Poikilos

Vivre, c’est fabriquer du passé

Archive pour la catégorie 'LIBRI'

Rreth librit « Më kujtohet »

Posté : 16 mars, 2011 @ 2:06 dans LIBRI | Pas de commentaires »

Rreth librit “Më kujtohet” i ofron lexuesit shqiptar një hapësirë nëpërmjet të cilës ai mundet, jo   vetëm ta kujtojë e rikonstruktojë të kaluarën e tij (apo të prindërve të tij) – kjo është e thjeshtë – por të ndjejë edhe aromat, edhe shijet, dhe ta prekë atë, atë të kaluar të përbashkët që akoma kërkon gjuhën e duhur për t’u thënë. Nën penën e Ylli Demnerit, kujtimet e fëmijërisë e të rinisë gjatë regjimit komunist gjejnë vërtet regjistrin e duhur : intime pa qenë personale (edhe pse e lexojmë në vetën e parë), të ndjeshme e nostalgjike pa qenë sentimentale, dhe gjithnjë me një sy drejt asaj që imazhi kërkon të thotë përtej fjalëve të përdorura për krijimin e tij. “Më kujtohet”, pra, nuk është thjesht një memoir letrar, por një letërsi që merr si pretekst vetën e parë.

Xhuliana Agolli

Foto nga prezantimi i librit Më kujtohet
Album : Foto nga prezantimi i librit Më kujtohet

20 images
Voir l'album

__________________________________________________________________________

Ylli Demneri, libri yt ka një kthjelltësi e lehtësi marramendëse në të shkruar! Kaq e madhnishme është thjeshtësia e shkrimit tënd, sa që ia prish mendjen çdo njeriu që di shkrim e këndim se mund të shkruaj një libër si ai. Por, sharra, ngec në gozhdë shpejt! Duhet një përvoje dhe filtrim i gjatë estetik, me mbërri me shkrujt gjëra të thjeshta. Qyteti që përshkruan ti në kujtimet tua, i ngjan çdo qyteti shqiptar, bën çdo njeri të reflektojë, për të mirat, për dobësitë dhe ligësitë përmes së cilave kemi kaluar. Fuqia përgjithsuese e librit tënd, i jep atij karakter universal. Kjo është gjë e madhe, pak libra të « mëdhenj » e kanë këtë aftësi. Une e kam njohur Tiranën dhe atdheun që përshkruan ti. Ma rekomandoi Naim Zoto, mik i vjetër. I jam shumë mirënjohes. Ty si autor nuk të dal borxhit asnjëherë. Beso në librin tënd, në tekstin tënd, ripunoje, ribotoje, përktheje…! Të prift e mbara!

Arber Ahmetaj

Me të vërtetë ashtu është. I gjithë stili ynë i jetesës i para ca kohëve është përshkruar në të, me realitetin e një humori sa të bardhe aq dhe të zi. Kam rreth tre vjet që e kam patur në dorë. Aty në atë libër nuk është vetëm autori, por secili nga ne në mënyrën e vet. Arbër, një sugjerim të till ia kam bëré shpesh miqëve të mi.

Mark Simoni

***

« ME KUJTOHET » – një libër i mrekullueshem i Ylli Demnerit që lexohet me një frymë! NJË LIBËR QË DUHET TA KETË SECILI NË BIBLIOTEKËN E TIJ! Më ra në dorë një orë më parë dhe e përpiva… I pari dhe unikal në llojin e tij në letërsinë shqipe. Janë kujtimet e dikujt që kaloi një pjesë të mirë të jetës së tij, ashtu si edhe unë dhe brezi im, në vitet e diktaturës. Nuk është një libër që merret me politikën, por me kujtimet e fëmijërisë dhe rinisë sonë, ose si ç’thotë vetë autori në parathënie, të kujtuarit personal i një të kaluare kolektive… Një libër vërtet i mrekullueshëm që do t’jua rekomandoja miqve të mi dhe cilitdo tjetër me gjithë kënaqësi…

Artan Gjyzel Hasani

***

Urime: një libër i shkëlqyer me detaje fantastike! Rrallë kam lexuar libra me një frymë si ky. Me ke çuditur me saktësinë e detajeve, gati fotografike. Vlen sa një mijë libra për kohën e diktaturës.

Kam përshtypjen se ke patur idenë për të bërë një dokumentar, por nga mungesa edhe e kamerës ke rregjistruar gjithçka në tru.

Në fillim kisha frikë se mos do bëheshe i mërzitshëm me formulen « më kujtohet », por, përkundrazi.

Stili yt, më saktë, syri yt prej shkrimtari-regjisor mund të bëjë gjëra të mrekullueshme pas kësaj. Është diçka mes gazetarit-filmit dhe letërsisë, por që nuk është thjesht përzierje; është stil.

N. Zoto

***

E përpiva, bukur, bile shumë.

Kujtime, kënaqësi, ç’mallje…

Një libër i hapur dhe pambarim për të gjithë ne që ajo e kaluar, e keqe dhe e mirë, ka një domethënie mjaft të madhe dhe mbi të është ndërtuar dhe e sotmja, duam  apo nuk duam, na pëlqen apo jo.

Këto grimca që na servire, brënda, më shumë se çdo gjë, kanë dashuri, shumë dashuri… për jetën, për njerëzit, për tokën, shtëpinë e deri te gjërat më të vogla që mbushin jetën e përditëshme dhe që ne shpesh i anashkalojmë.

Ti me një majë të mprehtë pene sa ke gërvishtur diçka, pak ketu e pak atje dhe ato tani nuk pushojnë së ardhuri nga shumë thellë brenda meje, faleminderit për këtë.

Estetikisht, i shkëlqyer.

Mjaft i kursyer për tu plotësuar vetë dhe për të imponuar një meditim të thelle dhe të kënaqshëm.

Zëre se e pimë atë verë të mirë, unë e shijova shumë.

Edhe unë kujtoj… Faikun dhe Nënën tënde të mirë… Ku janë ?

Të mitë janë akoma këtu. Duket se kanë akoma livadh për të ngrënë…

Po Zana e bukur ?  që na donte të gjithë ne sepse të adhuronte ty, besoj do te jete bërë Nënë tani…

Vete e ke fajin….

Se mi KUJTOVE…

Me mall

Zef  Mosi

***

E lexova me një frymë dhe më pëlqeu shumë. E lexoi edhe babi im që është këtu këto kohë e me tha, aman nëse e ke emailin e autorit thuaji bravo nga ana ime :)
Dy gjëra:
E para: Sa na përputhen kujtimet! Po mendoj seriozisht se ne shqiptaret kemi jetuar të gjithë të njejtën jetë dhe jemi të detyruar të kujtojmë të njejtat kujtime.
E dyta: Shumë kujtese të fortë paske patur. Më kujtove një numër gjërash që i kisha harruar fare. Dhe je aq i saktë saqë s’më besohet se e ke djegur ditarin. Vetëm një gabim të gjeta, latat e druve nuk kanë qenë 1m3 por 0.75m3.

Ështe e habitshme që edhe unë para 2-3 vitesh kam pasur një ide pak a shumë të ngjashme me tënden për të shkruar kujtime me copa. I pata shkruar disa në fakt por kujtimet e mia ishin krejt të planit personal nga ato që ti thua që si interesojne kujt :)

Do të isha shumë i gëzuar sikur ky libër të gjente një përhapje të gjërë ne Shqipëri pasi me të vërtetë ja vlen si për nga bukuria e shkrimit ashtu edhe për vlerën faktuale.

Mirudëgjofshim,
Artani

***

Përshëndetje Ylli,

Librin e mora dhe e lexova me një frymë. Ke bërë diçka elegante dhe krejt origjinale, më pëlqeu shumë. Urime të sinqerta.

Në shumë nga shënimet e tua – pothuajse në të gjitha – gjeta veten në çdo fjalë. Më pate thënë dikur në Alb-club diçka si « ku e dije ti këtë! » që më erdhi në mend kur po lexoja librin, dhe pasi e mbarova, e kuptova tamam çfarë ke dashur të thoshe atherë : Shumë gjëra i paskemi jo vetëm vrejtur krejt njëlloj, por edhe ndjerë po njëlloj. Pothuaj të gjitha, me përjashtim të historive, ishin detaje të përjetuara prej meje. Kjo ishte e bukur sepse më zgjoi shumë kujtime. Ishte gjithashtu e frikshme pasi të duket sikur është dikush në botë me të cilin ke ndarë një ëndërr, gjë që është kaq e tmerrshme për vetë faktin se është e pamundur… Pastaj më zuri gjumi dhe kur hapa sytë m’u deshën disa momente ta kuptoja se ku isha. S’besoj se do të doja më shumë se kaq nga lexuesit e mij, sinqerisht. Ah, dhe me që ra fjala, para pak kohësh kam mbjellë ca lule dorëzonjë në oborr. Janë nga të paktat lule me erë këtu në Amerikë. Para pak ditësh shkova e i kontrollova si dukeshin pas dëborës së madhe të këtij dimri. Dhe po mendoja padashur se ndoshta ato kurrë s’do ta mbushin ajrin me aromën e tyre dehëse siç ndodh në Tiranë, por isha e kënaqur që ishin aty. Për mua kjo thotë shumë.

Nuk di çfarë të them më tepër. Çdo gjë ishte e bukur. Edhe frika jote se mos të arrestonin. Edhe gabimi yt në përdorimin e trajtave të shkurtra (atyre U dhe jo atyre I, hahaha. Një detaj i bukur i dialektit tënd tirOnas:-). Edhe…gjithçka.

Uroj të të lexoj së shpejti në libra të tjerë,
Diana

***

Përshëndetje Ylli,

kam dy ditë që dal shëtitje rrugëve të Tiranës me nje mik të mirë e me një akullore në dorë. Do thuash ç’të intereson?
Ai miku i mirë je ti, akullorja me « kaush  » është « Më kujtohet ». Faleminderit. E kam lexuar dy herë dhe vërtet dhe mua më kujtohen shumë gjëra. Besoj se për një autor (them se e kam provuar pak atë eksperiencë) gjëja më e rëndësishme është të transmetojë te të tjerët ndjenjat dhe të hape dyer të mbyllura.
Ishte vërtet i këndshëm. Në shkëmbim po të dërgoj dhe unë një « tufë » me poezi. Në fakt i kam përgatitur për një botim të mundshëm. Kam ende shumë për të rregulluar por sado dhe kështu nuk besoj se janë për tu hedhur. Dhe gjithashtu dhe një tregim që ia kam kushtuar tim biri dhe që ka fituar çmim në Milano. Është shkruar si fillim në Italisht e pastaj përkthyer në shqip.

Duke të falenderuar dhe njëherë të përqafoj dhe uroj që gjithshka të ketë shkuar ashtu siç doje (edhe pse nuk kam dyshime)
Mirupafshim së shpejti Ardita

***

Ylli i dashur

Formati është brilant fare sepse e marr me vete kudo që shkoj. Gjenija e tij libërthi është që të arratis në një botë tjetër, një botë që gjendet brenda vetes tënde, dhe këtë gjë e bën shumë thjesht, duke përdorur dy tre fjali që t’i ngacmojnë të gjitha shqisat sepse të sjellin imazhe, erëra, e tinguj pa fund.
Vras mendjen ç’do të mendonte për atë libër dikush që nuk e ka jetuar atë kohë. Çfarë vlere mund të gjejë një vallë në faktin që dikujt « i kujtohet » sigla e Eurovizionit?  A do ta kuptonte vallë se sa e ngarkuar është një fraze e tillë me shpresa e përfytyrime naive fëmijërie, me ëndrrat për të udhëtuar e parë një botë tjetër?  Nuk e besoj se dikush që nuk e ka jetuar atë kohë kupton dot gjë, apo zbulon dot nëntekstin në kujtimet e tua. Por aq më mirë që është kështu, sepse ky është libër për një klub ekskluziv, për klubin e atyre që kaluan adoleshencën e rininë në atë vend në vitet 70-80-të.  Fatin që unë jam pjesë e atij klubi herë e bekoj e herë e mallkoj, por dje në veçanti, tek lexoja librin tënd i isha mirënjohëse fatit. Por të isha mirënjohëse dhe ty për kënaqësinë dhe kujtimet e zgjuara, për urën që më ofrove për të vizituar veten time të mëparëshme.
Urime për librin! Të përqafoj me shumë mall!

Era

***

I dashur Ylli,

Shpresoj të jesh mirë me shëndet, punë dhe projekte.

E lexova me një frymë dhe me shumë kënaqësi « ME KUJTOHET ». Të falenderoj për rikthimin në mendje të sa e sa kujtimeve të embla që me perjashtim të ndonje fleshi të herë pas hershëm, ishin pothuajse fshirë nga memoria. Ideja krejtësisht e veçantë bën që t’i rikthehem shpesh një fraze ose një tjetre dhe në mendjen time të lexoj kujtimet e mia kësaj here lidhur me një detaj. Përshembull, mu kujtua makina e akullores. Ishin italiane dhe firma që e prodhonte quhej Gambrinus. Mbaj mend që kur shkova në Itali për herë të parë kishte shumë eksprese kafesh etj me të njejtin emër që me kujtonin Shqipërinë. Etj, etj… Përgezimet dhe falenderimet më të mira, vërtetë! (…)

Miqësisht,

Genti Kame

***

I dashur Ylli,

Ime shoqe, Julia, e lexoi pardje, sapo e morëm. Unë e lexova dje. Na pëlqeu shumë. Na riktheve në vite në jetën tonë në monizëm, në atë jetë plot mundime e pak shpërblime. Ti si djalë tiranas ke dhënë shumë bukur copa nga jeta e kryeqytetit, gati në gjithë aspektet: familjare, shoqërore, intelektuale, morale, politike, etj. Ndjehen aty hallet e problemet e banorëve të Tiranës të trajtuara me dashuri e respekt prej një biri të vërtetë që ia ka njohur ato që nga fëmijëria. Ke gjetur një formë origjinale tepër sintetike. Në 150 faqe format xhepi ke dhënë shumë jetë shumë mendime e vlerësime.

Trajtimi me kulturë i vlerësimeve për pushtetarët komunistë, pa sharje e fyerje, po duke treguar realitetin, përmes urtësisë tiranase, më ka lënë mbresa, sepse shumë demokratë të tjerë, kur shkruajnë për ta nuk e përmbajnë dot veten dhe shpërthejnë me fjalë sharëse e pa shumë argumenta. Ti dhe Eugjen Merlika duke kujtuar jetën në monizëm sejcili në mënyrën e vet, në dy skajet ekstreme të saj; njëri në kryeqytet si qytetar i lirë e tjetri në internim e në burg, si qytetar i dënuar, keni dhënë në mënyrë sintetike jetën shqiptare plot vuajtje, mungesa, ëndrra, sakrifica e psherëtima.  

Unë pasi jetova në Tiranës më se 35 vjet kam vënë re se banorët e vjetër vendas dallohen për urtësi, punojnë kokulur, nuk i bëjnë hyzmet sherrit, e thonë mendimin urtë e butë pa u grindur e pa thirrur, janë zanatcinj shumë të mirë, njerëz që nuk e duan gjënë e tjetrit dmth nuk vjedhin, etj. Mikpritja tiranase është treguar gjatë historisë shumë herë, tiranasit pritën voskopojarë mbas djegies në shekullin e XIX-XX-të, pritën dibranët më 1913 mbas persekutimeve sërbe, pritën morinë e toskëve mbas ardhjes së komunistëve në pushtet, dhe mbas shkërmoqjes së diktaturës pritën gjithë atë mori gegësh veriorë e veri-lindorë. Kurrë nuk i pa tiranasi ardhacakët me përbuzje, me përcmim, por u hapi portat, u dha vend nga pronat e veta…

Vlerësimet e tua për dy talentet e shquara letrare Ismail Kadare e Dritëro Agolli janë brilante, janë karakterizime që do të shfrytëzohen prej studiuesve të tyre në të ardhmen. Edhe për aspekte të tjera të jetës artistike të kryeqytetit ke dhënë vëzhgime me interes. Vecse për kinematografinë, ku ke punuar dhe vetë, prisja më tepër. Ne Kinostudio u derdh djersë me shumicë, pavarësisht se partia e krijoi atë fushë arti për të propaganduar bëmat e veta, shumë regjizorë, aktorë, operatorë, etj krijuan aty edhe vepra dinjitoze arti, që meritojnë vlerësime.

Kjo vepër është një sprovë e parë e një lloji të ri. Ajo është një përmbledhje mbresash, urtësish, kujtimesh, filozofimesh, moralizimesh, etj. Si e tillë ajo mbetet e hapur që në të ardhmen mund të ribotohet gjithnjë e më e plotë, mbasi të tjera “Më kujtohet” do të të vijnë ty në mendje dhe do t’i hedhësh në letër. Ne si lexues mezi presim të lexojmë dhe faqe të tjera të këtij libri të hapur.

Urime dhe suksese, Thanasi.

***

Përshëndetje Ylli!

Më pëlqeu, ndaj po ta shkruj: ke vulos në mënyrën më sqimetare, kujtimin e brezit tonë. Ke vulos them, se padiskutim perceptimi yt vjen e përcillet tek secili prej nesh i njejte. Qeshim, meditojme, diskutojmë, të njejtat ngjarje ashtu si ti ke qesh, ke diskutu etj. Gati m’u duk, si një ditar imi, ndaj të falenderoj shumë.
Momente shumë të dashura, por qe veç të miat spaskan qenë !!!
Gjumi i detyruar në drekë shoqëruar dhe tek unë, me mësimin e fratit…..
I mrekullueshëm, gjumi te soba, kur sa t’kishin mbulu me pallton më të ngrohtë ( tek unë pallton e mamit).

E di çfare mendoj Ylli, se varfëria, çudirat, mungesat e tmerrshme në përgjithësi, prindët tanë përpiqeshin me shpirt, sa mundeshin, t’na i mbulonin. E kjo padiskutim, na e bën të veçantë fëmijërinë e rininë. Pra, çelsat për të qesh, meditu, diskutu, i kemi vetëm ne që jetuam këtu dhe u rritëm ashtu!!!!!!!

Kjo e dielë, kaloi bukur, shumë bukur me leximin e librit tënd.

E pasi qesha, (kur se prisja), në fund, paragrafët e fundit të librit me mpinë, (të papritura për mua). Mbyllje e shpejtë, e gjetur, por e dhimbshme ( nis me thënien e Goethe)

Më ka pëlqy shumë « Dy fjalë në vend të hyrjes » Komplimentat e mia!

Libri rrjedh në tregime të kujtimeve, por më shumë delikatese mban qëndrime, kjo m’ka pëlqy, (gjithashtu shumë!!!!!!).
Edhe pse, një përmbledhje kujtimesh, i ndeshur pra, për nga lloji, mendoj;
Mençuri dhe delikatesë ka ky libër, veç kujtimeve që na i zbulove .
Libri është dinjitoz Ylli!

Shumë faleminderit!
Me respekt
Një nga (bash)kujtuesit kolektiv
Suzi Adili


Iliri e lexoi i pari e filloi t’më tregonte. Jo, jo s’e lash më…. E lexova për shtatë palë qejfe, e pastaj fillun diskutimet me Ilirin! Ça s’kujtum e ça nuk shamë!!!!!

(Përshëndetje e urime  të sinqerta, nga Iliri)

***

Ylli i dashur,  

Nëse virtualisht  libërthin tënd “Më kujtohet” unë e kisha marrë që atë ditë që më thoje, realisht e mora në dorë para 1 ore dhe sapo arrita në zyrë, pasi piva kafen (e dytë) fillimisht e hapa apo më saktë e pashë “rastësisht” nga mbrapa. 

Aty pashë Yllin e përhershëm, gjithmonë YLL megjithë “trashëgiminë” e F.-së, dhe pamja jote si përherë prej intelektuali, më atë mendimin gjysëm qesëndisës e gjysëm serioz në sy e në buzë. Dhe kaq më mjaftoi për të ndjerë kënaqësi… pastaj  po aty, në paragrafin  e tretë ti përmendje pastruesen me zilen dhe mua përnjëherë m’u çfaq Xhumja dhe episodi me kovën në klasë… dhe sigurisht ju ktheva menjëherë parathënies  së ëmbël sikur po haja krem karamel (ta dish që une vdes për krem karamel) dhe kënaqësinë e të lexuarit ma vuri në dukje “Xhumja” e zyrës sime që më tha : “ Po lexon ndonjë libër të bukur ?”…. dhe kur erdha tek episodi i biçikletës tek dyqani i parë afër Gjykatës u mallëngjeva se “m’u kujtua” dhe mua rrengu i prindërve të mi kur ja kërkoja dhe ata më thonin “bëja me sy” dhe unë e bëja me të dy sytë, por ata më thonin prapë “jo, jo, duhet vetëm me një sy…” dhe atëherë unë fillova të përpiqem që të mësoja të luaja vetëm njërin sy…. (që më vonë më hapi probleme, por ky është një kujtim tjetër…)

…E ndala leximin për të të shkruar këto rradhë sepse do humbisja pa të shprehur emocionin që po më ngjallnin kujtimet e tua…; sigurisht s’dua të mbuloj çdo kujtim tëndim me të miat por duke u ndalur në ca “pikanteza” dua të shpreh kënaqësinë për afërsinë që paskemi patur në mendje edhe si fëmijë…

…ora 09.15/ me disa ndërprerje (për arsye pune) arrita tek kënga e Mao Ce Dunit… sa për të qeshur, edhe për faktin që të hënën pritëm ca kineze të CINHUA-së dhe me ca shoqe të pak a shumë moshës sonë po kujtonim këtë këngë por memorja jonë ishte ndalur te “tajasen-i” që vazhdonte me la-la-la mao ce dun…

Më bëre të qesh kushedi sa here…dhe tani tek ajo “vieni casa, vieni” me kujtove përkthimin e shprehjes “vaj-me-det!” (në rrethana të ngjashme) me “olio con mare”. O Ylli pata frikë se e kishe “harruar” Zydi Demnerin… shyqyr JO, por shpresoja dhe tek të kujtuarit e “Sallam i freskët, special njitashi sa erdhi, dhe marmallati i freskët special nji tashi sa erdhi…” dhe ti që thoje “marmallati ka dy muj aty, është myk fare…”

…. Jam shumë e ngazëlluar nga leximi i librit (që e mbarova/ora është 14.00 por e kam ndërprerë disa herë për arsye “punë-zyre”) dhe jam bërë pak si kalama… u futa në një atmosferë krejt tjetër… është një libër për NE, brezin TAMAM TE HUMBUR, që i mbajmë mend të gjitha ato gjëra e që ato gjëra na bëjnë të kujtojme të tjera e të tjera dhe që duke e lexuar të duket se s’paska qenë dhe aq keq atëherë megjithë mjerimin e madh dhe varfërinë e madhe shpirtërore e mediokritetin rrethues…

Ja dhe një arsye më shumë për të të pasur xhan. URIME  për gjithçka që bën në jetë… nqs kudo fut këtë shpirt që penetron në ato rreshta që ke shkruar, jam e sigurtë që do të kesh sukses.

Përqafime

J.

p.s.sa veta kanë menduar që inicialet tek pema ishin të vetat ???

***

Ylli, m’u mor fryma.. vrapova për dore me ty që nga materniteti ku rrinte Maria me taksi, te porta ime « Asim Vokshi Nr. 75″, te kopshti afër « 10 korrikut », te « J.De Rada », në Rr. e Durrësit… Nga të gjithë personat që ke përmendur, unë nuk kam njohur vetém tezen tënde me zë aq té njohur për mua. Çdo vend dhe personazh janë në mendjen time, tamam ashtu siç i përshkruan ti, sepse janë regjistruar né memorien time dhe tënden në të njejten kohë.

Nuk i ndalova dot lotët, për ata që nuk janë më, por që do donim të ishin, për ato që kaluam, por që nuk donim t’i kalonim, për rininë e vështirë, për gjërat e bukura që nuk ua ditëm vlerën. M’u duk sikur i kisha shkruar unë, ajo ishte jeta ime ! Jo, jo, sikur ti i kishe shkruajtur vetëm për mua. E …nuk e di tamam.. Di vetëm që vrapova e vrapova në jetën time. Aq të vërteta dhe të thëna thjesht, ashtu siç ia tregon njeriu vetëm vetes, pa i zbukuruar dhe përkëdhelur e përdredhur fjalët. Aq shumë isha e përfshirë sa u tremba kur pashë veten në pasqyrë : trashaluqe dhe me syze… Ah ç’më bëre ! Kam hapur krahët. A të vjen përqafimi im deri aty ?

Alda Aliçka Butka

***

Ylli, lexova librin tend, pa nderprerje (edhe se eshte i vockel :)) – sepse nuk mund te nderprisja kete dokumentar bardh e zi, qe secili qe e shikon, i jep ngjyrat e veta. Faleminderit mik qe na e ke sjelle. A e di qe me kete forme te veçante, te ka dale nje nga analizat me te goditura te asaj kohe dhe atij sistemi ?!  »Me kujtohet » edhe qe mu mbushen syte me lot disa here, gjate leximit – nga ato kujtime – ndoshta edhe ngaqe kemi shume gjera te perbashketa si shtepia me oborr, nje gjyshe nga Tirana e nje gjyshe nga Korça …

Ylli Panariti

***

Refleksione mbi librin e Ylli Demnerit “ Më kujtohet”

Nga Diana Gëllçi, Milosao, 29 maj 2011

Kur mbaron së lexuari librin elegant të Ylli Demnerit “Më kujtohet”, mbetesh edhe për një copë herë tjetër preh e kujtimeve… Ah, ato bankat prej druri me ndenjësen e përbashkët me dy vrima për të venë shishet e bojës dhe dy kanale për të venë penat!…Po çarçafët e larë që tundeshin në tel deri vonë në darkë?… Apo gjyshja duke qëruar orizin pranë dritares… Dhe era e furnelës që fikej nga qumështi që derdhej…Një ditë shiu në plazh…Aeroplanët prej letre… Qesh me vete. Po banania e parë “prej vërteti”? Po koleksioni i letrave shumëngjyrëshe të karameleve në një fjalor të vjetër? Po?… I ka harruar ky Ylli këto?! Disa prej tyre janë thjesht kujtime të mijat. Kështu është edhe gjyshja që qëron orizin në dritare. “Sa i mbushur ky orizi kokërrmadh! Unë e shkreta edhe s’para shoh mirë tani”. Edhe çarçafët… Edhe bankat prej druri. Shumë prej tyre marrin jetë apo rikthehen në një dimension të ri duke lexuar librin e Yllit. Shumë të tjera marrin formë dhe rrugëtojnë prej aty.
Udhëtoj nëpër East Jefferson përmes Detroitit, rruga-rutinë e imja, por sot më duket sikur jam duke ndjekur kujtimet që vijnë befas e nga ku nuk e pandeh, bëhen shumë, dhe zhduken po aq befas dhe krejt pa radhë. Me kujtohen edhe mua shkrepëtimat në qiell të errët në një ditë gushti, dhe era e dheut para se të bjerë shi. Pastaj, dhe kjo më vjen në mendje fare mirë, bubullimat e mëdha dhe rrebeshi nëpër xhama dhe çati, ndërsa mamaja mundohet të më mbarojë së qepuri një fustan basme (apo basmeje). Sikurse më kujtohet Koncerti i Vjenës i transmetuar në çdo 1 Janar në orën dymbëdhjetë në drekë, një nga kënaqësitë e vërteta në ndërrimin e viteve në qytetet e vogla. Madje më kujtohet 1 Janari i këtij viti, kur në mesditë, befas m’u kujtua ai koncert sërish dhe mendova se nuk do të ishte keq të shihja në Internet çmimin e biletave për koncertin e ardhshëm.
Kaloj pastaj në atë pjesë të qytetit ku ura Ambasador lidh Detroitin me Kanadanë dhe më kujtohet kënga Not afraid e Eminemit me një sfond të ngjashëm urash, lartësish, bodrumesh. Protestë. Mendoj se kudo ku janë njerëzit kanë hallet, lumturinë, dhe brengat e kohës. Kaloj stacionin e vjetër të trenave të kthyer tashmë në një legjendë urbane të Detroitit dhe nuk ka se si të mos më kujtohet stacioni i trenave në Tiranë, me atë këndin e vogël të lodrave për fëmijë, me varkat metalike që tundeshin zhurmshëm në ajrin e nxehtë të kryeqytetit. “Kur do arrijmë?” “Edhe pak. Sapo të arrijmë, do të hipësh tek varkat dhe do kënaqesh. Yyy, sa lart shkojnë ato!” “E, ti ashtu thua. Kur shkojmë atje, ti nuk më lë të rri shumë”. “Këtë herë do të të lë të rrish sa të duash. “ “Eh…” Nuk e di nëse varkat janë ende aty ku kanë qenë dhe ndihem fajtore që s’kam pyetur. Madje nuk e di edhe nëse vetë stacioni i trenit është aty ku ishte; dhe shpresoj që nëse po, të paktën të jetë më mire se çfarë ishte kur e pashë së fundmi. Por e di që ai stacion mbetet pjesë e kujtimeve të vajtje-ardhjeve të mija në Tiranë. Ende, herët në mëngjes, kur dëgjoj sirenën e tragetit të radhës që lundron në ujërat e lumit që lidh Detroitin me Liqenet e Mëdha, me duket si sirena e trenit në platformën e lagur të stacionit të trenave në Tiranë, dhe më merr malli, pa dyshim.
Në radio dikush përsërit refrenin e një kënge: “A house is not home”. Më bën përshtypje që kurrë më parë se tani nuk e kam menduar këtë ndryshim kaq të madh midis shtëpisë si vend dhe shtëpisë si ndjenjë. Kjo është njëkohësisht sa e bukur aq edhe emocionuese. Kështu është edhe me atdheun: Atdheu nuk është thjesht një vend. Janë kujtimet, mendimet, ndjenjat që të lidhin me atë vend, që i japin atij vendi kuptimin e madh të atdheut. Në gjuhën e Demnerit, “është zhurma e shisheve të qumështit në rrugët e shkreta, pa zbardhur mire”, “akullorja e shkrirë deri poshtë bërrylit”, duhani Tarabosh, Xhevrija, Biblioteka Kombëtare, Teatri Popullor, Rruga e Dibrës, Vangjush Furxhiu, Kadri Roshi, Margarita Xhepa… Për fat të keq, atdheu nuk janë vetëm hurmat, pantoflat prej gome, dhe zifti i asfaltit të zbutur nga vapa në Korrik. Atdheu është edhe kujtimi i frikës, ankthit, fletë-rrufeve, zyrat e Kuadrit, burgu i kohës së diktaturës. Asgjë më shumë se një përjetim i sinqertë në retrospektive nuk do t’i mbante larg këto forma të përçudnimit të qenjes. Asgjë më mirë se kujtimet nuk do ta denonconte dhunën, farsën, autoritetin e shtetit në të gjitha kohërat. Eshtë e natyrshme pyetja: Pse? Pse ndrydhej njeriu? Në emër të kujt dhe të çfarë gjëje shteti futet në jetën e individit?…Tek kujtimet? Dhe padyshim, asgjë tjetër kaq mirë sa vetë kujtimet nuk mund ta shënjojë lidhjen e shenjtë me të, asgjë tjetër nuk mund ta shumëfishojë atdheun më tepër; ta nxjerrë nga shtrati i tij buzë Osumit, Vjosës, apo Bunës e ta përcjellë në brigjet e Senës apo në liqenet e Detroitit.
Kisha harruar që Ylli Demnerin nuk e kam takuar kurrë, gjë që vite më parë mund të përkthehej si “nuk e njoh”. Por si mund të thuash tashmë “nuk e njoh” për një njeri me të cilin paske ndarë Bulevardin e Tiranës, ke thithur aromën dehëse të luleve Dorëzonje, apo ke përjetuar të njëjtat frikëra apo ankthe të kohës një kohe të shkuar?! Ndoshta Ylli vetë i ka ujdisur kujtimet si një akuzë kundër diktaturës. Mllefi i tij për shiksat, policët, apo ushtarët përzihet me mllefin për Çu En Lain, Brezhnjevin, Enver Hoxhën, kalon në adhurimin e sallonit të pritjes së Anisa M. që s’kishte asgjë nga “produktet e socializmit” e deri tek frika nga “hapësira përtej ushtarit” tek Komiteti Qendror dhe tutje-tutje tek përshkrimi i “katunareve” që shisnin qepë, domate, kopër, nenexhik apo që të porsa martuar shkonin në shtëpitë e pushimeve: djali me një këmishë të bardhë e pantallona teritali e vajza me një fustan me lule e flokët e bëra permanent… I lexon të gjitha, i kujton në fakt, dhe e kupton po ashtu se sa e sertë është jeta kur na e kondicionon mendimin, dhe njohjen, me vendin dhe kohën ku kemi lindur krejt rastësisht, dhe me grupin njerëzor që i përkasim. Ylli nuk mund të qëndrojë jashtë vendit dhe kohës së përjetimeve të tij. Dhe natyrisht, s’mund të bëjë përjashtim nga rregulli. Do të më kishte pëlqyer t’i gjeja këto kujtime nën tisin e mendimeve nga jeta “ndryshe”, por me përjashtim të dy-tre momenteve, Ylli i shmanget filtrit të kohës dhe vendit ku jeton tash. Por jam e sigurt, Demneri nuk ka dashur të shkruajë historinë e Shqipërisë, edhe pse, me kujtimet e tij të sinqerta e të shumë-menduara, i ka shtuar historisë së madhe shumëçka në anën njerëzore.
Jemi mësuar të lexojmë libra të mëdhenj e të rendë ku të tjerët zbulojnë botën për ne dhe na mësojnë si ta kuptojmë, si ta ndjejmë, si ta themi. Ylli Demneri ka zgjedhur ta bëjë këtë thjesht, por me shumë mjeshtëri: Ai ka hapur dyert e vetvetes dhe na lë të futemi aty, të ndajmë mendimet, e të meditojmë për jetën, shoqërinë dhe politikën me gjuhën e kthjellët e lakonike të kujtimeve. Çfarë mund ta bënte atdheun më të pranishëm?!

***

I nderuar z. Ylli,

Ju falenderohem shumë për dhuratën e mrekullueshme, librin e veçantë « Më kujtohet » dhe të gjitha ndjesitë që libri i përcjell. Ju lumtë për formën e zgjedhur dhe trajtimin në nivel të lakmueshëm të shkruarit. E lexova me një frymë, duke harruar të gjitha obligimet e ditës…

Gëzohem që Arben Arifi, ish studenti im, ishte në promovim të librit. Gëzohem po aq që vepra ime e parë e poezisë, « Sonte zemra ime feston », është bërë një lidhje me Kosovën, në kohën kur mure shumë më të larta se të Berlinit e ndanin qenien tonë.

Me librin « Me kujtohet » më nxitët të kujtohem për detajet e kohës, që nuk i kam harruar kurrë. Ishte viti 1972 kur mora pjesë në Kuvendin I për ilirët dhe libri sa më ishte botuar. Rrezikova shumë kur disa kopje i futa ne çantën e dorës, me shpresë se nuk do të kontrollohej në kufi. Ishte « femija » im i parë, andaj gëzimin doja ta ndaja edhe me të dashurit në Shqipëri. Me vonë kuptova se libri ishte marrë nga të gjithë që ua kisha dhuruar. Arkeologu Bep Jubani, që e respektoja shumë, e kishte pësuar me së shumti. « Fajin » e kishte vjersha e parë, me Id-in e Ego-n, përkatësisht me filozofinë frojdiane, të ndaluar asokohe në Shqipëri… Unë as që e kisha menduar Frojdin, në mendjen dhe shpirtin tim ishte zgjimi individual dhe kombëtar, në kohën kur në ish Jugosllavi nuk gëzonim të drejta si shqiptarë…

Më vjen mirë që libri, i ndaluar për shkak të absurditeve të kohës, ka mbërritur deri te ju. Fatbardhësisht, kohët i ndryshuam me shumë mund /nuk ndryshuan vet/ dhe kam shpresë që hapërimet e mëtejme kombëtare të zhvillohen duke u mbështetur në sistemin e vlerave dhe me respekt të ndërsjellë.

Përshëndetje të përzemërta,

Edi Shukriu

***

 Nostalgjia e humbjes      

Nga Alket Çani (Gazeta Panorama, 9 tetor 2011)

Nëse ka një libër, në letërsinë shqipe, që ka fotografuar në mënyrën më të përimët e të kulluar portretin e vërtetë të një epoke, ky është padyshim libri “Më kujtohet” i Ylli Demnerit. I ngjan ai më tepër një albumi fotografik që nuk flet me gjuhën e imazhit, por të fjalëve, ku janë renditur në mënyrë të natyrshme e pa rend kronologjik, çaste të fokusuara nga kujtesa, në formë fragmentesh. Këto fragmente, që në pamje të parë duken si pa lidhje me njëri-tjetrin, formojnë, në të vërtetë, një unitet të brendshëm mjaft koherent, i cili krijohet nga vetë lënda e librit e shtrirë në një kohë dhe hapësirë të përcaktuar, stili dhe procedetë e rrëfimit, duke e bërë “Më kujtohet” një libër të pazakontë dhe krejt të veçantë në letërsinë shqipe të deritanishme.

Në parathënien e librit, autori thotë, ndër të tjera, se ideja për këtë libër i ka ardhur në mendje pasi ka lexuar librin Je me souviens (Më kujtohet) të autorit francez Georges Perec. Nga ana e tij, edhe Perec për përmbledhjen e vet u frymëzua nga një tjetër libër me të njëjtin titull, por kësaj here në anglisht, I remember, i piktorit amerikan Joe Brainard. Të dy këta autorë, që do mund t’i cilësonim si pararendësit e Demnerit, kanë shkruar kujtimet e jetës së tyre në vendin te tyre. “Ky shënim i vogël i Perec-ut, vazhdon Demneri, ma hoqi kompleksin e kopjuesit. Jo vetëm kaq, por kjo mënyrë të kujtuari e së kaluarës kolektive shpëtoi nga autobiografia e mirëfilltë – që në rastin tim nuk do të kishte ndonjë interes -, dhe njëkohësisht më shmangu nga dëshira për të krijuar një portret simpatik për veten, siç ndodh në librat me kujtime”.

Pra, kemi të bëjmë me një vepër sa personale aq edhe të depersonalizuar, e madje të çinteresuar, karakteristikë kjo që është ndoshta nga më të rëndësishmet për suksesin e librit. Ashtu sikundër një nga vlerat e tij më të çmuara është fakti që Demneri ka shkruar një libër të hapur, në kuptimin që gjithkush mund të shtojë, sipas këtij modeli, kujtimet e tij, e, për rrjedhojë, kujtimet e përbashkëta të një epoke.

*

Të gjithë ata që kanë kaluar një pjesë të jetës së tyre, ose të paktën fëmijërinë, përpara viteve nëntëdhjetë tek ne, nuk mund ta lexojnë këtë libër pa gjetur atje vetveten, fëmijërinë dhe rininë, ngjyrat dhe ngjarjet, gjestet dhe aromat, historitë dhe humorin, gjuhën dhe objektet e kohës, shkurt, jetën tonë të kaluar, të përbashkët e pothuajse të njëtrajtshme, e cila tashmë ka humbur, por nuk është harruar. Libri i Demnerit na ndihmon ta rikujtojmë atë, përpara se t’ia zerë vendin një tjetër epokë e mëpasme, si, fjala vjen, kjo e sotmja, me tiparet dhe njëtrajtshmërinë e saj.

Shoqëria e çdo epoke krijon mënyrat e saj të jetesës, normat dhe zakonet, shijet dhe idealet, gjykimet dhe qëndrimet, shkurt, një konceptim të caktuar të botës, të cilin e manifeston nëpërmjet produktesh. Në njëfarë kuptimi, njerëzit bëhen viktimat e asaj që prodhojnë vetë. Çfarëdolloj aspekti që të ketë, ideologjik, industrial, utopik, virtual, vjen një çast kur ky produkt ushtron tiraninë e vet të pashmangshme mbi shoqërinë që e ka prodhuar. Kur kjo tirani mbërrin në pikën e saj kulmore, njerëzit nisin përpjekjet për të shpëtuar prej saj. Është koha kur ata ngrejnë pikëpyetje dhe vënë në dyshim gjëra. Por jo për shumë kohë. Sepse është shumë e vështirë e pothuajse e pamundur të mos prodhosh, e të mos prodhosh gjithnjë e më tepër. Produkte të reja – tirani e re. Kjo ndërkohë midis dy tiranish është periudha më e bukur në jetën e një shoqërie. Është një formë e thellë e revoltës së saj të heshtur.

Është, pak a shumë, kjo situatë që përshkruan si në mënyrë të pavetëdijshme libri “Më kujtohet”. Këto kujtime, ose më saktë fragmente kujtimesh, – sepse të duken si episodet e mbetura nga një tërësi, pjesa thelbësore e së cilës ka humbur – ringjallin pikërisht humbjen e asaj ndërkohe dhe kjo humbje shkakton nostalgji. Nga kjo pikëpamje, tekstet e këtij libri ngjajnë si haiku. (“Më kujtohet një qershi e lulëzuar. E vetme. Në një fushë të vogël mbuluar me bar të lartë.”) Ose si fotografi. Tipari themelor i tyre është ngulitja e një çasti ikanak, të pakthyeshëm, e diçkaje që është e destinuar të humbasë njëherë e përgjithmonë. Me kujtimin e këtyre episodeve në këtë libër, autori ka kryer një akt të thellë përsiatjeje të brendshme dhe është vënë në rolin e pazëvendësueshëm të dëshmitarit objektiv të një kohe dhe një bote.

*

Duke folur për Mallarmé-në, Paul Valéry thoshte se kur distancohesh nga bota, vihesh në kushtet e të kuptuarit të botës. Në këtë kontekst, autori i librit “Më kujtohet” e ka marrë tashmë largësinë e duhur që nostalgjinë e viseve fizike dhe shpirtërore të fëmijërisë ta shndërrojë në një fakt estetik. Ai ka shkruar një libër të mrekullueshëm, fryt i një vëzhgimi të hollë, i një sondimi të thellë të kujtesës dhe i një pritjeje të gjatë. Dhe ka pikturuar, si peizazhistët e Linjdes së Largët, lidhjen dinamike që krijohet midis njerëzve të një epoke dhe universit të tyre.   

 Në shekullin XVI, poeti japonez Satomura Shoha kërkonte një penel, që të mund të pikturonte lulet e kumbullës, bashkë me aromën e tyre. Na duket se me këtë libër, Ylli Demneri e ka gjetur penelin. Ky libër është i të gjithëve. Ne të gjithë jemi ky libër.

Paris, tetor 2011

***

Instalacion kujtese në librin e Ylli Demnerit

Nga Dashnor Kokonozi

Duke e shfletuar faqe pas faqeje përmbledhjen me copëza kujtimesh “Më kujtohet” që mban në kopertinë emrin e Ylli Demnerit, kupton se mënyra e konceptimit të librit nuk është pa lidhje me vetë formimin e autorit, kinematografinë, për të cilën studioi dhe në Francë rreth viteve ’90. Këtu nuk është fjala për të sjellë elemente autobiografike, sesa për të pasur në dorë një element më shumë në gjykimin e këtij libri, që për nga forma e përmbajtja paraqitet krejt i veçantë në letërsinë e shkruar shqip. Është fjala për dikë, që prej kohësh ka lënë mënjanë kamerën për të marrë penën në dorë, por nuk duhet këmbëngulur për të gjetur një kufi të qartë midis asaj që ai krijon me ato dy instrumente. Këtu me të vërtetë është rasti të përmendet një thënie e Jean-Luc Godard, që nënvizon se të shkruarit është si të bësh kinema, sepse midis të shkruarit dhe xhirimit ka një ndryshim sasior e jo cilësor.

Nga ana e tij, autori kujdeset të mos e rreshtojë në një gjini të caktuar librin e tij, nuk e quan as “roman” e as “kujtime…”, por në të vërtetë lexuesi sikur tundohet ta quajë edhe ashtu edhe kështu. Se aty ai gjen elementë të bollshëm për ta quajtur “roman”, nëse do të nisemi nga përkufizimet që i janë bërë me kohë kësaj gjinie, aftësitë që ajo ka për të na sjellë para sysh epoka të tëra, personazhe e mendësi të caktuara, por askush nuk e ndien veten në gabim, po qe se i quan edhe “kujtime” në kuptimin dhe në atë masë që në shekuj autorë të ndryshëm e kanë ndier të nevojshme të paralajmërojnë se kujtimet e tyre reflektojnë një realitet që është përjetuar nga shumë të tjerë e, për pasojë, ato nuk i përkasin ngushtësisht vetëm atij. Të kujtuarit personal e një të kaluare kolektive, përcakton librin. Demneri, nga ana e tij, që po ashtu shënon se një ngacmim fillestar për ta shkruar atë e ka pasur nga “Je me souviens” i G. Perec, por me sa duket, “ndikimi” fillon e mbaron aty.

Që në rreshtat e parë, bashkë me humorin e kudondodhur, lexuesi ndien të përshkohet nga një valë e freskët emocionesh, percepton një lloj “déjà vu”, diçka që e bën të thotë se vërtet edhe ai e kujton një gjë të tillë dhe me kohë harron formën dhe ndjek fillin e një serie të caktuar “sekuencash të kujtesës”. Një “pachwork” i vërtetë elementesh që kujtonim se i kishim harruar, të një kohe ku të duket se njerëzve u ishte ndaluar të rriteshin e të gjykonin me mendjen e tyre. Në të vërtetë, është fjala për një kohë që nuk meriton tjetër veçse të harrohet, po të mos qe i pranishëm edhe fakti i rëndësishëm se ajo ka qenë edhe koha e të gjithë atyre që nuk e kishin zgjedhur me vullnetin e tyre regjimin politik që ishte instaluar në Shqipëri. Dhe këtu ka një dallim që duhet shënuar me terma të qartë e që duket se ka qenë edhe shqetësim i vetë autorit, kur thotë se notat e nostalgjisë që vërehen aty-këtu nëpër libër nuk kanë të bëjnë aspak me atë dimension kohe që i përket diktaturës, por me atë kompleks të papërsëritshëm emocionesh, me të cilat përjetojmë një periudhë aq mbresëlënëse të jetës sonë: fëmijërinë e rininë e parë.

Këtu duket se me interes është edhe “temperatura” e ngjyrave që ruan autori, pra qëndrimi ndaj atyre çasteve që sjell në kujtesë, i cili është gjithnjë në pajtueshmëri qoftë me naivitetin dhe aftësitë gjykuese të moshës, ashtu edhe me atë ngarkesë emocionale, me të cilën ngjarje të ndryshme janë përjetuar për herë të parë. “Më kujtohet, shkruan ai, ushtari me automatik në mes të rrugës që të çonte për në Bllok”. I frikshëm nuk ishte ushtari, por hapësira mbrapa…”. Pra, vetëm kaq mjafton se për të ngacmuar kujtesën tonë ku ai vend, për të cilin flet autori, ka rolin e një simboli të vërtetë, ku luheshin intrigat më të pabesa e merreshin vendime sa të çmenduara, aq edhe pa kuptim që fyenin dinjitetin e një kombi e na bënin qesharak në sy të të gjithëve. Pra, vërtet nuk ishte aspak ai ushtari që kishim frikë… Diku tjetër lexojmë: “Më kujtohet dyqani i vajgurit dhe sikleti kur isha adoleshent se mos më shikonte ndonjë vajzë me bidonin në dorë…”. E kush nuk e ka ndier të nevojshme qoftë edhe një herë të vetme ta lëshonte menjëherë bidonin përtokë, e të bënte sikur nuk ishte fare i tiji? Në thelbin e tyre, këto pjesëza kujtimesh jo rrallë marrin trajtën e sintezës së mendësisë së një periudhe të caktuar me një efekt të pashmangshëm semantik që bëhet i dukshëm nga fakti se të njëjtën gjë e ke të vështirë ta formulosh sot me fjalë të tjera. Pra, ajo mënyrë të shprehuri duket sikur mbetet më e përafërta për të shprehur ndjesitë e asaj kohe.

Pasi ke “notuar” në një univers të papërsëritshëm deri në faqet e fundi të këtij libri, ndien nevojën të tërhiqesh pak, sikundër ndodh për të perceptuar më mirë një tablo. Dhe, me të vërtetë aty kupton se para syve ke një kolazh të vërtetë, apo më saktë një instalacion kujtimesh që ka të gjitha karakteristikat e montazhit të një filmi. Nga ana e tij, për këtë lloj “montazhi” autori ruan një frymë krejt eklektike, gjë të në të vërtetë i përgjigjen një realiteti psikologjik. Në jetën e përditshme kujtdo i ndodh që në kujtesë i vijnë copëza të fëmijërisë, pa ruajtur asnjë koherencë kohore, e pa qenë fare i ndërgjegjshëm se shpesh ato janë pasojë e një ngacmimi të rastit të ditëve të sotme. Ajo që ndez emocionet, janë imazhet që shpërthejnë në kujtesë herë gjithë ngjyra e dritës, herë me keqardhje për diçka të lënë pa thënë a pa bërë, por në të shumtën e rasteve pa mundur të gjejmë një shpjegim racional pse ndodh një gjë e tillë. Pikërisht duke ruajtur këtë “strukturë natyrore” për librin e tij, Ylli Demneri ka gjetur çelësin që hap derën e një bote të tërë imazhesh të “ndrydhura” edhe në mendjen e lexuesit, i cili ndihet krejt i lirë t’i bashkëshoqërojë “imazhet” e autorit me përjetimet e tij personale e, madje, nis e ndien vështirësi, kur kërkon të gjejë se ku mbarojnë kujtimet e autorit dhe ku fillojnë të tijat. Kjo është cilësia më tërheqëse e këtij libri.

Gazeta Panorama, 14 mars 2011

________________________________________________________________________

Libri “Më kujtohet” gjendet në Tiranë në librarinë Adrion (Pallati i Kulturës), librarinë Vera, rruga e Durrësit numër 5, në librarine « E për7shme », rruga Jul Variboba, si dhe në Carrefour. 152 faqe. Çmimi 500 lek.

Kontakt personal 

 

Votre nom : (oblig.)
Votre email : (oblig.)
Site Web :
Sujet :
Message : (oblig.)
Vous mettre en copie (CC)
 

FTESË

Posté : 4 mars, 2011 @ 2:03 dans LIBRI | Pas de commentaires »

 

Télécharger FTESË dans LIBRI pdf ftesaperlibrin.pdf

ftesaperlibrin-e1325591805990 dans LIBRI

“Më kujtohet” i ofron lexuesit shqiptar një hapësirë nëpërmjet të cilës ai mundet, jo vetëm ta kujtojë e rikonstruktojë të kaluarën e tij (apo të prindërve të tij) – kjo është e thjeshtë – por të ndjejë edhe aromat, edhe shijet, dhe ta prekë atë, atë të kaluar të përbashkët që akoma kërkon gjuhën e duhur për t’u thënë. Nën penën e Ylli Demnerit, kujtimet e fëmijërisë e të rinisë gjatë regjimit komunist gjejnë vërtet regjistrin e duhur: intime pa qenë personale (edhe pse e lexojmë në vetën e parë), të ndjeshme e nostalgjike pa qenë sentimentale, dhe gjithnjë me një sy drejt asaj që imazhi kërkon të thotë përtej fjalëve të përdorura për krijimin e tij. “Më kujtohet”, pra, nuk është thjesht një memoir letrar, por një letërsi që merr si pretekst vetën e parë.

Xhuliana Agolli

Libri dhe elektronika. Interviste me Umberto Eco-n

Posté : 16 octobre, 2009 @ 10:51 dans LIBRI | Pas de commentaires »

Libri dhe elektronika. Interviste me Umberto Eco-n dans LIBRI ECCO-LIBRI-1-e1326101222195

Ju afirmoni : “Libri i ka treguar vlerat e tij. Nuk mund të shpikim gjë tjetër më të mirë.” Po në fund të fundit, çfarë është një libër ? Është një objekt ? Faqe për të lexuar ? Një tekst ?
Umberto Eco : Libri është një seri faqesh me tekst dhe/ose imazhe të mbledhura sëbashku me anë të një diçkaje teknike që bën të mundur shfletimin. Ja, pra, struktura e librit. Që fletët të jenë pergamenë apo prej letre si sot, kjo nuk ka rëndësi.

Po nëqoftëse faqet janë numerike dhe shfletohen mbi një ekran ?
U. E. : Jemi gjithmonë në strukturën e librit. E-book-u, mbi të cilin shfletimi është i mundur, është përpjekur që të prezantohet si risi, po ai kërkon të imitojë librin. Kjo vetëm në një farë mënyre, sepse, të paktën në një pikë, ai nuk mund të barazohet : libri prej letre është i pavarur, në një kohë që e-book-u është një mjet që varet nga elektriciteti. Robinson Kruzo në ishullin e tij, vetëm me një bibël të Gutenbergut do kishte mundur të lexonte përgjatë tridhjetë vjetëve. Nëqoftëse ajo do të kishte qenë e numerizuar në një e-book, ai do të kishte përfituar tre orë, aq sa kohëzgjatja e autonomisë së baterisë. Mund të hedhim një libër nga kati i pestë dhe do t’a gjejmë atë, pak a shumë komplet, poshtë. Po të hedhim një e-book, me siguri, që ai do të shkatërrohet. Sot ne mund të lexojmë akoma libra pesëqind vjeçarë. Nga ana tjetër, nuk kemi asnjë provë shkencore që libri elektronik mund të zgjasi më shumë se tre apo katërvjet. Libri është një shpikje e domosdoshme ashtu si rrota, çekani apo luga.

Dakort, po kush mund të çertifikonte në kohën e Gutembergut përjetësinë e bojës, letrës, shtypit ?
U. E. : Në atë kohë nuk kishte gazetarë që bënin pyetje të tilla ! Tani që ka, mund t’i përgjigjemi : libri i Gutembergut është akoma aty. Dhe pa u gabuar mund të afirmoj që ai do të jetojë më gjatë se unë… dhe se ju. E-book-u mund të eliminojë disa lloj librash apo dokumentesh : p. sh. dyzet vëllimet e enciklopedisë që kërkojnë një dhomë më tepër në apartament, kjo sigurisht që ka marrë fund… ai do të zhdukë gjithashtu skoliozën e fëmijve tanë që mbajnë mbi shpinë gjithë ato kile librash shkollorë. Ata do të kenë Molierin, gramatikën, mbi kopjuterin e tyre portativ. Por asgjë nuk do të eleminojë dashurinë për librin. Fotografia ka ndryshuar frymëzimin e piktorëve, por ajo nuk e vrau pikturën, as televizioni kinemanë. Përse ju doni që libri të zhduket përballë teksit numerik ? Njerzëve i pëlqen t’i shtien frikë vetes duke imagjinuar katastrofa radikale. Ata kanë nevojë për pak skandal !

Faleminderit që n’a siguruat ! Le ta lemë mënjanë skenarin absurd të zhdukjes së librit. Madje, dhe të leximit, përderisa, kundër atyre që me internetin shohin fundin e « galaksisë Gutemberg », ju mendoni se përkundrasi, ai na zhyt akoma në lexim. Përse ?
U. E. : Njeriu i internetit është njeriu i Gutembergut sepse ai është i detyruar të lexojë, jashtëzakonisht. Ajo që ka revolucionarizuar shtypshkronjën është shpërndarja e shkrimit. Interneti gjithashtu. Njerzit lexojnë dhe me sa duket, më shpejt se stërgjyshërit e tyre. Kalojnë nga një subjekt në tjetrin. Sipas meje, interneti inkurajon leximin e librave sepse ai shton kuriozitetin. Statistikat kanë treguar se ata që shikojnë shumë televizorin (por me masë) që lundrojnë në internet (por jo deri në atë pikë sa të kalojnë netët mbi site porno), janë gjithashtu ata që lexojnë më shumë.

LIBRI-ECCO-e1326099450132 dans LIBRI

A nuk kemi tendencë që ta shenjtërojmë librin, sikur ai të mbante të vërtetën dhe kulturën ?
U. E. : Unë magjepsem nga gabimi, praktikat e fshehta dhe idetë e gabuara ; meqe ra fjala, koleksioni im i veprave të rralla është i ndërtuar rreth kësaj teme. Ju garantoj se ka po aq idiotsira në libra sa dhe gjetiu. Ajo që formon një kulturë nuk është konservimi, por filtrimi. Në mënyrën se si veprat kanë arritur deri në ditët tona, ka aty pak rastësi. Asnjëherë nuk do dimë që në mesin e atyre katër mijë shkrimeve që u dogjën në bibliotekën e Aleksandrisë në Lashtësi, nuk gjendej një kryevepër e njerzimit më madhështore se ajo e Homerit. Aristoteli në Poetikën e tij, citon autorë tragjedish që ne nuk i njohim. Kush mund të na thotë që ata nuk ishin më të mirë se Euripidi, apo që Sofokliu s’ishte veçse një mafioz i zoti që falë disa miqve të tij me poste të rëndësishme bëri një karierë që nuk e meritonte ? Vetëm Aristoteli citon këto tragjedianë të humbur, dhe ky është i vetmi tregues që kemi. Dhe kam tendencë të besoj se po të kishin qenë aq gjenialë, një tjetër autor, me siguri, që ka shkruar një ditë apo një tjetër, të njejtën gjë si ata. Kështu që kultura jonë është produkt i asaj që i ka mbijetuar filtrave pak a shumë të rastësishëm ; vënieve me qëllim apo jo të zjarreve, çensurave, dështimeve, humbjeve…

Ne kemi sot me kujtesën një raport plot kontradita, ju e nënvizoni : ne besojmë që kemi mjetet për të arshivuar dijen universale mbi mbështetëse virtuale, por këto mbështetëse nuk zgjasin për shumë kohë dhe nuk e dimë fare se çfarë ruajmë. A mos kemi një problem filtri ?
U. E. : Filtrimi është problemi i epokës sonë. Raporti ynë më kujtesën të kujton Funes, personazhin hipermnezik të imagjinuar nga Borges. Ai i mban mend absolutisht të gjitha, kemi të bëjmë me një të çmendur ose idiot. Dhe interneti gjithashtu është skandali i një kujtese pa filtër ku nuk dallojmë më gabimin nga e vërteta. Në finale, kjo shkakton një fshirje të kujtesës. Kultura është një gjë që ndahet, diskutohet mes njerzëve. Deri më sot, ajo që mund ta quajmë “bashkësia” arrin të debatojë, të merret vesh dhe të bie dakort për të lënë mënjanë disa vepra, disa ide shkencore, në dobi të disa të tjerave. Një nga funksionet e mëdha të kulturës është imponimi i një dije të ndarë nga të gjithë. Kjo nuk do të thotë pandryshmëri të këtyre dijeve. Por, as të vënurit në dyshim, as revolucioni nuk mund të ndodhin nëqoftëse nuk egziston kjo bazë dijesh e ndarë mes njerzëve : që Koperniku të afirmonte se Toka s’është qendra e universit, duhej që më përpara të kishim pranuar teorinë e Ptolemeut që thoshte të kundërtën. Egziston një lloj Larousse-i enciklopedik i pranueshëm nga të gjithë, edhe pse ai i një 70 vjeçari është më i dendur se ai i një 25 vjeçari. Në një farë kohe interneti mund të njoftoi coptimin e këtij Larousse-i të përbashkët në përfitim të gjashtë miliard enciklopedive, çdo individ duke ndërtuar të tijin, secili sipas qejfit duke preferuar Ptolemeun në vend të Kopernikun, tregimin e Gjenezës në vend të teorisë së evolucionit.

Kështu rrezikojmë një pakomunikushmëri totale, pamundësinë e një dije universale…
U. E. : Sigurisht, kontrollet tradicionale do të vazhdojnë të ushtrohen, veçanërisht nga shkolla, por ato do të hyjnë gjithnjë e më shumë në konflikt me kërkesat e veçanta. Por, Kultura është aty, pikërisht për të ndaluar Buvardët dhe Pekushet që të triumfojnë.

Ju keni përpiluar një program ekspozitash, konferencash dhe koncertesh në Luvër mbi temën “Marramendja e listës”. Ju shkruani se Web-i, ky katalog i madh, ofron gjithashtu marramendjen më mistike dhe më virtuale.
U. E. : Më shqetësuesen, më dramatiken. Ky është ndryshimi mes marramendjes së ëmbël që të japin dy gota whisky dhe asaj që të japin dy shishe whisky. Web-i, është një gjendje komé etilike e garantuar ! E quajmë rrjetë, dhe e tillë është. Rrjetë merimange dhe labirint. Një strukturë që është e kundërta e pemës, e organizuar në degë e nën-degë. Lista, në fakt, është e kundërta e rregullit.

A keni vënë re që lista (artikujt më të lexuar, më të komentuarit, filmat më të parë, etj.) për shumë web-e bëhet një mënyrë e previlegjuar e trajtimit të informacionit ?
U. E. : Po, dhe besoj që kjo i korrespondon mirë refuzimit për të marrë një vendim, për të teorizuar, shkallëzuar informacionet, e që është karakteristike e web-it. Lista mund të jetë një mjet shumë primitif i njohjes. Ne e kuptojmë spontanisht botën më anë të eksperiencës, d.m.th. nën formën e një liste, më tepër se sa nën formën e një përkufizimi. Kur një fëmijë pyet nënën e tij : çfarë është një xhirafë ? ajo nuk do t’i përgjigjet : është një sisor, i familjes së… Ajo do ti thotë : është një kafshë e madhe, me katër këmbë të gjata dhe një qafë shumë të gjatë, dy brinj të vegjël mbi kokë, e me njolla kafe mbi qimet e verdha… Pra, ajo bën një listë, jo të plotë, të karakteristikave të saj. Kjo e lejon fëmijën që ta njohë xhirafën, proçedurë akoma më e rëndësishme kur është fjala për të njohur akrepin ! Lista në 80 % është mënyra jonë për të njohur realitetin. Çfarë është dielli ? Ju do t’i thoni : një diçka e shkëlqyeshme që del në mëngjes nga lindja dhe zhduket në darkë nga perëndimi. Kjo nuk është një përkufizim shkencor, por është mënyra natyrale se si qeniet njerzore, madje dhe astronomët, e shohin diellin.

Gjithmonë i keni pëlqyer listat, katalogët… Kjo është ajo ana juaj prej grykësi, koleksionuesi ?
U. E. : Më kanë mahnitur përherë grumbullimet, numërimet, inventaret. Kur isha i ri mund të lexoja çdo gjë të këtij lloji. Tekset mesjetare dhe veprat e Xhojsit që kanë qenë dy subjektet e studimeve në rininë time, janë plot me lista. Dhe unë vetë i përdor në romanet e mi. Patjetër që duhet të jetë një lloj grykësie. Nuk di të ndaloj !

Fuqia poetike e listave, është se ato të gjitha përfundojnë me “e tjerë” ?
U. E. : Jo, egzistojnë dhe lista të përfunduara, që thonë “gjithshka është aty”. Janë lista praktike. Në jetën e përditshme, kjo mund të jetë lista e pazareve. Në art dhe në letërsi, e famëshmja “arie e katalogut” që këndon Leporello, shërbyesi i Don Xhovanit në operan e Mozartit, është një listë praktike, komform me realitetin : aty janë të gjitha gratë me të cilat Don Xhovani ka fjetur. I kam numëruar, janë 2065 ! Është një rezultat që të lë pa mend, por është një numër i përfunduar. Në qoftëse Don Xhovani do të kishte mundur të bënte për vete Dona Elvirën, Leporello do ta kishte ribërë listën. Ju e shikoni që mbajtja e një listë është një punë e shërbëtorit në një kohë që koleksionuesi është një previlegj aristokratësh ! Më në fund, egzistojnë edhe lista poetike që mbarojnë me “e tjerë”. Kur Homeri numëron për shumë kohë luftëtarët tek Iliada, ai e bën atë për të sugjeruar pafundësinë : më mungojnë fjalët për të emërtuar të gjithë njerzit, aq të panumërt janë. Filloj dhe pastaj, “e tjerë”, vazhdon vetë.

Ju keni gjetur “e tjerë” në tabllo !
U. E. : E pranoj që nuk e kisha menduar më parë, por meqë jemi në Luvër, kërkuam atë që i afrohet kësaj “e tjerë”. Ato janë tabllo që të ftojnë të imagjinojsh përtej kornizës. Për shembull, në tabllonë Kurorëzimi (i Napolonit të parë), David ka presantuar të gjithë funksionarët e lartë që ishin prezent – disa ndoshta e kanë paguar për të qenë aty. Por ai e di që publiku e di që katedralja nuk ndalon aty dhe sugjeron turmën që shtrihet përpara në shesh. Kjo është një “e tjerë”.

david-e1326099587671

Më vonë, në epokën moderne, lista është kthyer në një modë subersive. Na e shpjegoni si…
U. E. : Ndryshe nga Homeri, që numëronte sepse nuk mund t’i vinte të gjithë mbrenda korrnizës, modernët kanë bërë lista me atë që del jasht korrnizës, të tepërtin, të pahijshmin, heteroklitin. Lista bëhet një mjet shumë i sofistikuar për të kundërshtuar rregullin (kemi parasysh surrealistët, nga Calvino ke Xhois). Këto lista kaotike fillojnë, siç thuhet, me Rëmbonë. Me këtë shije të heteroklites, tipike e botës bashkëkohore. Rablesi ishte më i çmenduri i krijuesve të listave, ato kishin gjithmonë një objekt : lista e mënyrave për të fshirë bythën, lista e veshjeve të murgjëve të manastirit të Telemës… Në të kundërtën, me listën në letërsinë bashkohore bëhet fjalë për ri-përzierjen e botës pasi listat kanë shërbyer për qëllime inventari, pastaj rregulli.

Si koleksionues, kërkoni akumulimin apo jeni si personazhi i Georges Perec në librin La vie mode d’emploi që gjithë jetën shpreson të gjejë pjesën që i mungon mozaikut ?
U. E. : Në fillim isha i tërhequr nga akumulimi, sot jo. Kërkoj pjesën që mungon, dua vetem që të mbush boshllëkun.

Si e përktheni ju thellësinë e “e tjerë” ?
U. E. : Ashtu si romantikët, Kanti i pari, kanë ndjerë sublimen : duke parë pafundësinë e qiellit me yje. “E tjerë”, është sublimja. Në fund të fundit, ky është përkufizimi i Zotit… që s’është veçse një “e tjerë” i madh !

Përktheu Y.Demneri

 

 

 

Nostalgjia e humbjes

Nga Alket Çani (Gazeta Panorama, 9 tetor 2011)

Lbri-Me-kujtohet-300x249Nëse ka një libër, në letërsinë shqipe, që ka fotografuar në mënyrën më të përimët e të kulluar portretin e vërtetë të një epoke, ky është padyshim libri « Më kujtohet » i Ylli Demnerit. I ngjan ai më tepër një albumi fotografik që nuk flet me gjuhën e imazhit, por të fjalëve. Janë çaste të fiksuara nga kujtesa, në mënyrë të natyrshme, pa rend kronologjik, në formë fragmentesh. Këto fragmente, që në pamje të parë duken si pa lidhje me njëri-tjetrin, formojnë, në të vërtetë, një unitet të brendshëm mjaft koherent, duke e bërë “Më kujtohet” një libër të pazakontë dhe krejt të veçantë në letërsinë shqipe të deritanishme.

Në parathënien e librit, autori thotë, ndër të tjera, se ideja për këtë libër i ka ardhur në mendje pasi ka lexuar librin Je me souviens (Më kujtohet) të autorit francez Georges Perec. Nga ana e tij, edhe Perec për librin e vet u frymëzua nga një tjetër libër me të njëjtin titull, por kësaj here në anglisht, I remember, i piktorit amerikan Joe Brainard. Të dy këta autorë, që do mund t’i cilësonim si pararendësit e Demnerit, kanë shkruar kujtimet e jetës së tyre në vendin te tyre. « Ky shënim i vogël i Perec-ut, vazhdon Demneri, ma hoqi kompleksin e kopjuesit. Jo vetëm kaq, por kjo mënyrë të kujtuari e së kaluarës kolektive më shpëtoi nga autobiografia e mirëfilltë – që në rastin tim nuk do të kishte ndonjë interes -, dhe njëkohësisht më shmangu nga dëshira për të krijuar një portret simpatik për veten, siç ndodh në librat me kujtime« .

Pra, kemi të bëjmë me një vepër sa personale aq edhe të depersonalizuar, e madje të çinteresuar, karakteristikë kjo që është ndoshta nga më të rëndësishmet për suksesin e librit. Ashtu sikundër një nga vlerat e tij më të çmuara është padyshim fakti që kemi të bëjmë me një libër të hapur, në kuptimin që gjithkush mund të shtojë, sipas këtij modeli, kujtimet e tij, e, për rrjedhojë, kujtimet e përbashkëta të një epoke.

***

Të gjithë ata që kanë kaluar një pjesë të jetës së tyre, ose të paktën fëmijërinë, përpara viteve nëntëdhjetë tek ne, nuk mund ta lexojnë këtë libër pa gjetur atje vetveten, fëmijërinë dhe rininë, ngjyrat dhe ngjarjet, gjestet dhe aromat, historitë dhe humorin, gjuhën dhe objektet e kohës, shkurt, jetën tonë të kaluar, të përbashkët e pothuajse të njëtrajtshme, e cila tashmë ka humbur, por nuk është harruar. Libri i Demnerit na ndihmon ta rikujtojmë atë, përpara se t’ia zerë vendin një tjetër epokë e mëpasme, si, fjala vjen, kjo e sotmja, me tiparet dhe njëtrajtshmërinë e saj.

Shoqëria e çdo epoke, e kufizuar në kohë dhe hapësirë, krijon mënyrat e saj të jetesës, normat dhe zakonet, shijet dhe idealet, gjykimet dhe qëndrimet, shkurt, një konceptim të caktuar të botës, të cilin e manifeston nëpërmjet produktesh. Në njëfarë kuptimi, njerëzit bëhen viktimat e asaj që prodhojnë vetë. Çfarëdolloj aspekti që të ketë, ideologjik, industrial, utopik, virtual, vjen një çast kur ky produkt ushtron tiraninë e vet të pashmangshme mbi shoqërinë që e ka prodhuar. Kur kjo tirani mbërrin në pikën e saj kulmore, njerëzit nisin përpjekjet për të shpëtuar prej saj. Është koha kur ata ngrejnë pikëpyetje dhe vënë në dyshim gjëra. Por jo për shumë kohë. Sepse është shumë e vështirë e pothuajse e pamundur të mos prodhosh, e të mos prodhosh gjithnjë e më tepër. Produkte të reja – tirani e re. Kjo ndërkohë midis dy tiranish është periudha më e bukur në jetën e një shoqërie. Është një formë e thellë e revoltës së saj.

Është, pak a shumë, kjo situatë që përshkruan si në mënyrë të pavetëdijshme libri « Më kujtohet ». Këto kujtime, ose më saktë fragmente kujtimesh, – sepse të duken si episodet e mbetura nga një tërësi, pjesa thelbësore e së cilës ka humbur – ringjallin pikërisht humbjen e asaj ndërkohe dhe kjo humbje shkakton nostalgji. Nga kjo pikëpamje, tekstet e këtij libri ngjajnë si haiku. Ose si fotografi. Tipari themelor i tyre është ngulitja e një çasti ikanak, të pakthyeshëm, e diçkaje që është e destinuar të humbasë njëherë e përgjithmonë. (« Më kujtohet një qershi e lulëzuar. E vetme. Në një fushë të vogël mbuluar me bar të lartë. »)

***

Duke folur për Mallarmé-në, Paul Valéry thoshte se kur distancohesh nga bota, vihesh në kushtet e të kuptuarit të botës. Në këtë kontekst, autori i librit « Më kujtohet » e ka marrë tashmë largësinë e duhur që nostalgjinë e viseve fizike dhe shpirtërore të fëmijërisë ta shndërrojë në një fakt estetik. Ai ka shkruar një libër të mrekullueshëm, fryt i një vëzhgimi të hollë, i një sondimi të thellë të kujtesës dhe i një pritjeje të gjatë. Dhe ka pikturuar, si peizazhistët e Linjdes së Largët, lidhjen dinamike që krijohet midis njerëzve të një epoke dhe universit të tyre.   

 Në shekullin XVI, poeti japonez Satomura Shoha kërkonte një penel, që të mund të pikturonte lulet e kumbullës, bashkë me aromën e tyre. Na duket se me këtë libër, Ylli Demneri e ka gjetur penelin. Ky libër është i të gjithëve. Ne të gjithë jemi ky libër.

Paris, tetor 2011

Librin  « Më kujtohet » mund ta gjeni në Tiranë :

Në librarinë Adrion (Pallati i Kulturës), në librarinë E për7shme, rruga Jul Variboba, si dhe në librarinë Vera, rruga e Durrësit numër 5.

 

12345
 

Mariage Ingrid et Florent |
ANIMATION (CHATEAU GONFLABLE ) |
BIENVENUE dans mon Univers ... |
Unblog.fr | Créer un blog | Annuaire | Signaler un abus | Moi, Lilith
| venez chez zabuzobe ça peu ...
| Cours en ligne Infocom