Poikilos

Vivre, c’est fabriquer du passé

Archive pour la catégorie 'POEZI'

Poezi e klasit të parë

Posté : 15 juin, 2012 @ 11:05 dans POEZI | Pas de commentaires »

Poezi e klasit të parë dans POEZI arb-elo-210x300Asgjë nuk di për ArB eLo-n si poet edhe pse ai që fshihet mbrapa këtij pseudonimi më ka dërguar vëllimet e tij poetike. Me njeriun që ka shkruar këto poezi jam takuar rastësisht para 25 vjetësh kur ai ishte maturant në gjimnazin Sami Frashëri. Kisha kërkuar ta takoja sepse më kishte lënë mbresa hartimi i tij mes nëntëdhjetë të tjerëve. E që mbas asaj dite nuk jemi parë më. Asnjë informacion. Në revistën letrare « Mehr Licht ! » që botohet në Tiranë e që miku im Alket Çani ma kalon për ta lexuar herëpashere, mësoj se ArB eLo ka mbaruar studimet për arkitekturë në universitetin e Tiranës e që nga viti 1990 jeton në Gjermani. Ka botuar vëllimet me poezi « Rrëfime hijesh », « Mirazh » dhe « Zero 3D ». Një informacion që ngjan më tepër me një pllakë të vendosur mbi portën e një studio apo mbi një gur varri. Për atë që quhet « jeta e poetit » në të cilën shpesh herë kritikët e studiuesit bazohen për të kuptuar e interpretuar veprën, nuk kemi asnjë gjë. Nada. Në pozicionin e lexuesit ( a nuk shkruajmë për të na lexuar ?) mungesa e të dhënave rreth jetës personale të poetit nuk më pengon që të shijoj shkrimet e tij.

Çfarë dimë ne rreth jetës së Homerit apo të atyre poetëve anonimë që na kënë lënë ato qindra vargje të mrekullueshme që i quajmë folklor ?

Si do t’ia bëjmë kur një ditë me shi, duke u endur na zë syri një fletë të grisur e të lagur që për arsye nga më të ndryshmet është shkëputur nga një vëllim me poezi (ndoshta një ish-kaush me hide ?) dhe kur e marrim për ta lexuar, tronditemi (e nga brenda fillon e bie shi) ? Sigurisht që do të kërkojmë të dimë se kush është autori. Duam që atij krijimi t’i vëmë një imazh. Në këto përpjekje më se normale, mendoj se më e rëndësishmja është « takimi me teksin ».  Ajo që fjalët na sugjerojnë, duke na zgjuar imazhe të cilat më shumë janë  të lidhura me ndjeshmërinë e kulturën e lexuesit.

Nga takimi me poezitë e ArB eLo-s, të shkruara në shqip (gjuha që njoh më mirë) jam trishtuar, mrekulluar, emocionuar, turbulluar. Shkëputur nga kjo botë edhe pse ajo e tij (e poezisë së tij) nuk është e qetë, e shtruar, e lumtur, « e bukur ». Një botë jo e panjohur, por e pakrijuar deri tani në letrat shqipe.

Nuk e kuptoj shprehjen « poezi mediokre ». Ka vetëm poezi të klasit të parë ! – thoshte me të drejtë Lasgush Poradeci. Duke krahasuar poezitë më të arrira të krijuara nga poetët shqiptarë të të gjitha kohërave, mund të them se ato të ArB eLo-s janë nga më të mirat. Një musht poetik i gjuhës shqipe.

YD

Vjollca morti

Dy vjollcat e tua të zeza, rritur bashkë me ty,

me thimthat e shkurtër, të mbjellë nëpër ajër,

i kam frikë; më ngjajnë me shenja apo ogure

të ligj për kohët që po vijnë. Së shpejti o Arb

kafsha që çapitet pa u ndierë do të zërë pusi

në vendin e caktuar, do të presë sa të vish ti

e papritur do të të hidhet në fyt pa e kuptuar.

Sytë i ndrijnë ne terr si yje asaj bishe, qimen

e ka të lëmuar mbi gjymtyrët e tendosur fort,

kur druhemi ndiej flegrat e saj në qafën time,

gjuhën e flashkët teksa thith ndër pore nektar

lulesh të errta, të vjollcave, të rritura me mort

të pashmangshëm mugu, ëndërruar bashkë…

 

 

Tani e këtu

Ti nuk e di se kush do të jenë ata që janë si ti,

diçka ra, e dëgjoi kush pat veshë për të dëgjuar

fëshfërimën që bën çasti kur fërkohet me tjetrin

në mulli, pluhuri është i tejdukshëm, me brymë

vijnë të mbuluar prej netëve të tyre udhëtarët

në stacion, një e nga një… Jo vetëm ti ndoshta

e pyet veten: Si ka të ngjarë që u pikëpremë këtu

o të uruar, në mos rastësisht, atëherë çfarë?

Mos është e shkruar që të jemi pikërisht tash

bashkë, zgjedhur mes shtatë miliardë të ngratësh

për t’u pjekur pikërisht sot, mu këtu si farë ngjarjesh

që do të ndodhin sigurisht dikur?… Buzët e vajzës

përballë meje i qesh një kumt i fshehtë, ajo më do,

por koha jonë ende s’ka ardhur, ende na duhet

t’i rrimë panjohur tjetrit përkundër, por të huaj

e dashur ne nuk ka si jemi, perëndia vetë desh

që të shihemi tani e këtu, atëherë pse s’më thua

atë që e dimë të dy e që të bën të buzëqeshësh?

Ma thuaj që ta di që e di vërtet, përndryshe mua

më sëmur edhe më frika e të qenit tjetër. E di?

Veç një njeri jeton në botë, shtatë miliardë herë…

 

 

Pasdite prilli

Qiellit kryqe lenë avionët, bari hijesh jam unë,

në shesh më bien në gjunjë hijet e tyre. Ashtu

janë, hije hijesh që hedhin vetë mbi dhe; dhe

do të jenë shpejt e përmbi do të kenë një kryq

lënë atje nga kushedi kush. Unë po ndaj delet

nga cjeptë; u them atyre në të majtë: pata uri

e s’më dhatë të ha; qeshë në burg e s’erdhët,

në udhë qeshë e dot nuk bujta, o biri i njeriut

mos ardhsh kurrë, jetën e përjetshme askush

s’e ka merituar, janë hije hijesh plot me gjumë,

janë brez i lig e jeta është rrenë… kryqe lenë

njerëz në varreza, në caput mundi, bari hijesh

jam unë e kullos të tjera, koha është prej fundi…

 

 

Rrush në hardhinë tënde

Nën kafkë falet uni me zë të ulët dhe kur e dëgjoj seç thotë

më shfaqet dikush me plagë në gjoks, me buzë që i dridhen

e me lotë përmbi. Ç’të bëj, të marr ilaçe apo të ndez një qiri,

të falem edhe vetë sëbashku me të, po për çfarë mëkatesh?

 

Nuk është keq të lutesh për mosvrasje, për lirinë dhe bukën,

të lutesh e të përlotesh derisa të çmallesh edhe me hyjninë.

Grua është për disa ajo, baba për të tjerët, ndërsa për mua

është tani një fëmijë prej flakësh që hidhen e lodrojnë në terr

me ne, hijet e tyre; nën kafkë falet në mua uni me zë të ulët:

« Lerna të shuhemi, të shkrumbemi në ty o i tërëmëshirshëm,

mbaroje këto kohë mundi e zgjidhna duart, lerna të shkojmë

fushave me lule, bëje të ndodhë sot çka ke premtuar, udhët

tona qofshin veç një për të gjithë e jepna dritë nga shpirti yt! »

 

Na kanë këputur duart mavi me damarë të kërcyer, pikojmë

dritë e hije ndanë e ndanë; unë jam njëra nga kokrrat, tjetra

je ti e shumë s’jemi vetë dhe as s’e dimë se si janë, ndonëse

ngjajnë njëlloj si ne. Verë nga e jona pi ynëzot dhe pikëllohet

ndanë nesh si vreshti prej ku vijmë, rëndohen e i erren lotët

prej mushtit tonë të zi. Kjo është nata, xixëllonja dehet me të

e ndrin më fort ashtu, i merren krahët e shkon përçart kuturu

n’eter. Janë lakuriq ato duar, lëvozhgë s’kanë ato arra pjekur

nën yje, lëvizin zbehtë në qiell ngadalë drejt agut e na marrin

një e nga një nga bistaku, na lenë ashtu ndër buzë të huajsh,

si shpirt të ndjerësh që shijojnë lirinë e përgjithnjë nga vuajtja…

 

Mariage Ingrid et Florent |
ANIMATION (CHATEAU GONFLABLE ) |
BIENVENUE dans mon Univers ... |
Unblog.fr | Créer un blog | Annuaire | Signaler un abus | Moi, Lilith
| venez chez zabuzobe ça peu ...
| Cours en ligne Infocom