Poikilos

Vivre, c’est fabriquer du passé

Poezi e klasit të parë

Classé dans : POEZI — 15 juin, 2012 @ 11:05

Poezi e klasit të parë dans POEZI arb-elo-210x300Asgjë nuk di për ArB eLo-n si poet edhe pse ai që fshihet mbrapa këtij pseudonimi më ka dërguar vëllimet e tij poetike. Me njeriun që ka shkruar këto poezi jam takuar rastësisht para 25 vjetësh kur ai ishte maturant në gjimnazin Sami Frashëri. Kisha kërkuar ta takoja sepse më kishte lënë mbresa hartimi i tij mes nëntëdhjetë të tjerëve. E që mbas asaj dite nuk jemi parë më. Asnjë informacion. Në revistën letrare « Mehr Licht ! » që botohet në Tiranë e që miku im Alket Çani ma kalon për ta lexuar herëpashere, mësoj se ArB eLo ka mbaruar studimet për arkitekturë në universitetin e Tiranës e që nga viti 1990 jeton në Gjermani. Ka botuar vëllimet me poezi « Rrëfime hijesh », « Mirazh » dhe « Zero 3D ». Një informacion që ngjan më tepër me një pllakë të vendosur mbi portën e një studio apo mbi një gur varri. Për atë që quhet « jeta e poetit » në të cilën shpesh herë kritikët e studiuesit bazohen për të kuptuar e interpretuar veprën, nuk kemi asnjë gjë. Nada. Në pozicionin e lexuesit ( a nuk shkruajmë për të na lexuar ?) mungesa e të dhënave rreth jetës personale të poetit nuk më pengon që të shijoj shkrimet e tij.

Çfarë dimë ne rreth jetës së Homerit apo të atyre poetëve anonimë që na kënë lënë ato qindra vargje të mrekullueshme që i quajmë folklor ?

Si do t’ia bëjmë kur një ditë me shi, duke u endur na zë syri një fletë të grisur e të lagur që për arsye nga më të ndryshmet është shkëputur nga një vëllim me poezi (ndoshta një ish-kaush me hide ?) dhe kur e marrim për ta lexuar, tronditemi (e nga brenda fillon e bie shi) ? Sigurisht që do të kërkojmë të dimë se kush është autori. Duam që atij krijimi t’i vëmë një imazh. Në këto përpjekje më se normale, mendoj se më e rëndësishmja është « takimi me teksin ».  Ajo që fjalët na sugjerojnë, duke na zgjuar imazhe të cilat më shumë janë  të lidhura me ndjeshmërinë e kulturën e lexuesit.

Nga takimi me poezitë e ArB eLo-s, të shkruara në shqip (gjuha që njoh më mirë) jam trishtuar, mrekulluar, emocionuar, turbulluar. Shkëputur nga kjo botë edhe pse ajo e tij (e poezisë së tij) nuk është e qetë, e shtruar, e lumtur, « e bukur ». Një botë jo e panjohur, por e pakrijuar deri tani në letrat shqipe.

Nuk e kuptoj shprehjen « poezi mediokre ». Ka vetëm poezi të klasit të parë ! – thoshte me të drejtë Lasgush Poradeci. Duke krahasuar poezitë më të arrira të krijuara nga poetët shqiptarë të të gjitha kohërave, mund të them se ato të ArB eLo-s janë nga më të mirat. Një musht poetik i gjuhës shqipe.

YD

Vjollca morti

Dy vjollcat e tua të zeza, rritur bashkë me ty,

me thimthat e shkurtër, të mbjellë nëpër ajër,

i kam frikë; më ngjajnë me shenja apo ogure

të ligj për kohët që po vijnë. Së shpejti o Arb

kafsha që çapitet pa u ndierë do të zërë pusi

në vendin e caktuar, do të presë sa të vish ti

e papritur do të të hidhet në fyt pa e kuptuar.

Sytë i ndrijnë ne terr si yje asaj bishe, qimen

e ka të lëmuar mbi gjymtyrët e tendosur fort,

kur druhemi ndiej flegrat e saj në qafën time,

gjuhën e flashkët teksa thith ndër pore nektar

lulesh të errta, të vjollcave, të rritura me mort

të pashmangshëm mugu, ëndërruar bashkë…

 

 

Tani e këtu

Ti nuk e di se kush do të jenë ata që janë si ti,

diçka ra, e dëgjoi kush pat veshë për të dëgjuar

fëshfërimën që bën çasti kur fërkohet me tjetrin

në mulli, pluhuri është i tejdukshëm, me brymë

vijnë të mbuluar prej netëve të tyre udhëtarët

në stacion, një e nga një… Jo vetëm ti ndoshta

e pyet veten: Si ka të ngjarë që u pikëpremë këtu

o të uruar, në mos rastësisht, atëherë çfarë?

Mos është e shkruar që të jemi pikërisht tash

bashkë, zgjedhur mes shtatë miliardë të ngratësh

për t’u pjekur pikërisht sot, mu këtu si farë ngjarjesh

që do të ndodhin sigurisht dikur?… Buzët e vajzës

përballë meje i qesh një kumt i fshehtë, ajo më do,

por koha jonë ende s’ka ardhur, ende na duhet

t’i rrimë panjohur tjetrit përkundër, por të huaj

e dashur ne nuk ka si jemi, perëndia vetë desh

që të shihemi tani e këtu, atëherë pse s’më thua

atë që e dimë të dy e që të bën të buzëqeshësh?

Ma thuaj që ta di që e di vërtet, përndryshe mua

më sëmur edhe më frika e të qenit tjetër. E di?

Veç një njeri jeton në botë, shtatë miliardë herë…

 

 

Pasdite prilli

Qiellit kryqe lenë avionët, bari hijesh jam unë,

në shesh më bien në gjunjë hijet e tyre. Ashtu

janë, hije hijesh që hedhin vetë mbi dhe; dhe

do të jenë shpejt e përmbi do të kenë një kryq

lënë atje nga kushedi kush. Unë po ndaj delet

nga cjeptë; u them atyre në të majtë: pata uri

e s’më dhatë të ha; qeshë në burg e s’erdhët,

në udhë qeshë e dot nuk bujta, o biri i njeriut

mos ardhsh kurrë, jetën e përjetshme askush

s’e ka merituar, janë hije hijesh plot me gjumë,

janë brez i lig e jeta është rrenë… kryqe lenë

njerëz në varreza, në caput mundi, bari hijesh

jam unë e kullos të tjera, koha është prej fundi…

 

 

Rrush në hardhinë tënde

Nën kafkë falet uni me zë të ulët dhe kur e dëgjoj seç thotë

më shfaqet dikush me plagë në gjoks, me buzë që i dridhen

e me lotë përmbi. Ç’të bëj, të marr ilaçe apo të ndez një qiri,

të falem edhe vetë sëbashku me të, po për çfarë mëkatesh?

 

Nuk është keq të lutesh për mosvrasje, për lirinë dhe bukën,

të lutesh e të përlotesh derisa të çmallesh edhe me hyjninë.

Grua është për disa ajo, baba për të tjerët, ndërsa për mua

është tani një fëmijë prej flakësh që hidhen e lodrojnë në terr

me ne, hijet e tyre; nën kafkë falet në mua uni me zë të ulët:

« Lerna të shuhemi, të shkrumbemi në ty o i tërëmëshirshëm,

mbaroje këto kohë mundi e zgjidhna duart, lerna të shkojmë

fushave me lule, bëje të ndodhë sot çka ke premtuar, udhët

tona qofshin veç një për të gjithë e jepna dritë nga shpirti yt! »

 

Na kanë këputur duart mavi me damarë të kërcyer, pikojmë

dritë e hije ndanë e ndanë; unë jam njëra nga kokrrat, tjetra

je ti e shumë s’jemi vetë dhe as s’e dimë se si janë, ndonëse

ngjajnë njëlloj si ne. Verë nga e jona pi ynëzot dhe pikëllohet

ndanë nesh si vreshti prej ku vijmë, rëndohen e i erren lotët

prej mushtit tonë të zi. Kjo është nata, xixëllonja dehet me të

e ndrin më fort ashtu, i merren krahët e shkon përçart kuturu

n’eter. Janë lakuriq ato duar, lëvozhgë s’kanë ato arra pjekur

nën yje, lëvizin zbehtë në qiell ngadalë drejt agut e na marrin

një e nga një nga bistaku, na lenë ashtu ndër buzë të huajsh,

si shpirt të ndjerësh që shijojnë lirinë e përgjithnjë nga vuajtja…

Borges dhe unë

Classé dans : FLETE TE GRISURA — 23 février, 2012 @ 12:53

Borges dhe unë dans FLETE TE GRISURA BORGES-DHE-UNE-2-300x239Atij tjetrit, Borges-it, i ndodhin këto gjëra. Ndërsa unë eci në Buenos Aires, ndaloj ndoshta mekanikisht për të vështruar kubenë e një treme dhe kangjellat e një oborri ; të rejat e Borges-it i marr vesh me anë të postës dhe shikoj emrin e tij në një listë me profesorë apo në një fjalor biografik. Më pëlqejnë orët me rërë, planisferat, tipografia e shekullit të XVIII, etimologjia, shija e kafes dhe proza e Stevenson-it ; tjetri i ndan po këto preferenca, por në mënyrë vanitoze e që i jep tiparet e një aktori. Do të ishte e tepruar të pretendosh që marrëdhënia jonë është armiqësore ; unë jetoj dhe jetoj pa e vrarë mendjen fare me qëllim që Borges të thurë letërsinë e tij dhe kjo letërsi më justifikon. E them me kënaqësi që ai ka realizuar disa faqe me vlerë, por ato faqe s’mund të më shpëtojnë, sepse padyshim, realizimet e mira nuk i përkasin kujt, madje as atij, tjetrit, por gjuhës dhe traditës. Fundi i fundit, unë jam i dënuar që të zhdukem, përfundimidht, dhe vetën një çast i imi do të ketë fatin të mbijetojë te tjetri. Pak nga pak i lëshoj pe për gjithçka edhe pse e shoh maninë e tij për të fallsifikuar e zmadhuar çdo gjë. Spinoza e kuptoi që gjërat kërkojnë të qëndrojnë në gjendjen e tyre ; guri kërkon të jetë përjetësisht gur dhe tigri një tigër. Unë dua të qëndroj tek Borges-i, jo në veten time (për aq kohë që jam dikush). Megjithatë, në librat e tij e shoh veten më pak se në shumë libra të tjerë apo në tingëllimën e dhimbshme të një kitare. Vite më parë provova që të çlirohem prej tij dhe kalova nga mitologjitë e lagjeve periferike  në lojrat me kohën dhe pafundësinë, por tani këto lojra i përkasin Borges-it dhe do të më duhet të imagjinoj tjetër gjë. Kështu jeta ime është një arrati ku humb gjithçka dhe ku gjithçka shkon në harresë, apo tek tjetri.
Nuk e di cili nga ne të dy shkruan këtë faqe.

Jorges Luis Borges

Përktheu Y. Demneri

Letër një artisti të ri

Classé dans : FLETE TE GRISURA — 12 janvier, 2012 @ 1:07

Letër një artisti të ri dans FLETE TE GRISURA hermannhesse-e1326365741901

Herman Hesse

5 janar 1949

I dashur J. K.,
Të falenderoj për mesazhin që më dërgove me rastin e Vitit të Ri. Ai është i trishtueshëm e dëshpërues, dhe e kuptoj atë mjaft mirë. Megjithatë, ka aty një frazë ku ti thua se të është ngulitur në mendje ideja se një kuptim dhe një mision kanë qenë caktuar për ty dhe për jetës tënde dhe se ti vuan nga moszbulimi i këtij kuptimi dhe nga mospërmbushja e këtij misioni. Pavarësisht, kjo më duket inkurajuese, sepse është e vërtetë në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, dhe të lutem që t’i kujtosh e t’i meditosh herë pas here shënimet që do të shkruaj në lidhje me këtë subjekt. Këto reflektime nuk janë të miat, ato janë po aq të vjetra sa bota dhe bëjnë pjesë në atë që njerzit kanë shprehur si më pozitive për veten dhe misionin e tyre.
Atë që ti bën në jetë, dua të them, jo vetëm si artist, por gjithashtu dhe si njeri, burrë e baba, mik, komshi, etj., pra, e gjitha kjo vlerësohet në funksion të “kuptimit” të përjetshëm të botës dhe sipas kritereve të drejtësisë së përjetëshme, jo duke iu referuar disa matjeve të vendosura njëherë e përgjithmonë, por duke i aplikuar veprimeve të tua, aftësinë tënde, të veçantë e personale. Kur Zoti do të gjykojë, ai nuk do të pyesi : “A ke qenë një Hodler, një Picasso, një Pestalozzi, një Gotthelf ? Përkundrazi ai do të pyes : “A ke qenë dhe a je në të vërtetë J. K.-ja për të cilin ti ke trashëguar disa predispozita ? I pyetur në këtë mënyrë, asnjëri nuk do mundet që t’i flasë për egzistencën dhe gabimet e veta pa ndjerë tmerr e turp ; pak a shumë ai mund të përgjigjet : “Jo, s’kam qenë ky njeri, por të paktën jam përpjekur që të bëhem i tillë brenda mundësive të mia.” Po t’i thotë ato me sinqeritet, ai do të jetë i justifikuar e do të dalë i fituar nga prova.
Nëqoftëse ti shqetësohesh nga imazhe të tilla si “Zoti” apo “gjykatësi i përjetshëm”, lëri ato qetësisht menjanë, sepse ato s’kanë shumë rëndësi. E vetmja gjë që ia vlen është fakti që secili prej nesh është depozitues i një trashëgimie dhe mbajtësi i një misioni ; secili nga ne ka trashëguar nga nëna dhe babai, nga stërgjyshërit e tij të shumtë, nga populli i tij, nga gjuha e tij, disa veçanti të mira apo të këqia, të këndshme apo të pakëndshme, disa talente dhe disa difekte, dhe të gjitha këto të mbledhura sëbashku na bëjnë të jemi këto që jemi, ky realitet i përveçëm që quhet J.K., në rastin tënd. Kështu pra, këtë realitet të përveçëm, secili nga ne duhet ta vërë në pah, ta jetojë deri në fund, ta çojë deri në pjekuri, dhe më sëfundi, ta përkryej sa të jetë e mundur. Në lidhje më këtë mund të citojmë shembuj mjaft mbresëlënës e që i gjejmë me bollëk në historinë universale dhe historinë e artit. Ashtu siç shohim që në shumë përralla ka shpesh një perzonazh që është idioti i familjes, i pazoti, dhe ndodh që atij t’i jepet roli kryesor. Është pikërisht besnikëria në vetë natyrën e tij që i bën individët e tjerë, më të zgjuar se ai, e të favorizuar nga suksesi, të duken mediokër.
Kështu, në fillim të shekullit të kaluar jetonte në Frankfort familja Brentano, e pasur me individualitete mjaft të zotë. Nga njëzet fëmijët që kishte në atë kohë, dy prej tyre sot janë të shquar : poetët Klement dhe Betina Brentano. E pra, këto vëllezër e motra të shumtë qenë të gjithë të zgjuar, interesantë më tepër se mesatarja, mendje të ndritura, talente të klasit të parë. Vetëm i madhi i fëmijëve ishte dhe ashtu mbeti, i leshtë dhe gjithë jetën e tij e kalojë në shtëpinë e prindërve, një shpirt i qetë i vatrës familjare për të cilin nuk kishte ndonjë rrugëzgjidhje ; katolik, ai respektonte të gjitha detyrat e besimtarit ; si djalë dhe si vëlla tregohej i matur e babaxhan, dhe në mes të bandës së lumtur e mëndjemprehtë të vëllezërve e motrave, ku shpesh shpërthente ekstravaganca, ai bëhet gjithnjë e më shumë qendra e heshtur dhe e qetë e familjes, një lloj guri i çmuar familiar që rrezatonte paqe e mirësi. Vëllezërit dhe motrat e tij flasin për këtë leshko, për këtë qenie foshjore, me një respekt, një dhëmshuri të tillë, si për asnjë tjetër. Pra, dhe atij gjithashtu, këtij budallai, këtij idioti, i kishte qenë caktuar një kuptim dhe një mision dhe ai i kishte përmbushur ato më mirë se të gjithë vëllezërit e motrat e tij të ndritur.
Shkurt, kur dikush ndjen nevojën për të justifikuar jetën e tij, nuk është niveli i përgjithshëm i aksionit të tij, parë nga pikëpamja objektive, që ka rëndësi, por më shumë fakti që vetë natyra e tij, ajo që i ka qenë dhënë, të shprehet sa më sinqerisht që të jetë e mundur në egzistencën dhe në aktivitetin e tij. Tentativa të panumërta na kthejnë vazhdimisht nga kjo rrugë ; më e forta prej tyre është ajo që në brendësi të vetes sonë na bën të besojmë  se mund të ishim dikush krejt tjetër nga ai që jemi në realitet dhe kështu fillojmë të imitojmë modele dhe të ndjekim ideale që jo vetëm nuk duhen, por as që mundemi t’i arrijmë. Kjo tentativë është veçanërisht e fortë tek personat e pajisur me aftësi superiore, tek ata, ajo paraqet shumë më tepër rrezik se një egoizëm i thjeshtë me rreziqet e tij vulgare, sepse ajo shfaqet me pamjet e një fisnikërie shpirtërore e morale.
Në një moment të jetës, çdo djalë i ri ka ëndërruar të drejtojë një karrocë me kuaj apo një lokomotivë, të bëhet gjuetar apo gjeneral, dhe më vonë, të bëhet një Gëte apo Don Zhuan ; kjo është një tentative e natyrshme, e pashmangshme në zhvillimin normal të individit dhe një mënyrë për t’u vetë-edukuar : imagjinata, si të thuajsh, duke kërkuar në të errët, merr kontakt me mundësitë e së ardhmes. Por jeta nuk i plotëson këto dëshira dhe idealet e fëmijërisë e të rinisë vdesin vetvetiu. Megjithatë, ne vazhdojmë përherë me dëshirën për të bërë gjëra për të cilat nuk jemi bërë dhe përpiqemi t’i imponojmë natyrës sonë kërkesa që e dhunojnë atë. Të gjithë ne reagojmë në këtë mënyrë. Por në të njejtën kohë, në momentet e një vetëdije të mbrendshme e ndjejmë gjithnjë e më shumë se nuk ka rrugë që do të na çojnë jasht vetes sonë, drejt diçkaje tjetër, se duhet ta përshkojmë jetën me aftësitë e dobësitë që janë tonat e thjesht personale dhe ndodh që disa herë të bëjmë përparime, të realizojmë diçka që deri mëparë nuk ishim të zotët ta bënim, dhe për një çast, pa hezituar, e aprovojmë dhe kënaqemi me veten. Sigurisht që kjo kënaqësi nuk ka asgjë të qëndrueshme ; megjithatë, pas kësaj, pjesa më intime e vetes sonë s’tenton gjë tjetër veçse të ndjehet e rritur dhe e pjekur në mënyrë të natyrshme. Vetëm në këtë mënyrë mund të jemi në harmoni me botën dhe nëqoftëse arrijmë që ta njohim këtë gjendje, eksperienca që mund të bëjmë do të jetë akoma më e thellë.
Kur them se misioni që i besohet çdo individi është i ndryshëm për secilin prej tyre, nuk kam aspak parasysh atë që diletantët e artit, të vjetër e të rinj, quajnë mbrojtja dhe afirmimi i individualitetit e origjinalitetit të tyre. Kuptohet vetvetiu se kur një artist e bën artin profesion dhe qëllim të jetës së tij, i duhet të fillojë nga mësimi i gjithshkaje që i shërben mjeshtrisë ; ai s’duhet të mendojë se do t’i duhet që ta shmangë këtë nxënie me qëllim që të ruaj origjinalitetin dhe personalitetin e tij të vyer. Shembujt të tillë nuk mungojnë. Përpjekja personale për të asimiluar atë që kemi mësuar është një detyrë fillestare, si në fushën e artit, ashtu dhe në atë të jetës së përditëshme. Duhet që fëmija të mësojë të hajë, të jetë i pastër, i duhet mësuar shkrimi e këndimi. Studimi i gjithshkaje që duket se ia vlen të mësohet nuk bëhet pengesë në zhvillimin e individualitetit, përkundrazi e favorizon dhe e pasuron atë. Më vjen turp që të shkruaj të zezë mbi të bardhë gjëra të tilla kaq të qarta, por kemi mbrritur në atë pikë ku askush nuk duket se ka instiktin e të reaguarit sipas rregullave natyrale dhe e zëvëndëson këtë instikt me një kult primitif të së jashtëzakonshmes dhe absurdes. Në art, nuk jam aspak armik i së resë, përkundrazi, dhe ti e di mirë, por në fushën e moralit, domethënë kur është fjala për sjelljen e njeriut në lidhje me detyrën që i bie të kryej, modat dhe shpikjet e reja më duken të dyshimta dhe jam krejt mosbesues kur dëgjoj njerëz të arsyeshëm të flasin për morale të reja, etika të reja, sikur të flisnin për moda apo stile në art.
Në botën aktuale i kërkojnë njeriut akoma tjetër gjë, dhe kjo kërkesë është e përhapur nga partitë politike, nga vende apo profesorë të moralit universal. I kërkojnë njeriut që ai të heqë dorë njëherë e përgjithmonë nga vetevetja dhe nga ideja që nëpërmjet tij, diçka personale dhe e veçantë mund të ketë kuptim ; e bëjnë të kuptojë se ai duhet që t’i adaptohet një lloj humanizmi normal apo ideal që do të jetë ai i së ardhmes, që duhet të transformohet në një nga ingranazhet e makinerisë, në një nga gurët e ndërtesës, mes miliona gurëve të tjerëve, po aq të ngjashëm. Nuk do të doja që të shprehesha mbi vlerën morale të kësaj kërkese : ajo ka anën heroike e madhështore të saj. Por nuk besoj në atë. Vënia në rresht e individëve, me gjithë dëshirën e mirë, është në kundërshtim me natyrën dhe nuk të çon në paqe e në gjakftohtësi, por në fanatizëm dhe në luftë. Në fund të fundit, flitet për një kërkesë prej murgu dhe ajo është legjitime kur bëhet fjalë për murgjit, për njerëz që kanë hyrë të lirë nën urdhrat fetare. Megjithatë, nuk besoj që kjo kërkesë, që është e lidhur me modën, do mund të paraqesë një rrezik serioz për ty.
Shoh që letra është kthyer pothuajse në një disertacion. Do të bëj disa kopje dhe kur të më jepet rasti do t’ia lexoj gjithashtu dhe personave të tjerë. Mendoj se nuk do të kesh ndonjë kundërshtim.

Përktheu Y.Demneri

12345...18
 

Mariage Ingrid et Florent |
ANIMATION (CHATEAU GONFLABLE ) |
BIENVENUE dans mon Univers ... |
Unblog.fr | Créer un blog | Annuaire | Signaler un abus | Moi, Lilith
| venez chez zabuzobe ça peu ...
| Cours en ligne Infocom