Poikilos

Vivre, c’est fabriquer du passé

Letër nga J.

Classé dans : LIBRI — 3 juin, 2011 @ 2:43

Ylli i dashur,  

Nëse virtualisht  libërthin tënd “Më kujtohet” unë e kisha marrë që atë ditë që më thoje, realisht e mora në dorë para 1 ore dhe sapo arrita në zyrë, pasi piva kafen (e dytë) fillimisht e hapa apo më saktë e pashë “rastësisht” nga mbrapa. 

Aty pashë Yllin e përhershëm, gjithmonë YLL megjithë “trashëgiminë” e F.-së, dhe pamja jote si përherë prej intelektuali, më atë mendimin gjysëm qesëndisës e gjysëm serioz në sy e në buzë. Dhe kaq më mjaftoi për të ndjerë kënaqësi… pastaj  po aty, në paragrafin  e tretë ti përmendje pastruesen me zilen dhe mua përnjëherë m’u çfaq Xhumja dhe episodi me kovën në klasë… dhe sigurisht ju ktheva menjëherë parathënies  së ëmbël sikur po haja krem karamel (ta dish që une vdes për krem karamel) dhe kënaqësinë e të lexuarit ma vuri në dukje “Xhumja” e zyrës sime që më tha : “ Po lexon ndonjë libër të bukur ?”…. dhe kur erdha tek episodi i biçikletës tek dyqani i parë afër Gjykatës u mallëngjeva se “m’u kujtua” dhe mua rrengu i prindërve të mi kur ja kërkoja dhe ata më thonin “bëja me sy” dhe unë e bëja me të dy sytë, por ata më thonin prapë “jo, jo, duhet vetëm me një sy…” dhe atëherë unë fillova të përpiqem që të mësoja të luaja vetëm njërin sy…. (që më vonë më hapi probleme, por ky është një kujtim tjetër…)

E ndala leximin për të të shkruar këto rradhë sepse do humbisja pa të shprehur emocionin që po më ngjallnin kujtimet e tua…; sigurisht s’dua të mbuloj çdo kujtim tëndim me të miat por duke u ndalur në ca “pikanteza” dua të shpreh kënaqësinë për afërsinë që paskemi patur në mendje edhe si fëmijë…

 

…ora 09.15/ me disa ndërprerje (për arsye pune) arrita tek kënga e Mao Ce Dunit… sa për të qeshur, edhe për faktin që të hënën pritëm ca kineze të CINHUA-së dhe me ca shoqe të pak a shumë moshës sonë po kujtonim këtë këngë por memorja jonë ishte ndalur te “tajasen-i” që vazhdonte me la-la-la mao ce dun…

Më bëre të qesh kushedi sa here…dhe tani tek ajo “vieni casa, vieni” me kujtove përkthimin e shprehjes “vaj-me-det!” (në rrethana të ngjashme) me “olio con mare”. O Ylli pata frikë se e kishe “harruar” Zydi Demnerin… shyqyr JO, por shpresoja dhe tek të kujtuarit e “Sallam i freskët, special njitashi sa erdhi, dhe marmallati i freskët special nji tashi sa erdhi…” dhe ti që thoje “marmallati ka dy muj aty, është myk fare…”

…. Jam shumë e ngazëlluar nga leximi i librit (që e mbarova/ora është 14.00 por e kam ndërprerë disa herë për arsye “punë-zyre”) dhe jam bërë pak si kalama… u futa në një atmosferë krejt tjetër… është një libër për NE, brezin TAMAM TE HUMBUR, që i mbajmë mend të gjitha ato gjëra e që ato gjëra na bëjnë të kujtojme të tjera e të tjera dhe që duke e lexuar të duket se s’paska qenë dhe aq keq atëherë megjithë mjerimin e madh dhe varfërinë e madhe shpirtërore e mediokritetin rrethues…

Ja dhe një arsye më shumë për të të pasur xhan. URIME  për gjithçka që bën në jetë… nqs kudo fut këtë shpirt që penetron në ato rreshta që ke shkruar, jam e sigurtë që do të kesh sukses.

Përqafime

J.

p.s.sa veta kanë menduar që inicialet tek pema ishin të vetat ???

——————————————————————————————————————————–

Libri “Më kujtohet” gjendet në Tiranë në librarinë Vera, rruga e Durrësit numër 5, në librarinë Adrion (Pallati i Kulturës), si dhe në librarine « E për7shme », rruga Jul Variboba. 152 faqe. Çmimi 500 lek.

Kujtimet dhe rrugëtimi i atdheut

Classé dans : LIBRI — 29 mai, 2011 @ 2:51

Kujtimet dhe rrugëtimi i atdheut dans LIBRI libri-me-kujtohet-300x250

Refleksione mbi librin e Ylli Demnerit “ Më kujtohet”

Nga Diana Gëllçi,

Kur mbaron së lexuari librin elegant të Ylli Demnerit “Më kujtohet”, mbetesh edhe për një copë herë tjetër preh e kujtimeve… Ah, ato bankat prej druri me ndenjësen e përbashkët me dy vrima për të venë shishet e bojës dhe dy kanale për të venë penat!…Po çarçafët e larë që tundeshin në tel deri vonë në darkë?… Apo gjyshja duke qëruar orizin pranë dritares… Dhe era e furnelës që fikej nga qumështi që derdhej…Një ditë shiu në plazh…Aeroplanët prej letre… Qesh me vete. Po banania e parë “prej vërteti”? Po koleksioni i letrave shumëngjyrëshe të karameleve në një fjalor të vjetër? Po?… I ka harruar ky Ylli këto?! Disa prej tyre janë thjesht kujtime të mijat. Kështu është edhe gjyshja që qëron orizin në dritare. “Sa i mbushur ky orizi kokërrmadh! Unë e shkreta edhe s’para shoh mirë tani”. Edhe çarçafët… Edhe bankat prej druri. Shumë prej tyre marrin jetë apo rikthehen në një dimension të ri duke lexuar librin e Yllit. Shumë të tjera marrin formë dhe rrugëtojnë prej aty.
Udhëtoj nëpër East Jefferson përmes Detroitit, rruga-rutinë e imja, por sot më duket sikur jam duke ndjekur kujtimet që vijnë befas e nga ku nuk e pandeh, bëhen shumë, dhe zhduken po aq befas dhe krejt pa radhë. Me kujtohen edhe mua shkrepëtimat në qiell të errët në një ditë gushti, dhe era e dheut para se të bjerë shi. Pastaj, dhe kjo më vjen në mendje fare mirë, bubullimat e mëdha dhe rrebeshi nëpër xhama dhe çati, ndërsa mamaja mundohet të më mbarojë së qepuri një fustan basme (apo basmeje). Sikurse më kujtohet Koncerti i Vjenës i transmetuar në çdo 1 Janar në orën dymbëdhjetë në drekë, një nga kënaqësitë e vërteta në ndërrimin e viteve në qytetet e vogla. Madje më kujtohet 1 Janari i këtij viti, kur në mesditë, befas m’u kujtua ai koncert sërish dhe mendova se nuk do të ishte keq të shihja në Internet çmimin e biletave për koncertin e ardhshëm.
Kaloj pastaj në atë pjesë të qytetit ku ura Ambasador lidh Detroitin me Kanadanë dhe më kujtohet kënga Not afraid e Eminemit me një sfond të ngjashëm urash, lartësish, bodrumesh. Protestë. Mendoj se kudo ku janë njerëzit kanë hallet, lumturinë, dhe brengat e kohës. Kaloj stacionin e vjetër të trenave të kthyer tashmë në një legjendë urbane të Detroitit dhe nuk ka se si të mos më kujtohet stacioni i trenave në Tiranë, me atë këndin e vogël të lodrave për fëmijë, me varkat metalike që tundeshin zhurmshëm në ajrin e nxehtë të kryeqytetit. “Kur do arrijmë?” “Edhe pak. Sapo të arrijmë, do të hipësh tek varkat dhe do kënaqesh. Yyy, sa lart shkojnë ato!” “E, ti ashtu thua. Kur shkojmë atje, ti nuk më lë të rri shumë”. “Këtë herë do të të lë të rrish sa të duash. “ “Eh…” Nuk e di nëse varkat janë ende aty ku kanë qenë dhe ndihem fajtore që s’kam pyetur. Madje nuk e di edhe nëse vetë stacioni i trenit është aty ku ishte; dhe shpresoj që nëse po, të paktën të jetë më mire se çfarë ishte kur e pashë së fundmi. Por e di që ai stacion mbetet pjesë e kujtimeve të vajtje-ardhjeve të mija në Tiranë. Ende, herët në mëngjes, kur dëgjoj sirenën e tragetit të radhës që lundron në ujërat e lumit që lidh Detroitin me Liqenet e Mëdha, me duket si sirena e trenit në platformën e lagur të stacionit të trenave në Tiranë, dhe më merr malli, pa dyshim.
Në radio dikush përsërit refrenin e një kënge: “A house is not home”. Më bën përshtypje që kurrë më parë se tani nuk e kam menduar këtë ndryshim kaq të madh midis shtëpisë si vend dhe shtëpisë si ndjenjë. Kjo është njëkohësisht sa e bukur aq edhe emocionuese. Kështu është edhe me atdheun: Atdheu nuk është thjesht një vend. Janë kujtimet, mendimet, ndjenjat që të lidhin me atë vend, që i japin atij vendi kuptimin e madh të atdheut. Në gjuhën e Demnerit, “është zhurma e shisheve të qumështit në rrugët e shkreta, pa zbardhur mire”, “akullorja e shkrirë deri poshtë bërrylit”, duhani Tarabosh, Xhevrija, Biblioteka Kombëtare, Teatri Popullor, Rruga e Dibrës, Vangjush Furxhiu, Kadri Roshi, Margarita Xhepa… Për fat të keq, atdheu nuk janë vetëm hurmat, pantoflat prej gome, dhe zifti i asfaltit të zbutur nga vapa në Korrik. Atdheu është edhe kujtimi i frikës, ankthit, fletë-rrufeve, zyrat e Kuadrit, burgu i kohës së diktaturës. Asgjë më shumë se një përjetim i sinqertë në retrospektive nuk do t’i mbante larg këto forma të përçudnimit të qenjes. Asgjë më mirë se kujtimet nuk do ta denonconte dhunën, farsën, autoritetin e shtetit në të gjitha kohërat. Eshtë e natyrshme pyetja: Pse? Pse ndrydhej njeriu? Në emër të kujt dhe të çfarë gjëje shteti futet në jetën e individit?…Tek kujtimet? Dhe padyshim, asgjë tjetër kaq mirë sa vetë kujtimet nuk mund ta shënjojë lidhjen e shenjtë me të, asgjë tjetër nuk mund ta shumëfishojë atdheun më tepër; ta nxjerrë nga shtrati i tij buzë Osumit, Vjosës, apo Bunës e ta përcjellë në brigjet e Senës apo në liqenet e Detroitit.
Kisha harruar që Ylli Demnerin nuk e kam takuar kurrë, gjë që vite më parë mund të përkthehej si “nuk e njoh”. Por si mund të thuash tashmë “nuk e njoh” për një njeri me të cilin paske ndarë Bulevardin e Tiranës, ke thithur aromën dehëse të luleve Dorëzonje, apo ke përjetuar të njëjtat frikëra apo ankthe të kohës një kohe të shkuar?! Ndoshta Ylli vetë i ka ujdisur kujtimet si një akuzë kundër diktaturës. Mllefi i tij për shiksat, policët, apo ushtarët përzihet me mllefin për Çu En Lain, Brezhnjevin, Enver Hoxhën, kalon në adhurimin e sallonit të pritjes së Anisa M. që s’kishte asgjë nga “produktet e socializmit” e deri tek frika nga “hapësira përtej ushtarit” tek Komiteti Qendror dhe tutje-tutje tek përshkrimi i “katunareve” që shisnin qepë, domate, kopër, nenexhik apo që të porsa martuar shkonin në shtëpitë e pushimeve: djali me një këmishë të bardhë e pantallona teritali e vajza me një fustan me lule e flokët e bëra permanent… I lexon të gjitha, i kujton në fakt, dhe e kupton po ashtu se sa e sertë është jeta kur na e kondicionon mendimin, dhe njohjen, me vendin dhe kohën ku kemi lindur krejt rastësisht, dhe me grupin njerëzor që i përkasim. Ylli nuk mund të qëndrojë jashtë vendit dhe kohës së përjetimeve të tij. Dhe natyrisht, s’mund të bëjë përjashtim nga rregulli. Do të më kishte pëlqyer t’i gjeja këto kujtime nën tisin e mendimeve nga jeta “ndryshe”, por me përjashtim të dy-tre momenteve, Ylli i shmanget filtrit të kohës dhe vendit ku jeton tash. Por jam e sigurt, Demneri nuk ka dashur të shkruajë historinë e Shqipërisë, edhe pse, me kujtimet e tij të sinqerta e të shumë-menduara, i ka shtuar historisë së madhe shumëçka në anën njerëzore.
Jemi mësuar të lexojmë libra të mëdhenj e të rendë ku të tjerët zbulojnë botën për ne dhe na mësojnë si ta kuptojmë, si ta ndjejmë, si ta themi. Ylli Demneri ka zgjedhur ta bëjë këtë thjesht, por me shumë mjeshtëri: Ai ka hapur dyert e vetvetes dhe na lë të futemi aty, të ndajmë mendimet, e të meditojmë për jetën, shoqërinë dhe politikën me gjuhën e kthjellët e lakonike të kujtimeve. Çfarë mund ta bënte atdheun më të pranishëm?!

(Botuar në gazetën Milosao)

___________________________________________________________________________

Libri “Më kujtohet” gjendet në Tiranë në librarinë Adrion (Pallati i Kulturës), në librarinë Vera, rruga e Durrësit numër 5, si dhe në librarine « E për7shme », rruga Jul Variboba. 152 faqe. Çmimi 500 lek.

 


Printo

Një takim kaq i vonë

Classé dans : LIBRI — 2 mai, 2011 @ 11:59
Një takim kaq i vonë dans LIBRI eshukriu

Nga libri “Më kujtohet”

I nderuar z. Ylli,

Ju falenderohem shumë për dhuratën e mrekullueshme, librin e veçantë « Më kujtohet » dhe të gjitha ndjesitë që libri i përcjell. Ju lumtë për formën e zgjedhur dhe trajtimin në nivel të lakmueshëm të shkruarit. E lexova me një frymë, duke harruar të gjitha obligimet e ditës…

Gëzohem që Arben Arifi, ish studenti im, ishte në promovim të librit. Gëzohem po aq që vepra ime e parë e poezisë, « Sonte zemra ime feston », është bërë një lidhje me Kosovën, në kohën kur mure shumë më të larta se të Berlinit e ndanin qenien tonë.

Me librin « Me kujtohet » më nxitët të kujtohem për detajet e kohës, që nuk i kam harruar kurrë. Ishte viti 1972 kur mora pjesë në Kuvendin I për ilirët dhe libri sa më ishte botuar. Rrezikova shumë kur disa kopje i futa ne çantën e dorës, me shpresë se nuk do të kontrollohej në kufi. Ishte « femija » im i parë, andaj gëzimin doja ta ndaja edhe me të dashurit në Shqipëri. Me vonë kuptova se libri ishte marrë nga të gjithë që ua kisha dhuruar. Arkeologu Bep Jubani, që e respektoja shumë, e kishte pësuar me së shumti. « Fajin » e kishte vjersha e parë, me Id-in e Ego-n, përkatësisht me filozofinë frojdiane, të ndaluar asokohe në Shqipëri… Unë as që e kisha menduar Frojdin, në mendjen dhe shpirtin tim ishte zgjimi individual dhe kombëtar, në kohën kur në ish Jugosllavi nuk gëzonim të drejta si shqiptarë…

Më vjen mirë që libri, i ndaluar për shkak të absurditeve të kohës, ka mbërritur deri te ju. Fatbardhësisht, kohët i ndryshuam me shumë mund /nuk ndryshuan vet/ dhe kam shpresë që hapërimet e mëtejme kombëtare të zhvillohen duke u mbështetur në sistemin e vlerave dhe me respekt të ndërsjellë.

Përshëndetje të përzemërta,

Edi Shukriu

 

*** 

E nderuara zonja Shukriu,

Po t’ju them se kjo përgjigje që po jua shkruaj tani më duket një ëndërr, nuk do ta besonit. Por bota nganjëherë bëhet e vogël. U desh që ish studenti juaj Arben Arifi të vij në promovimin e librit tim këtu në Paris, e që unë t’ju drejtohem konkretisht mbas një “takimi” poetik prej gati 30 vjetësh !

Gëzohem mbi të gjitha për rrëzimin e murit.

Kur keni patur rastin që të vinin në Shqipëri në vitet 70, edhe po të njiheshim nuk do të kisha guxuar që t’ju takoja. Pavarësisht seç thuhej publikisht : “karafilat nga Kosova” për festën e 29 nëntorit që i dhuroheshin Enver Hoxhës në tribunë, apo shprehjet “vëllezërit tanë kosovarë” etj, shumica e atyre që kishin lidhje me kosovarët gjurmoheshin nga Sigurimi, pa harruar ata kosovarë që kapërcenin kufirin e futeshin në Shqipëri e që në të shumtën e rasteve përfundonin burgjeve.

Takimi me poezinë tuaj ka ndodhur krejt rastësisht. Nuk dija asgjë rreth jush. Një ditë kur isha ne Bibliotekën kombëtare, njëra nga punonjëset e bibliotekës që e njihja, më dha disa libra autorësh kosovarë që ishin të ndaluar të dilnin nga biblioteka. Aty lexova dhe vëllimin tuaj poetik “Sonte zemra ime feston”. Bashkimi i këtyre katër fjalëve seç kishte diçka të magjishme që më pëlqeu menjëherë. E që mu kujtuan mbas gati tridhjetë vjetëve kur po shkruaja librin “Më kujtohet”.

E sot, falë lirisë, munda “t’ju takoj” pa menduar për frikën.

Ju falenderoj për fjalët e mira që keni shprehur rreth librit tim dhe për ato emocione që më shkaktuat sot me e-mail-in që më dërguat.

Përshëndetje
Ylli Demneri

 

Kujtimet dhe rrugëtimi i atdheut

Refleksione mbi librin e Ylli Demnerit “ Më kujtohet”

Nga Diana Gëllçi, Milosao, 29 maj 2011

Kur mbaron së lexuari librin elegant të Ylli Demnerit “Më kujtohet”, mbetesh edhe për një copë herë tjetër preh e kujtimeve… Ah, ato bankat prej druri me ndenjësen e përbashkët me dy vrima për të venë shishet e bojës dhe dy kanale për të venë penat!…Po çarçafët e larë që tundeshin në tel deri vonë në darkë?… Apo gjyshja duke qëruar orizin pranë dritares… Dhe era e furnelës që fikej nga qumështi që derdhej…Një ditë shiu në plazh…Aeroplanët prej letre… Qesh me vete. Po banania e parë “prej vërteti”? Po koleksioni i letrave shumëngjyrëshe të karameleve në një fjalor të vjetër? Po?… I ka harruar ky Ylli këto?! Disa prej tyre janë thjesht kujtime të mijat. Kështu është edhe gjyshja që qëron orizin në dritare. “Sa i mbushur ky orizi kokërrmadh! Unë e shkreta edhe s’para shoh mirë tani”. Edhe çarçafët… Edhe bankat prej druri. Shumë prej tyre marrin jetë apo rikthehen në një dimension të ri duke lexuar librin e Yllit. Shumë të tjera marrin formë dhe rrugëtojnë prej aty.
Udhëtoj nëpër East Jefferson përmes Detroitit, rruga-rutinë e imja, por sot më duket sikur jam duke ndjekur kujtimet që vijnë befas e nga ku nuk e pandeh, bëhen shumë, dhe zhduken po aq befas dhe krejt pa radhë. Me kujtohen edhe mua shkrepëtimat në qiell të errët në një ditë gushti, dhe era e dheut para se të bjerë shi. Pastaj, dhe kjo më vjen në mendje fare mirë, bubullimat e mëdha dhe rrebeshi nëpër xhama dhe çati, ndërsa mamaja mundohet të më mbarojë së qepuri një fustan basme (apo basmeje). Sikurse më kujtohet Koncerti i Vjenës i transmetuar në çdo 1 Janar në orën dymbëdhjetë në drekë, një nga kënaqësitë e vërteta në ndërrimin e viteve në qytetet e vogla. Madje më kujtohet 1 Janari i këtij viti, kur në mesditë, befas m’u kujtua ai koncert sërish dhe mendova se nuk do të ishte keq të shihja në Internet çmimin e biletave për koncertin e ardhshëm.
Kaloj pastaj në atë pjesë të qytetit ku ura Ambasador lidh Detroitin me Kanadanë dhe më kujtohet kënga Not afraid e Eminemit me një sfond të ngjashëm urash, lartësish, bodrumesh. Protestë. Mendoj se kudo ku janë njerëzit kanë hallet, lumturinë, dhe brengat e kohës. Kaloj stacionin e vjetër të trenave të kthyer tashmë në një legjendë urbane të Detroitit dhe nuk ka se si të mos më kujtohet stacioni i trenave në Tiranë, me atë këndin e vogël të lodrave për fëmijë, me varkat metalike që tundeshin zhurmshëm në ajrin e nxehtë të kryeqytetit. “Kur do arrijmë?” “Edhe pak. Sapo të arrijmë, do të hipësh tek varkat dhe do kënaqesh. Yyy, sa lart shkojnë ato!” “E, ti ashtu thua. Kur shkojmë atje, ti nuk më lë të rri shumë”. “Këtë herë do të të lë të rrish sa të duash. “ “Eh…” Nuk e di nëse varkat janë ende aty ku kanë qenë dhe ndihem fajtore që s’kam pyetur. Madje nuk e di edhe nëse vetë stacioni i trenit është aty ku ishte; dhe shpresoj që nëse po, të paktën të jetë më mire se çfarë ishte kur e pashë së fundmi. Por e di që ai stacion mbetet pjesë e kujtimeve të vajtje-ardhjeve të mija në Tiranë. Ende, herët në mëngjes, kur dëgjoj sirenën e tragetit të radhës që lundron në ujërat e lumit që lidh Detroitin me Liqenet e Mëdha, me duket si sirena e trenit në platformën e lagur të stacionit të trenave në Tiranë, dhe më merr malli, pa dyshim.
Në radio dikush përsërit refrenin e një kënge: “A house is not home”. Më bën përshtypje që kurrë më parë se tani nuk e kam menduar këtë ndryshim kaq të madh midis shtëpisë si vend dhe shtëpisë si ndjenjë. Kjo është njëkohësisht sa e bukur aq edhe emocionuese. Kështu është edhe me atdheun: Atdheu nuk është thjesht një vend. Janë kujtimet, mendimet, ndjenjat që të lidhin me atë vend, që i japin atij vendi kuptimin e madh të atdheut. Në gjuhën e Demnerit, “është zhurma e shisheve të qumështit në rrugët e shkreta, pa zbardhur mire”, “akullorja e shkrirë deri poshtë bërrylit”, duhani Tarabosh, Xhevrija, Biblioteka Kombëtare, Teatri Popullor, Rruga e Dibrës, Vangjush Furxhiu, Kadri Roshi, Margarita Xhepa… Për fat të keq, atdheu nuk janë vetëm hurmat, pantoflat prej gome, dhe zifti i asfaltit të zbutur nga vapa në Korrik. Atdheu është edhe kujtimi i frikës, ankthit, fletë-rrufeve, zyrat e Kuadrit, burgu i kohës së diktaturës. Asgjë më shumë se një përjetim i sinqertë në retrospektive nuk do t’i mbante larg këto forma të përçudnimit të qenjes. Asgjë më mirë se kujtimet nuk do ta denonconte dhunën, farsën, autoritetin e shtetit në të gjitha kohërat. Eshtë e natyrshme pyetja: Pse? Pse ndrydhej njeriu? Në emër të kujt dhe të çfarë gjëje shteti futet në jetën e individit?…Tek kujtimet? Dhe padyshim, asgjë tjetër kaq mirë sa vetë kujtimet nuk mund ta shënjojë lidhjen e shenjtë me të, asgjë tjetër nuk mund ta shumëfishojë atdheun më tepër; ta nxjerrë nga shtrati i tij buzë Osumit, Vjosës, apo Bunës e ta përcjellë në brigjet e Senës apo në liqenet e Detroitit.
Kisha harruar që Ylli Demnerin nuk e kam takuar kurrë, gjë që vite më parë mund të përkthehej si “nuk e njoh”. Por si mund të thuash tashmë “nuk e njoh” për një njeri me të cilin paske ndarë Bulevardin e Tiranës, ke thithur aromën dehëse të luleve Dorëzonje, apo ke përjetuar të njëjtat frikëra apo ankthe të kohës një kohe të shkuar?! Ndoshta Ylli vetë i ka ujdisur kujtimet si një akuzë kundër diktaturës. Mllefi i tij për shiksat, policët, apo ushtarët përzihet me mllefin për Çu En Lain, Brezhnjevin, Enver Hoxhën, kalon në adhurimin e sallonit të pritjes së Anisa M. që s’kishte asgjë nga “produktet e socializmit” e deri tek frika nga “hapësira përtej ushtarit” tek Komiteti Qendror dhe tutje-tutje tek përshkrimi i “katunareve” që shisnin qepë, domate, kopër, nenexhik apo që të porsa martuar shkonin në shtëpitë e pushimeve: djali me një këmishë të bardhë e pantallona teritali e vajza me një fustan me lule e flokët e bëra permanent… I lexon të gjitha, i kujton në fakt, dhe e kupton po ashtu se sa e sertë është jeta kur na e kondicionon mendimin, dhe njohjen, me vendin dhe kohën ku kemi lindur krejt rastësisht, dhe me grupin njerëzor që i përkasim. Ylli nuk mund të qëndrojë jashtë vendit dhe kohës së përjetimeve të tij. Dhe natyrisht, s’mund të bëjë përjashtim nga rregulli. Do të më kishte pëlqyer t’i gjeja këto kujtime nën tisin e mendimeve nga jeta “ndryshe”, por me përjashtim të dy-tre momenteve, Ylli i shmanget filtrit të kohës dhe vendit ku jeton tash. Por jam e sigurt, Demneri nuk ka dashur të shkruajë historinë e Shqipërisë, edhe pse, me kujtimet e tij të sinqerta e të shumë-menduara, i ka shtuar historisë së madhe shumëçka në anën njerëzore.
Jemi mësuar të lexojmë libra të mëdhenj e të rendë ku të tjerët zbulojnë botën për ne dhe na mësojnë si ta kuptojmë, si ta ndjejmë, si ta themi. Ylli Demneri ka zgjedhur ta bëjë këtë thjesht, por me shumë mjeshtëri: Ai ka hapur dyert e vetvetes dhe na lë të futemi aty, të ndajmë mendimet, e të meditojmë për jetën, shoqërinë dhe politikën me gjuhën e kthjellët e lakonike të kujtimeve. Çfarë mund ta bënte atdheun më të pranishëm?!

 

Nostalgjia e humbjes

Nga Alket Çani (Gazeta Panorama, 9 tetor 2011)

Nëse ka një libër, në letërsinë shqipe, që ka fotografuar në mënyrën më të përimët e të kulluar portretin e vërtetë të një epoke, ky është padyshim libri “Më kujtohet” i Ylli Demnerit. I ngjan ai më tepër një albumi fotografik që nuk flet me gjuhën e imazhit, por të fjalëve, ku janë renditur në mënyrë të natyrshme e pa rend kronologjik, çaste të fokusuara nga kujtesa, në formë fragmentesh. Këto fragmente, që në pamje të parë duken si pa lidhje me njëri-tjetrin, formojnë, në të vërtetë, një unitet të brendshëm mjaft koherent, i cili krijohet nga vetë lënda e librit e shtrirë në një kohë dhe hapësirë të përcaktuar, stili dhe procedetë e rrëfimit, duke e bërë “Më kujtohet” një libër të pazakontë dhe krejt të veçantë në letërsinë shqipe të deritanishme.

Në parathënien e librit, autori thotë, ndër të tjera, se ideja për këtë libër i ka ardhur në mendje pasi ka lexuar librin Je me souviens (Më kujtohet) të autorit francez Georges Perec. Nga ana e tij, edhe Perec për përmbledhjen e vet u frymëzua nga një tjetër libër me të njëjtin titull, por kësaj here në anglisht, I remember, i piktorit amerikan Joe Brainard. Të dy këta autorë, që do mund t’i cilësonim si pararendësit e Demnerit, kanë shkruar kujtimet e jetës së tyre në vendin te tyre. “Ky shënim i vogël i Perec-ut, vazhdon Demneri, ma hoqi kompleksin e kopjuesit. Jo vetëm kaq, por kjo mënyrë të kujtuari e së kaluarës kolektive shpëtoi nga autobiografia e mirëfilltë – që në rastin tim nuk do të kishte ndonjë interes -, dhe njëkohësisht më shmangu nga dëshira për të krijuar një portret simpatik për veten, siç ndodh në librat me kujtime”.

Pra, kemi të bëjmë me një vepër sa personale aq edhe të depersonalizuar, e madje të çinteresuar, karakteristikë kjo që është ndoshta nga më të rëndësishmet për suksesin e librit. Ashtu sikundër një nga vlerat e tij më të çmuara është fakti që Demneri ka shkruar një libër të hapur, në kuptimin që gjithkush mund të shtojë, sipas këtij modeli, kujtimet e tij, e, për rrjedhojë, kujtimet e përbashkëta të një epoke.

*

Të gjithë ata që kanë kaluar një pjesë të jetës së tyre, ose të paktën fëmijërinë, përpara viteve nëntëdhjetë tek ne, nuk mund ta lexojnë këtë libër pa gjetur atje vetveten, fëmijërinë dhe rininë, ngjyrat dhe ngjarjet, gjestet dhe aromat, historitë dhe humorin, gjuhën dhe objektet e kohës, shkurt, jetën tonë të kaluar, të përbashkët e pothuajse të njëtrajtshme, e cila tashmë ka humbur, por nuk është harruar. Libri i Demnerit na ndihmon ta rikujtojmë atë, përpara se t’ia zerë vendin një tjetër epokë e mëpasme, si, fjala vjen, kjo e sotmja, me tiparet dhe njëtrajtshmërinë e saj.

Shoqëria e çdo epoke krijon mënyrat e saj të jetesës, normat dhe zakonet, shijet dhe idealet, gjykimet dhe qëndrimet, shkurt, një konceptim të caktuar të botës, të cilin e manifeston nëpërmjet produktesh. Në njëfarë kuptimi, njerëzit bëhen viktimat e asaj që prodhojnë vetë. Çfarëdolloj aspekti që të ketë, ideologjik, industrial, utopik, virtual, vjen një çast kur ky produkt ushtron tiraninë e vet të pashmangshme mbi shoqërinë që e ka prodhuar. Kur kjo tirani mbërrin në pikën e saj kulmore, njerëzit nisin përpjekjet për të shpëtuar prej saj. Është koha kur ata ngrejnë pikëpyetje dhe vënë në dyshim gjëra. Por jo për shumë kohë. Sepse është shumë e vështirë e pothuajse e pamundur të mos prodhosh, e të mos prodhosh gjithnjë e më tepër. Produkte të reja – tirani e re. Kjo ndërkohë midis dy tiranish është periudha më e bukur në jetën e një shoqërie. Është një formë e thellë e revoltës së saj të heshtur.

Është, pak a shumë, kjo situatë që përshkruan si në mënyrë të pavetëdijshme libri “Më kujtohet”. Këto kujtime, ose më saktë fragmente kujtimesh, – sepse të duken si episodet e mbetura nga një tërësi, pjesa thelbësore e së cilës ka humbur – ringjallin pikërisht humbjen e asaj ndërkohe dhe kjo humbje shkakton nostalgji. Nga kjo pikëpamje, tekstet e këtij libri ngjajnë si haiku. (“Më kujtohet një qershi e lulëzuar. E vetme. Në një fushë të vogël mbuluar me bar të lartë.”) Ose si fotografi. Tipari themelor i tyre është ngulitja e një çasti ikanak, të pakthyeshëm, e diçkaje që është e destinuar të humbasë njëherë e përgjithmonë. Me kujtimin e këtyre episodeve në këtë libër, autori ka kryer një akt të thellë përsiatjeje të brendshme dhe është vënë në rolin e pazëvendësueshëm të dëshmitarit objektiv të një kohe dhe një bote.

*

Duke folur për Mallarmé-në, Paul Valéry thoshte se kur distancohesh nga bota, vihesh në kushtet e të kuptuarit të botës. Në këtë kontekst, autori i librit “Më kujtohet” e ka marrë tashmë largësinë e duhur që nostalgjinë e viseve fizike dhe shpirtërore të fëmijërisë ta shndërrojë në një fakt estetik. Ai ka shkruar një libër të mrekullueshëm, fryt i një vëzhgimi të hollë, i një sondimi të thellë të kujtesës dhe i një pritjeje të gjatë. Dhe ka pikturuar, si peizazhistët e Linjdes së Largët, lidhjen dinamike që krijohet midis njerëzve të një epoke dhe universit të tyre.   

 Në shekullin XVI, poeti japonez Satomura Shoha kërkonte një penel, që të mund të pikturonte lulet e kumbullës, bashkë me aromën e tyre. Na duket se me këtë libër, Ylli Demneri e ka gjetur penelin. Ky libër është i të gjithëve. Ne të gjithë jemi ky libër.

Paris, tetor 2011

1...45678...18
 

Mariage Ingrid et Florent |
ANIMATION (CHATEAU GONFLABLE ) |
BIENVENUE dans mon Univers ... |
Unblog.fr | Créer un blog | Annuaire | Signaler un abus | Moi, Lilith
| venez chez zabuzobe ça peu ...
| Cours en ligne Infocom