Poezi nga Rabindranath Tagore

Posté : 25 janvier, 2009 @ 7:06 dans FLETE TE GRISURA | Pas de commentaires »

Lutje

Dhyâna

Dje erdha përsëri pa ju thënë një fjalë.

I dhashë fund përgjithmonë

duelit mes shpresës dhe pikëllimit,

ankesave pafund.

Në qiellin e vrejtur të mungesës ka rënë mbrëmja.

Ju sodis

ju mbaj, në pafundësi

në plotësi.

 

Rrjedha e botës s’është më,

as diell as hënë

as yll as planet asgjë ;

ajri mbetet pagojë, asnjë gjurmë pemësh

nuk vizatohet në horizont.

 

Asnjë njeri asnjë pshehrëtimë,

zhurma e hapave të kohës sfumuar

ndalur çasti i papërfunduar

fragmentet e të cilit numëroj.

 

S’është më as ditë as natë –

as uni asgjë që t’ju mbajë lidhur me mua.

Nuk ka as kënaqësi, as dhimbje as frikë,

çdo dëshirë është shuar –

një prehje ndjehet

në qetësinë e qiellit.

 

Gjithëshka ka gjetur strehë tek ju,

në veten vetmitare –

në shpirtin tim pa unin nuk përvijohet

veçse intimi vizion i juaj.

 

3 korrik 1932

 

Përktheu YD©

Në kërkim të kohës së humbur (fragment)

Posté : 14 novembre, 2008 @ 3:17 dans FLETE TE GRISURA | Pas de commentaires »

Në kërkim të kohës së humbur (fragment) dans FLETE TE GRISURA lulevjeshtemonet-e1326198973844

Lulevjeshte, Claude Monet

Odetë kishte, në sallonin e saj, tani në fillim të dimrit, lulevjeshte të mëdhaja e të një larmie ngjyrash të tilla që Swann dikur në shtëpinë e saj nuk kishte patur mundësi që t’i shikonte. Admirimi im për ato, – kur shkoja për t’i bërë zonjës Swann një nga ato vizitat e trishtuara – vinte padyshim ngaqë, rozës së zbehtë si mëndafshi Luigji XV i kolltukëve të saj, të bardhës borë si fustani i saj prej tyli, apo të së kuqes metalike si ajo e samovarit, ato i shtonin atij të sallonit një zbukurim më shumë, të një koloriti po aq të pasur, po aq të rafinuar, por të gjallë dhe që nuk do të zgjaste më shumë se disa ditë. Por ndjehesha i prekur sepse këto lulevjeshte kishin një përkohshmëri relativisht më të madhe në krahasim me ato tone po kaq të trëndafilta e po kaq të kuqërremta që perëndimi i diellit ekzalton aq madhërishëm në mjergullën e lehtë të pasditeve të nëntorit që pasi i kisha vështruar para se të hyja tek zonja Swann, duke u shuar në qiell, i rigjeja më pas, të zhvendosura në paletën e ndezur të luleve. Si zjarre të shkulur nga një kolorist i madh në paqëndrushmërinë e atmosferës dhe diellit, që vinin për të stolisur një banesë njerzore, më ftonin, këto lulevjeshte, me gjithë trishtimin tim, për të shijuar si i etur përgjatë asaj ore çaji kënaqësitë aq të shkurtra të nëntorit që ato bënin t’i flakërojë pranë meje madhështia intime e misterioze.

Marcel Proust (A la recherche du temps perdu)

12345
 

Mariage Ingrid et Florent |
ANIMATION (CHATEAU GONFLABLE ) |
BIENVENUE dans mon Univers ... |
Unblog.fr | Créer un blog | Annuaire | Signaler un abus | Moi, Lilith
| venez chez zabuzobe ça peu ...
| Cours en ligne Infocom